Me Shekspirin gjithmonë prezent
Shekspiri ka dy anë në vete: njëra është ana historike, ku ai është njëri i grupit të dramaturgëve që punonin në Londrën elizabetiane dhe shkroi drama për një publik që jetonte në Londër në atë kohë; tjetra është poeti i cili na flet sot me një gjuhë bashkëkohore aq të fuqishme. Nëse studiojmë vetëm anën historike, ose Shekspirin e 1564-1616, ne flakim tutje gjithë rëndësinë e tij për kohën tonë dhe shmangemi duke provuar të shohim në misterin më të madh të letërsisë, mister se si dikush në njëfarë mënyre mund të komunikojë me kohët, hapësirat dhe kulturat aq shumë të larguara nga të tijat.
Mirëpo nëse mendojmë për Shekspirin vetëm si bashkëkohës i yni, ne humbasim një nga shpërblimet më të mëdha të edukimit liberal, e që është, duke studiuar hamendësitë dhe vlerat e një shoqërie mjaft të ndryshme nga e jona, të kuptojmë se çfarë ato ndikuan në atë shoqëri.
Ne duhet ta mbajmë Shekspirin historik gjithmonë prezent në mendjen tonë, që kjo t'na ndalojë në provat për ta rrëmbyer atë brenda orbitës sonë kulturore, e cila është e ndryshme por dhe mjaft e ngushtë nga pikëpamjet, sikur që ishin dhe audiencat e para të Shekspirit. Për shembull, ne shqetësohemi nga ideja e përdorimit të fjalëve për të manipuluar njerëzit dhe ngjarjet, ose nga rëndësia e thënies së gjërave.
Sikur Shekspiri të ishte gjallë..!
...Një nga pikat e para për të kuptuar rreth Shekspirit është se ai nuk ka përdorur dramën për asgjë: ai hyri në rrethanat e saj ashtu siç ishin atëherë, dhe i pranoi ato totalisht. Ky fakt ka të bëjë me çdo gjë, lidhur me Shekspirin si poet tani...
Sikur Shekspiri të ishte gjallë, padyshim do t'ishte intervistuar secilën javë dhe opinionet e tij do të shëtisnin secilën temë, nga politika e jashtme nacionale deri tek efektet e punk-rock në shoqëri. Por në ditët e tij askush nuk brengosej se çfarë ishin qëndrimet e tij për cilëndo gjë, dhe atij nuk do t'i lejohej të diskutonte publikisht çështjet publike. Prandaj, ai nuk ishte nën një trysni konstante që të binte nën ndikim të opinioneve. Ne nuk kemi shënime se çfarë ishin pikëpamjet e tij religjioze ose politike, nëse kishte ndonjë: dramat e tij thjesht prezantojnë aspekte të jetës sociale, të cilat mund të ishin të kuptueshme për publikun e tij dhe mund të kenë ndikuar në lajthitjet e njerëzve që ata sillnin me vete në teatër. Madje dhe atëherë, ai do të merrej vetëm me ato aspekte që përshtateshin në dramën, të cilën ishte duke shkruar.
...Ne dimë më shumë për Shekspirin se sa që dimë për shumicën e bashkëkohësve të tij të teatrit, të cilët, me përjashtim të Ben Xhonsonit dhe të një apo dy të tjerëve, jetuan dhe punuan pa bërë bujë si personalitete në kohën e tyre. Dhe prapë, çfarë dimë ne, nuk iu duket shumë impresive njerëzve të cilët mendojnë se një poet shumë i madh sigurisht se duhet të ishte patjetër dhe një njeri i madh, duke jetuar pandërprerë nën syrin publik, sikur Gëte ose Viktor Hygo. Ky është një paragjykim: një poet nuk është e thënë të jetë dikush i veçantë si person, dhe poetët që gjithashtu janë personalitete të fuqishme, shumica janë produkt i rrethanave të ndryshme kulturore.
...Një nga beneficionet më të mëdha në studimin e Shekspirit është se ai na bënë më shumë të vetëdijshëm për hamendësitë tona dhe kështu jemi më pak të kufizuar nga to.
Një hamendësi më e hollë dhe thellë e rrënjosur është që Shekspiri ishte një poet i madh i cili shkroi drama. Po, ai ishte, por sikur të kishte punuar gjithë jetën e vet në një gjini tjetër nga drama, ai do të ishte, siç mund ta shohim nga veprat e tij jodramaturgjike, një poet i jashtëzakonshëm, por jo një aso poeti që ta pushtojë imagjinatën e botës.
…Me Shekspirin elementi aktrues dhe teatralja janë gjithmonë gjëra që vijnë në rend të parë. Poezia, sidoqoftë e paharrueshme, është funksionale në dramën: ajo nuk shkëputet mëvetësisht, si e pavarur.
...Shekspiri ishte poet i cili shkroi drama, në rregull; por është më shumë e saktë dhe më pak shpërudhëzuese të thuhet se ai ishte një dramaturg i cili në përgjithësi përdori vargjet. Shumica e njerëzve që ankohen për shijen e Shekspirit dhe pëlqimet e tij, rreth kësaj pike janë vërtitur gabimisht. Një poet i madh, ndiejnë ata, nuk do duhej të ultësohet qëllimisht e të shkruajë melodrama dhe batuta të ndyra. Prapa kësaj fshihet një ndjenjë e paqartë se për një poet drama ashtu-kështu është një gjini jo e pastër. Mbase dhe është. Por Shekspiri ishte poet sepse ai ishte një dramaturg, kështu që ky princip nuk vlen për të. Dhe instinkti i tij se çfarë i përshtatet një situate dramatike ishte pothuajse i pagabueshëm.
...Unë supozoj që dramat qenë shkruar për një publik të edukuar mjaft mirë. Disa nga "groundlings*", njerëzit që paguanin një peni për të qëndruar në paraskenë, padyshim do të ishin analfabetë, por ata nuk ishin persona ardhja e të cilëve mundësonte financimin e teatrit, dhe deri tani me sa dimë ata nuk e përjashtojnë faktin që shumë gjëra të gjuhës iknin mbi kokat e tyre. Shumë drama të Shekspirit qenë shfaqur para audiencave më të dalluara që mund të gjendeshin në Londër: disa në funksion oborrtarësh, për oborrtarët, inkluzivisht për anëtarët e familjes mbretërore; disa në Inns of Court** (kolegjiumet e juristëve)… dhe në shumë teatro, vlen të ceket Blackfriars, më i vogël dhe më tepër diskrecional se Globe, teatrin që më së shumti mëtojmë ta lidhim me Shekspirin.
Dhe prapë, kushtet teatrale do të ishin tejet të ndryshme nga çfarëdo kushtesh që ne jemi mësuar.
...Është një asocijim i përafërt me muzikën, përgjatë gjithë rrugës, nëpërmjet Shekspirit: janë këngët e rastit dhe mjaftë dirigjime skenike, si "tucket [fanfarë] within", e cila paraqet se sa operatik ishte efekti i dramës, dhe akoma është në produksion të mirë. Spektakli, natyrisht, pjesën më të madhe varej në fjalët. Tani kemi filmin të na ofrojë spektaklin, pa ndërruar skenografinë. ...Nuk do të duhej të na shpëtojë se sa Shekspiri i ktheu kufizimet (teknike – shën i s. g.) në kualitete pozitive.
]Publiku i Shekspirit, më i sistemuar intelektualisht se sa bota jonë
...Publiku i Shekspirit jetonte në një botë, çfarë ishte në shumë drejtime më tepër e sistemuar intelektualisht se sa bota jonë. Praktikisht askush s'besonte, apo madje as që kishin dëgjuar thënien, se Toka është një planet që rrotullohet rreth Diellit: Toka thjesht ishte qendra e gjithë kozmosit, dhe natyra ishte e lidhur ngusht me njeriun.
Shëndeti i njeriut varej nga "temperamenti" dhe "bashkëdyzimi" proporcionalisht në trup i katër gjendjeve: gjaku, flegma, tëmthi dhe tëmthi i zi, dhe do të pritej që kjo vetvetiu të pasqyronte urrejtjen e jetës dhe vizionin e pështirosur të saj. Melankolia ishte një sëmundje fizike, sikur dhe emocionale e mentale. Si duket Shekspiri duhet të ketë qenë i popullarizuar dhe mjaft i dashur si person e si dramaturg. Ai kurrë nuk u fut në ngatërresa personale, siç ndodhi me shumë bashkëkohës të tij, dhe instinkti i tij për të ndenjur jashtë problemeve ishte shumë i zhdërvjellët. Atij i duhej të ballafaqohej me një censurë të mprehtë dhe jo pafajsisht të ulët, dhe referencat e tij në politikën e kohës ose çdo gjë që dukej si referencë e tillë, padyshim do të “pastroheshin” para se shfaqja të arrinte në skenë.
...Kishte disa kritikë intelektualë shumica e të cilëve ishin humanistë, studentë të Klasikes dhe që mendonin se modelet, pothuaj për çdo gjë, duke futur këtu dhe dramën, mund të gjendeshin në literaturën greke apo latine. "Rregullat", që vinin nga drama Klasike, definonin një unitet veprimesh që përmbanin po ashtu dhe një unitet dekoresh, (jo duke kaluar, të themi, nga Roma në Aleksandri dhe për t'u kthyer mbrapa, sikur në Antoni dhe Kleopatra); një unitet të kohës, që nuk tejkalonte njëzet e katër orë (jo një personazh koral që vjen në aktin e katërt e të ju thotë se kanë kaluar gjashtëmbëdhjetë vite, sikur në Rrëfenjë Dimërore); dhe, mbi të gjitha, një unitet të klasës shoqërore. Mbretërit dhe njerëz të tjerë nga klasat e larta vendin e kishin në tragjeditë, dhe ishte thyerje e rregullave të decorum-it të fusje në tragjedi klounë, budallenj e të ngjashëm. ...Për fat të mirë, dy sovranët sundues, Elizabeta dhe Xhejms, duket se patën qenë më liberalë në këto çështje, dhe dramës Angleze asnjëherë nuk iu prenë rroba aq të ngushta sikur në stilin e dramës Franceze të kohës së Luigjit XIV.
...Shekspiri shkroi mesatarisht nga dy drama në vit, heroizëm që atij do t'i lente shumë pak kohë për ta mahnitur botën në ndonjë mënyrë tjetër. ...[Ai] ua la këtë dy shokëve në shoqërinë e tij, Hemingut dhe Kondellit, t'i mbledhin dramat e tij të grumbulluara dhe t'i publikojnë në Përmbledhjen e Parë të vitit 1623 (First Folio), shtatë vjet pas vdekjes së tij. Cilido studim akademik i kësaj ndërmarrjeje do të dëshmonte se çfarë pune e madhe, e komplikuar dhe frustruese mund të ketë qenë, dhe ishte pothuaj një mrekulli që editorët më në fund ia dolën të grumbullojnë secilën dramë, që sot besohet të ketë qenë e Shekspirit, në përjashtim të Perikleu, që mund të jetë e tij vetëm pjesërisht. Përmbledhja ishte një vepër e jashtëzakonshme për botimet e asaj kohe, duke u cilësuar mes publikimeve më të mira të kohës, si Bibla e vitit 1611 dhe disa edicione akademike të klasikëve.
...Tani ka një numër të konsiderueshëm shfaqjesh të suksesshme të Shekspirit, dhe s'ka asnjë arsye që ta reduktojmë atë në një grumbull tekstesh të një libri. Duke dëgjuar përbrenda një drame, në skenë apo në film, ju duhet të dëgjoni me sa më shumë kujdes sikur që këtë e bëni kur dëgjoni muzikë, sepse, si dhe në muzikën, në dramë janë ndërfutur tema të caktuara, shpesh shumë rastësisht, që të zhvillohen më vonë.
...Duke lexuar dramën provoni ta rikonstruktoni shfaqjen në mendjen tuaj; përkujtoni sikur ju jeni regjisori dhe duhet të mendoni se çfarë lloj njerëzish do të zgjedhni për të luajtur një pjesë të caktuar, dhe ku do t'i vendosni ata në skenë për t'i kyçur në lojë apo për t' i hedhur jashtë saj. Është e vështirë, pa dyshim, dhe ju do të bëni ca hapa të pasigurtë në fillim, por eventualisht drama do të ngrihet në jetë vetvetiu, dhe ju do të ndjeni se keni çliruar diç të gjallë nga mendja juaj, diç që po ashtu mund ta thërrisni t'ju kthehet prapë.
Përktheu: S. Guraziu
*Kjo pjesë është botuar nga hyrja në përmbledhjen me leksione të zgjedhura dhënë nga Northrop Frye, profesor i anglishtes, studentëve në Victoria College në Universitetin e Torontos.
** Groundling - Spektator në teatrin elizabetian, i cili paguante biletën më të lirë dhe që rrinte në këmbë për të përcjellur shfaqjen.
*** Inns of Court - 1. Të katër shoqëritë legale (Lincoln's Inn, Inner Temple, Middle Temple, dhe Gray's Inn) formuar në fillim të shek. XIV dhe që kishin privilegjin ekskluziv për të titulluar studentët dhe praktikantët e Drejtësisë. 2. Ndërtesat që posedonin… dhe që përdoreshin nga Inns.