E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e rrugës Fushë Mamurras-fshati Adriatik

“Rimëkëmbja e madhe ekonomike kërkon dyfishimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, detyrë kjo jo e thjeshtë, e vështirë, por absolutisht e mundshme”. “E ftoj zotin Rama të mos pengojë partinë e tij të hyjë në parlament, aty është vendi i debatit konstruktiv, është vendi i vendimeve, por, mbi të gjitha, është vendi i reformave që prekin çdo qytetar dhe familje shqiptare, sepse kanë të bëjnë me të ardhmen europiane të tyre dhe të fëmijëve të tyre”.


Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Fushë Mamurras-fshati Adriatik, me gjatësi 9 kilometra dhe investim të buxhetit të shtetit me vlerë rreth 65 milion lekë. Në takimin me banorë të Mamurrasit, ku ishin të pranishëm edhe Ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe autoritete të qeverisjes vendore, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e kësaj rruge jo vetëm në aspektin turistik, pasi lidh këtë zonë dhe afron Mamurrasin, Kurbinin dhe Krujën me bregdetin, por ndihmon edhe fermerët e zonës për të arritur më shpejt dhe më me lehtësi tregun. Kryeministri Berisha ritheksoi qëndrimin e qeverisë për të shumëfishuar përpjekjet,  ndihmën dhe investimet për zhvillimin e bujqësisë. “Koncepti ynë, - tha Kryeministri - është se pa fshat të zhvilluar, nuk ka Shqipëri të zhvilluar. Rimëkëmbja e madhe ekonomike kërkon dyfishimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, detyrë kjo jo e thjeshtë, e vështirë, por absolutisht e mundshme”. Më tej, në përshëndetjen e tij drejtuar banorëve, Kryeministri Berisha u shpreh: “Shqipëria ka nevojë jetike për një infrastrukturë moderne. Këto katër vjet, ne do të thellojmë shumë më tepër përqendrimin për të ndihmuar fermerët shqiptarë. Koncepti ynë është se pa fshat të zhvilluar, nuk ka Shqipëri të zhvilluar. Rimëkëmbja e madhe ekonomike kërkon dyfishimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, detyrë kjo jo e thjeshtë, e vështirë, por absolutisht e mundshme. Ndaj ne jemi të vendosur të trefishojmë investimet, para së gjithash, në infrastrukturë, në rrugë, shkollë, ujësjellës dhe kanalizime. Por, paralel me to, investimet tona do të shkojnë më vaditje, agro-përpunim, në nxitjen e prodhimit. Shpreh bindjen më të thellë se në këtë katër vjeçar ne do të kemi një Mamurras, Fushë Kuqe, Gurzë, Kurbin, Adriatik europian. Shfrytëzoj rastin këtu, në emrin tuaj, t’i bëj edhe një herë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste ta lërë duetin me zotin Lakrori, apo ‘dream team’, siç po e quajnë të rinjtë dhe ta kthejë partinë në parlament, sepse ky është një vend normal, kanë ikur kohërat kur Shqipërinë mund ta anormalizonin. Shqipëria po ecën e sigurt drejt proceseve të mëdha integruese, është vend anëtar i NATO-s dhe kjo ka qenë arritje historike. Këtë vjeshtë do të ketë vendime të mëdha për Shqipërinë në Bashkimin Europian, vendime që kanë të bëjnë me statusin e kandidatit, vendime të cilat të gjithë shqiptarët pa përjashtim, por, në mënyrë të veçantë, qeveritarët, politikanët, zyrtarët duhet të jenë në lartësinë e seriozitetit të tyre, vendime që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, lëvizje që shqiptarët e kanë pritur në shekuj. Është e pafalshme dhe jashtëzakonisht e rëndë që të përpiqesh t’i fusësh shkopinj nën rrota këtij procesi. Ky nuk është një proces i thjeshtë, një proces i parëndësishëm, por është jetik për të gjitha kombet e Europës, edhe më jetik është për ne që kemi vuajtur më shumë se kombet e tjera dhe që tani jemi në prag të këtyre zhvillimeve. Ndaj edhe një herë e ftoj zotin Rama të mos pengojë partinë e tij të hyjë në parlament, aty është vendi i debatit konstruktiv, është vendi i vendimeve, por, mbi të gjitha, është vendi i reformave që prekin çdo qytetar dhe familje shqiptare, sepse kanë të bëjnë me të ardhmen europiane të tyre dhe të fëmijëve të tyre. Në përfundim, dua ta mbyll duke ju dhënë fjalën kryetarëve të komunave që qeveria do të financojë çdo projekt për këto komuna, për Mamurrasin, për Kurbinin dhe bashkërisht do të kemi një Kurbin tjetër. Ju uroj gëzuar Bajramin ju dhe mbarë shqiptarëve”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›