E Diel, 1 Nëntor 2026

Parkingson

Edmond Tupja 

Në vitin 1876, mjeku anglez Parkinson identifikoi ekzistencën e një sëmundjeje që do të merrte emrin e tij; njeriu i prekur prej kësaj sëmundjeje degjenerative të disa bërthamave gri qendrore të trurit, karakterizohet nga dridhje të ngadalshme (sidomos të duarve) dhe nga një ngrirje e tendosur muskulare; kjo sëmundje deri tani, të paktën, rezulton e pashërueshme. Sot, në vitin 2009, të gjitha kushtet janë krijuar që të vijë një mjek, cilado qoftë kombësia apo shtetësia e tij, që të identifikojë një sëmundje të re, të ngjashme deri diku me parkinsonin, që po prek qytetin e Tiranës pa dallim  lagjeje, madje edhe qytetet e tjera të Shqipërisë. Kjo sëmundje edhe emrin e ka fort të ngjashëm me atë të sëmundjes së parkinsonit, me vetëm një shkronjë më shumë: parkingson. Shfaqjen e kësaj sëmundjeje të pashërueshme, të paktën deri më sot, e nuhatën të parët ata që ngritën zërin kundër betonizimit të Tiranës, kundër zhdukjes shkallë-shkallë të zonave të saj të gjelbra pikërisht në përfitim të parkingsonit. Kjo sëmundje që sulmon mjedisin ku jeton njeriu shqiptar, homo albanicus e veçanërisht homo tiranens, pra, populli kryeqytetas, e godet hapësirën e gjelbër me një ngrirje të tendosur betonuese e fosilizuese duke zëvendësuar bimësinë, lulet, pemët etj., me beton e, më pas, metal, plasmas, pleksiglas etj. Thënë me troç e më shkoqur, bëhet fjalë për ndërtimin e parkingjeve, këtë mikrosaharizim të hapësirave të blerta kryeqytetase.
Këtë sëmundje që pret të katalogohet e homologohet nga mjekësia apo sociologjia shqiptare postmoderne, e vura re të shfaqet këto javët e fundit në oborrin e Fakultetit të Historisë e Filologjisë në të dalë të Tiranës, në rrugën e Elbasanit. Po i bie, pra, kësaj kambane për të dhënë kushtrimin, aq më tepër që pranë këtij Fakulteti të sapoprekur nga parkingsoni ndodhet Pallati i Brigadave, rezidencë e presidentit të Republikës së Shqipërisë në personin e respektuar të Bamir Topit, tiranas – aspak tiranik – denbabaden e 24 karat njëkohësisht; kam frikë se, herët a vonë, edhe kjo hapësirë e gjelbër do të preket nga parkingsoni dhe, pas saj (por, me gjasë edhe para saj), e tërë zona rreth e përqark liqenit të Tiranës, madje edhe vetë ky liqen, që do të betonohet falë etjes dhe urisë për beton të vetë kryebashkiakut të Tiranës që, për shkak të zgjedhjeve të fundit edhe për deputetë, edhe për kryetar partie në gjirin e selisë rozë (Roza, Rozina, na sill ca trëndafila – artificialë, natyrisht –, bashkë me betonin edhe mure të tjera), ia ka varur fare kryeqytetit tonë fatkeq dhe betohet, përbetohet e stërbetohet vetëm për beton, hekur e hekurbeton, për lobingje, mitingje e parkingje.
Po le të kthehemi tek oborri fatkeq i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Parkingsoni i saposhfaqur në të hyrë të tij, majtas, ka zhdukur jo vetëm barin e gjelbër dhe shkurret dekorative, por edhe një pemë të mbjellë andej nga viti 1935, një eukaliptus gjigant që nuk i prishte fare punë parkingut të ardhshëm, një monument kulture ekologjike, meqë dëshmonte udhëtimin e tij të gjatë nga Australia, vendi i prejardhjes së tij të largët (eukaliptusi, ky dru inteligjent, i tregon diellit vetëm profilin e gjetheve në mënyrë që të shmangë avullimin e tepërt të ujit në kohë thatësire). Njëkohësisht, i ndjeri eukaliptus ishte një monument kulture historike për kryeqytetin shqiptar si i vetmi bashkëkohës i kazermave të Ali Rezasë, në vendndodhjen e të cilave shtrihet e ngrihet sot Fakulteti i kërcënuar para, prapa dhe anash nga parkingsoni.
Me sa duket, parkingsoni po sulmon tani tempujt e dijes e të arsimit aq sa kam parandjenjën që një ditë të bukur ose, më saktë, të shëmtuar, ai do t’i qepet parkut të gjelbër të Akademisë së Shkencave pasi të ketë gllabëruar betonisht hapësirat e gjelbra përreth tij.
Së fundi, sa për informacion, edhe në Bërrakën time kopshtijet e gjelbra janë zhdukur përballë përparimit të pandalshëm të parkingsonit: makinat parkojnë kudo, betoni po sundon gjithandej aq sa, kur më bie ndonjë send nga xhepi, nuk guxoj të them, për shembull, “Më ra çelësi përtokë” ose “përdhe”, sepse nën këmbët e mia, nën këmbët e tua, nën këmbët tona, të dashur lexues të vëmendshëm e të paanshëm të rubrikës sime të së dielës, nuk ka më as tokë, as dhe, por vetëm beton. Prandaj më vjen të ulërij: “Ah, më ra, të ra, na ra shpirti në beton, jemi të gjithë me parkingson!”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›