E Diel, 1 Nëntor 2026

Barazojnë “të mëdhatë”, Skënderbeu, surpriza e Kategorisë Superiore

 

Leonard Karaj

S’ka fitues në dy supersfidat e mbrëmjes së djeshme në “Qemal Stafa” dhe “Loro Boriçi”. Ndërsa një Skënderbe galopon drejt kreut si asnjëherë tjetër. Shijen e tri pikëve të para e kanë ndjerë dje edhe Shkumbini e Laçi në fushat e tyre. Dinamo dhe Besa mbeten të pathyeshëm. Blutë e kryeqytetit, mysafirë në fushën e vështirë të Shkodrës, kanë mundur që të marrin një pikë të rëndësishme për renditjen, duke ruajtur sërish kreun me pikë të barabarta, me Besën e Shpëtim Duros. Skuadra e Çim Muçës luajti më së shumti që të mos pësonte, duke sulmuar hera-herës portën e Grimajt. Ndërsa shkodranët, në krizë të thellë rezultatesh, nuk kanë mundur sërish të marrin tri pikë që do t’i ngjisin shumë në renditje. Keq ka shkuar e djeshmja edhe për Tiranën. Skuadra e Lonçareviç nuk ka shfrytëzuar as penalltinë, e humbur në pjesën e parë nga mesfushori Jetmir Sefa. Ndërsa Besa e Kavajës ka arritur të mbajë larg jo vetëm kundërshtarin, por jo rrallë herë ka sulmuar duke shkuar pranë golit të avantazhit. Gjithsesi një barazim që i shkon më shumë për shtat Besës sesa Tiranës.
Skënderbeu & Teuta      
Skënderbeu i Korçës është padyshimin më të vogël surpriza më e këndshme e këtij fillim kampionati. Bardhekuqtë kanë mundur dje bindshëm Gramozin, duke u ngjitur në vendin e tretë në renditje. Për t’u theksuar është fakti se korçaret kanë tri fitore dhe një humbje, kjo e shkaktuar nga Tirana vetëm në minutat e fundit me anë të një penalltie. Ndërsa ka bërë gjëmën dje edhe Teuta e Durrësit në Vlorë. Falë fitores së djeshme në transfertë, skuadra e Josës ka rezultuar edhe ajo që ka detyruar trajnerin Eqerem Memushi që të japë dorëheqjen. 
Shkumbini & Laçi  
Kanë shijuar për herë të parë në këtë kampionat fitoren edhe Shkumbini e Laçi. Peqinasit mposhtën në Peqin me rezultatin minimal 1-0 Kastriotin, që luajti më shumë se 30 minuta me dhjetë lojtarë pas largimit me karton të kuq të Ylli Shametit. Golin vendimtar me vlerë tri pikë e realizoi talenti 20-vjeçar, Erjon Mustafaraj, në minutën 81-të. Ndërsa Laçi arriti një fitore dramatike 3-2 me Apoloninë, në një ndeshje që dhuroi emocione në fushë, por edhe reagimin e trajnerit të skuadrës fierake, Esad Karishik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›