Tërmeti në Dibër, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha premton shpërndarjen e fondeve brenda dy javëve
Përfituesit e parë, pronarët e banesave që u bënë të pabanuara
TIRANE – Brenda dy javësh do të nisë shpërndarja e fondeve për rindërtimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti në zonen e Dibrës. Përfituesit e parë do të jenë pronarët e banesave që u bënë të pabanuara dhe që ndodhen kryesisht në komunat Gjoricë e Shupenëz. Ky ka qenë edhe deklarimi që ka bërë para banorëve dhe drejtuesve të pushtetit lokal të zonës ministri i Brendshëm Lulzim Basha, i cili ka parë nga afër pasojat që shkaktoi tërmeti.
Drejtuesit e pushtetit vendor e kanë informuar ministrin Basha se pasojat e tërmetit nuk kanë ndikuar në nisjen dhe mbarëvajtjen e vitit mësimor që ecën normalisht në të gjithë zonat e prekura nga tërmeti. Deri më tani strukturat e emergjencës kanë shpërndarë në këto zona 350 çadra, rreth 500 batanije dhe 8 ton ushqime. “Ministria Financave ka në dorë vlerësimin për 333 objekte dhe po bën shqyrtimin përfundimtar dhe më pas do të lëvrojë fondet”, u shpreh Basha.
Tërmeti nuk ka ndikuar në nisjen e procesit mësimor në komunat e dëmtuara.
Ndërkohë që emergjenca Civile ka ndihmuar deri më tani me 354 çadra, 460 batanije dhe 7 tonë gjysmë ushqime.
Vizitën e parë si Ministër i Brendshëm, Basha e ka bërë në qarkun e Dibrës, ku është njohur më nga afër me pasojat e tërmetit të disa ditëve më parë, ku si pasojë u dëmtuan disa shtëpi banimi, ndërkohë që nuk pati të lënduar në njerëz.
Ministri i Brendshëm, i ka dhënë garancinë banorëve, për mbështetjen e pakufishme të qeverisë, duke nisur pikërisht pas dy javësh me shpërndarjen e fondeve, sipas vlerësimit për 333 objekte të dëmtuara.