Ada hyn në histori, pesë gola Partizanit të Zhupës
Leonard Karaj
Shkatërrim total i Partizanit në Velipojë. Vendasit kanë shënuar një fitore historike përballë 15 herë kampionëve të Shqipërisë. Kryesimi është marrë nga Bylis, i cili fitoi bindshëm ndaj Gramshit. Fitore edhe për Luftëtarin, Sopotin, Besëlidhjen dhe Turbinën. Mund të quhet pa frikë ngjarja e ditës në Kategorinë e Parë. Partizani i Edmond Zhupës merr një mësim të mirë nga një prej skuadrave të konsideruara ndër më inferioret në këtë kategori. Pesa gola dhe një lojë fantastike e vendasve të Adës regjistrojnë kështu një fitore historike, po të kesh parasysh këtu faktin se “Demat e kuq” janë 15 herë kampionë të vendit. Tre gola të sulmuesit Hajdari dhe 2 të Perfatit (ky i fundit është lider i goalshënuesve të kësaj kategorie) sollën edhe suksesin e Adës, e cila tashmë renditet e pesta me gjashtë pikë (2 fitore, 2 barazime). Ndërkohë nuk ka sesi të priten zhvillime në kampin e kuq ku me të mirë dhe me të keq “kambana” i është varur Edmond Zhupës, i cili do të vazhdojë të drejtojë Partizanin gjithnjë e më shumë problematik, tani edhe në rezultate përveçse nga ana financiare. Kryesimin e kampionatit e ka marrë Bylisi, i cili mundi dje bindshëm në fushën e vet Gramshin, klub i cili pret të njohë shumë shpejt pronarin e ri, multimiliarderin rumun Xhixhi Bekali. Sipas informacioneve, zyrtarizimi i marrëveshjes për blerjen e klubit do të bëhet ditën e nesërme. Ndërkohë një fitore të rëndësishme dhe mjaft të vuajtur ka arritur edhe Kamza ndaj Lushnjës, pretendente kryesore për ngjitjen në Superligë. Një gol i Bazes ka mjaftuar për të marrë tri pikë. Ndërsa kanë sigluar fitoret e para në këtë kampionat, Sopoti i Librazhdit ndaj Skraparit të Edmond Dalipit, si dhe Turbina ndaj Burrelit. Luftëtari ka kthyer gjithçka na favorin e vet në pjesën e dytë, ku nga 0-1 ka çuar rezultatin në 3-1 në harkun e vetëm 20 minutave. Fitore me shumë mundim edhe të lezhianëve të Besëlidhjes ndaj debutuesve të Memaliajt. Tre gola të Gegës kanë regjistruar tri pikët e vendasve. Ndërkaq sot pritet të luhet takimi i fundit i kësaj jave, Pogradeci-Elbasani. Duhet theksuar se verdheblutë kanë edhe një ndeshje të prapambetur me Sopotin e Librazhdit (takim i javës së dytë), i shtyrë për shkak të ndeshjeve të Shpresave.