E Diel, 1 Nëntor 2026

Dritëroi: E majta e ndarë rrezikon fitoren në zgjedhje

 

Aristir Lumezi

Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli i bën sërish thirrje të majtës të bashkohet në zgjedhjet e 2009. “Nëse PS dhe LSI janë të ndara veç e veç, vihet një pikëpyetje e madhe për fitoren e zgjedhjeve të 2009”, tha Agolli dje gjatë një interviste televizive në “Vizion Plus”. Duke komentuar situatën në të cilën ndodhen dy partitë kryesore të së majtës shqiptare, PS dhe LSI, patriarku i socialistëve i kërkon atyre të vlerësojnë mirë njëra-tjetrën. “LSI është një parti me një vitalitet shumë të madh dhe LSI nuk është si partitë e krahut tjetër”, tha shkrimtari i njohur. Një ndjekës i qetë dhe i kujdesshëm i politikës së ditës, deklaratat e Agollit vazhdimisht kanë sjellë reagime në të gjitha krahët e saj. Shkrimtari i njohur i kujton dy partive, që të shohin Berishën si rrezikun e vetëm të tyre. “Po ta themi në mënyrë popullore, ata do t’i bashkojë frika me njëri-tjetrin, se në frikë njerëzit bashkohen. Në mos e bëfshin përpara zgjedhjeve, pas zgjedhjeve do ta bëjnë patjetër”, tha Agolli. Dy partitë e mëdha të opozitës, PS dhe LSI ndodhen sot larg njëra-tjetrës dhe me pak shpresa për një bashkëpunim parazgjedhor mes tyre. Shkak për këtë janë bërë ndryshimet kushtetuese të 21 prillit dhe Kodi i ri Zgjedhor, i cili u bë në bashkëpunim të plotë mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. LSI ka akuzuar drejtuesit e Partisë Socialiste se hartimi i kodit të ri zgjedhor është bërë në mungesë të plotë të transparencës dhe jo në interes të partive të tjera parlamentare. Këto dy çështje janë cilësuar mjaft thelbësore për demokracinë sipas LSI-së, por dhe për proceset integruese të vendit, pasi sipas saj, një kod i tillë do të cenojë dhe standardet e zgjedhjeve të ardhshme.
Deklaratat
Shkrimtari i njohur i ka ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet brenda të majtës dhe vazhdimisht, ka sugjeruar arritjen e konsensuse për të mirën e të majtës. Agolli është shprehur gjatë një interviste për gazetën “Panorama” se aleanca që Edi Rama kërkon të ndërtojë përtej të majtës dhe të djathtës i duken si iluzioniste. “Po të isha unë në vend të Ramës, do t’u tregoja njerëzve programin tim qeverisës dhe do t’u shpjegoja në mënyrë të hollësishme dhe të thjeshtë, se si do t’i arrija premtimet e mia dhe një pjesë e madhe e popullit do të më pranonte. Unë do t’u tregoja me fakte konkrete, se si do të luftoja varfërinë, se si do t’u rrisja rrogat e pensionet dhe si do hapja vende të reja pune. Duhet të ketë dhe një logjikë politike në ato që thuhen. Parulla të tilla si “do bëj aleancë përtej të djathtës dhe të majtës” më vënë në mendime, sepse njerëzit janë të djathtë dhe të majtë. Atëherë përtej të majtës dhe të djathtës, ku do t’i gjejmë njerëzit për aleancë? Edhe në Mars pati iluzion për jetë në këtë planet, por njerëz nuk ka për aleanca aty”, është shprehur Agolli. Nëse do të kthehemi në retrospektivë Agolli ka kërkuar bashkimin e dy partive të majta edhe para zgjedhjeve të përgjithshme të 2005. Në një intervistë për “Panorama”, ai ka kërkuar nga dy partitë të lenë mënjanë akuzat dhe të bashkohen kundër Berishës. “Problemi është që në diskutimet e tyre në polemikën mes tyre, PS-ja dhe LSI-ja duhet të lënë një hapësirë në ato sharjet e tyre, një hapësirë që tregon që edhe mund të bashkohen në të ardhmen. Nëse vazhdohet me këtë ashpërsi më vonë do të jetë e vështirë të ketë një bashkim të tyre në një koalicion, siç ndodh që e gjithë e majta bën një koalicion, ashtu siç mundohet ta bëjë edhe e djathta. Unë mendoj se është detyra e tyre, që të mos acarohen në atë mënyrë sa më vonë të mos kenë mundësi për t’u bashkuar në një koalicion. Të dyja këto parti duhet ta vrasin mendjen për këtë çështje edhe ne socialistët edhe LSI-ja”, është shprehur atëherë Agolli.

Lakrori, platformë për socialistët e shpërndarë në PS, LSI dhe PS’91

Anëtari i Asamblesë së PS-së Maqo Lakrori, ka propozuar një platformë që do të garantojë fitoren e të majtës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare 2009. Në formë propozimi, Lakrori ia bëri të njohur Asamblesë Kombëtare, në mbledhjen e saj të fundit duke paraqitur një platformë për ta bërë objekt diskutimi publik para se t’ia paraqesë atë mbledhjes së ardhshme të Asamblesë Kombëtare socialiste. “Socialistët shqiptarë, si ata që punuan për transformimin e Partisë së Punës në një Parti Socialiste anëtarë të Internacionales Socialiste dhe partnere të PSE-së, ashtu edhe socialistët, që shton çdo ditë realiteti ekonomik dhe shoqëror i vendit, janë misionarë të së njëjtës aspiratë të përbashkët. Nga kjo pikëpamje, socialistët shqiptarë nuk janë të përçarë. Megjithatë, ata sot janë të shpërndarë. Janë të shpërndarë në PS, në LSI, në PS ’91 dhe jashtë tyre; madje, më të shumtët janë socialistët që kanë kaluar në indiferencë dhe zhgënjim”, shprehet Lakrori në platformën e tij të ribashkimit.
Ish-zyrtari i lartë i PS, sot anëtar i Asamblesë Kombëtare analizon edhe shkaqet, që kanë çuar socialistët dhe të majtën në këtë situatë të vështirë. “Kjo shpërndarje në disa parti dhe jashtë tyre, është pasojë e dëmit që shpresa dhe besimi i socialistëve kanë pësuar nga përçarjet e krerëve për pushtet personal, nga pasurimi abuziv i disave me pushtetin e ushtruar në emër të PS-së, nga mohimi i veprës shumëvjeçare të socialistëve prej atyre, që çdo ndryshim e paraqesin si reformim dhe nga çdo e keqe tjetër, që gjeneron egoizmi ekstrem kur mbyt solidaritetin njerëzor”, shpreh Lakrori. Sipas tij, ky proces do t’u rikthente shpresën dhe besimin socialistëve dhe elektoratit të majtë. “Me shpresë dhe besim të përtërirë, me këta dy motorë shpirtërore, që kanë fuqi të pashembullt kur vihen në lëvizje, Partia Socialiste do të mund t’i fitonte zgjedhjet 2009 (edhe pse sistemi zgjedhor nuk është në favorin e saj), dhe do të siguronte vazhdimin e misionit historik dhe vizionar që socialistët shqiptarë kanë marrë përsipër që nga qershori 1991", shprehet Lakrori në projektplatformën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›