Nesër kremtohet Bajrami i Madh, krerë të shtetit dhe të komuniteteve fetare urojnë besimtarët myslimanë

Neser të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kremtojnë festën e Fitër Bajramit, kremimi më i rëndësishëm në kalendarin e besimit islam. Fitër Bajrami vjen në fund të muajit të sakrificës, muajit të Ramazanit dhe ngërthen në vetvete një rilindje, lindjen e një viti të ri, por edhe lindjen e shpresës e të besimit për një të ardhme më të mirë.
Në prag të kësaj dite të madhe, besimtarët myslimanë i ka uruar me një mesazh të veçantë, kryetari i shtetit shqiptar, presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi. Në mesazhin e urimit dërguar me këtë Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, Kreu i shtetit shqiptar thekson: “Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë! Gëzuar e përshumëvjet Festën e Fiter Bajramit! Është dëshirë dhe kënaqësi e veçantë t’u përcjell gjithë besimtarëve myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen urimet më të mira e më të përzemërta me rastin e Festës së Fiter Bajramit! Uroj që kjo ditë e kulmit të pastrimit dhe kthjelltësisë shpirtërore, pas një muaji të madhërishëm agjërimi e përkushtimi, t’ju ketë gjetur më të mirë e më të ndershëm, me zemrat plot dashuri për familjet e të afërmit, me më tepër ndjenjë atdhedashurie! Dëshiroj të jem pranë jush, pranë çdo familjeje e vatreje shqiptare, për ta ndarë së bashku vlerat e rralla njerëzore të mirësisë dhe dashurisë, ndershmërisë dhe tolerancës, ndihmës dhe sakrificës për të gjithë njerëzit në nevojë. Harmonia dhe toleranca, përjetimi së bashku i festave të njërit-tjetrit dhe adhurimi për të Plotfuqishmin përbëjnë visaret e pashembullta të bashkëjetesës fetare të kombit tonë – virtyte, që ne i kemi trashëguar brez pas brezi ndër shekujt nga të parët tanë dhe me të cilat do të pasurojmë edhe mozaikun e vlerave të familjes së përbashkët evropiane ku synojmë të hyjmë së shpejti. Gëzuar edhe një herë dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve, familjet tuaja, Shqipërinë e kombin shqiptar”!
Në të njëjtën ditë, një urim të përzemërt për të gjithë besimtarët ka drejtuar edhe kryeministri i republikës së Kosovës, zoti Hashim Thaçi. Në mesazhin e vet, ai ka përgëzuar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava dhe qytetarët e besimit islam të Kosovës, me rastin e festës së Fitër Bajramit. Në telegramin e përgëzimit thuhet: “I nderuari kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Tërnava, Të nderuar qytetarë të besimit islam, Kam kënaqësinë që në emër të Qeverisës së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim t’ju uroj festën e Fitër Bajramit, duke shprehur urimet më të mira për gjithë Ju dhe për familjet tuaja. Festa e Fitër Bajramit kremtohet në vitin e dytë të pavarësisë së Kosovës, në shtetin tonë të ri, që gjithnjë e më shumë po shënon të arritura si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit besimtarët tanë janë ballafaquar me sprovën e lartësimit shpirtëror dhe fizik, me agjërimin, duke kultivuar harmoninë, paqen, dashurinë dhe respektin e ndërsjellë. Duke shprehur besimin se kjo festë do të shtojë edhe më shumë ndjenjën e solidaritetit, humanizmit dhe dashurisë midis njerëzve, uroj që në Ditët e Festës të kaloni çaste të mira në mesin tuaj”.
Ja edhe Përshëndetja e plotë e kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Selim Muçës me rastin e Bajramit të Madh. “Të nderuar besimtarë myslimanë kudo që ndodheni brenda dhe jashtë Shqipërisë! Ju përshëndes dhe ju uroj gëzuar për shumë vjet festën e Bajramit të Ramazanit. Sjelltë kjo festë në shtëpitë tuaja gëzim, harmoni dhe begati. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të) na thotë se në bajrame duhet të tregohet gëzim e hare, me qëllim që të manifestohet uniteti, toleranca, dashuria dhe vëllazërimi. Për këtë arsye myslimanët përjetojnë në këtë festë, gëzimin dhe lumturinë e agjërimit gjatë një muaji me radhë për hir të Zotit, e kapërcimit të vështirësive dhe të çuarjes në vend të urdhrit të Allahut. Ditët e bajramit janë ditët e lumturisë së përbashkët me vëllezërit tanë të një feje, janë ditët e lulëzimit të ndjenjave të vëllazërisë, paqes e shëndetit, janë ditët e gëzimit të përbashkët me të afërmit, fqinjët, shokët dhe të gjithë njerëzit në botë. Le të sjellë kjo festë më shumë mirësi, afrimitet, paqe dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit. I uroj edhe njëherë besimtarëve myslimanë, ta jetojnë gëzuar këtë festë. Paçin mirësi e begati dhe Zoti ua pranoftë agjërimin dhe adhurimet që kanë kryer gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Zoti e bekoftë kombin dhe atdheun tonë”.
...