E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërmeti shkund Italinë. Mbi 100 të vdekur

07/04/2009  Një tërmet 5.8 gradë i shkallës Rihter ka ndodhur në orën 3.32 të mëngjesit në Itali, me epiqendër në Abruzzo, afro 10 kilometra nga Aquila. Lëkundjet janë ndier në të gjithë qendrën e Italisë, nga Romagnola në Napoli. Shumë i rëndë ka qenë bilanci: afro 100 të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur, 1500 të plagosur dhe afro 100 mijë vetë të evakuuar. 10-15 ndërtesa janë shembur, ndërkohë që një dëm i madh i është shkaktuar trashëgimisë historike dhe artistike të rajonit.

Kryeministri italian, Silvio Berlusconi ka firmosur menjëherë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme (duke mobilizuar ushtrinë, aeronautikën dhe karabinierët) dhe ka ngarkuar Guido Bertolason në krye të ekipit të emergjencës. Kryeministri ka anuluar menjëherë një vizitë zyrtare në Moskë dhe është drejtuar menjëherë për në Aquila bashkë me ministrin e Brendshëm, Roberto Maroni, dhe atë të Infrastrukturës së Transportit, Altero Matteoli. Kreu i Mbrojtjes Civile, i cili ka mbërritur në rajon pak orë pas tërmetit, ka folur për një “situatë dramatike, tragjedia më e rëndë e këtij fillim mijëvjeçari”.

“Askush nuk do të lihet vetëm”

Pas mbërritjes në Aquila, Berlusconi ka mbajtur menjëherë një konferencë për shtyp për të folur mbi situatën. “Nga helikopteri kam parë se kudo ka shembje, por që kudo është dikush që ndihmon. Askush nuk do të lihet vetëm”, ka thënë Kryeministri. Tërmeti ka ndodhur në një thellësi 8.8 kilometra. Ndërkohë, Giulio Selvaggi, Drejtor i Qendrës Kombëtare të Tërmeteve ka deklaruar se një tërmet i tillë 5.8 gradë i shkallës Rihter konsiderohet “i moderuar, me një intensitet 30 herë më të ulët se sa tërmeti që në vitin 1980 shkatërroi Irpinian”. Në Abruzzo janë ndier lëkundje të shumta duke filluar që nga 16 janari i këtij viti. Kreu i Mbrojtjes Civile, Guido Bertolaso, ka deklaruar se ishte e pamundur të parashikohej tërmeti. "Në këtë moment janë duke punuar afro 4 mijë njerëz për të shpëtuar të mbijetuarit", u shpreh Kryeministri italian Silvio Berluskoni. "Tashmë puna është përqendruar në gjetjen e të mbijetuarve", vazhdoi ai. Sipas Kryeministrit italian, "deri tani janë lënduar të paktën 1500 persona". Gjatë fjalës së tij Kryeministri italian informoi se në mesin e viktimave janë edhe dy studentë, njëri prej të cilëve nga Republika Çeke. Ndërsa për sa i përket çështjes së të pastrehëve.

Presidenti rus Dmitri Medvedev u paraqiti sot ngushëllimet drejtuesve italianë pas një tërmeti që shkaktoi të paktën 50 të vdekur në qendër të Italisë, duke u shprehur i gatshëm për ta ndihmuar Romën në përballimin e pasojave të katastrofës. "Rusia është e tronditur nga kjo tragjedi. Marrim pjesë në hidhërimin e atyre që janë prekur nga tërmeti dhe bashkohemi me dhimbjen e tyre. Ju kërkoj tu paraqisni ngushëllimet të afërmve të viktimave", theksoi Medvedevi në një telegram dërguar Kryeministrit italian Silvio Berluskoni. "Rusia është e gatshme ti japë të gjithë mbështetjen e nevojshme Italisë për të përballuar pasojat e katastrofës", vazhdoi ai, i cituar në një komunikatë të Kremlinit.

Bilanci

Dramatik ka qenë bilanci provizor e që fatkeqësisht është i destinuar të rritet: të paktën 100 të vdekur, 1500 të plagosur dhe 100 mijë të evakuuar. Mes viktimave kanë qenë të paktën pesë fëmijë. Qindra ndërtesa janë shembur krejtësisht ose pjesërisht. Të evakuarit duhet të jenë 50 mijë vetëm në Aquila dhe shumë të tjerë në provinca. Ndërkohë, Caritasi italian është angazhuar për të grumbulluar ndihma dhe vullnetarë. Ndihma e shpejtë është vështirësuar edhe për shkak të vazhdimit të lëkundjeve, një prej të cilave ka ndodhur edhe gjatë konferencës për shtyp të Berlusconit, si dhe për shkak të faktit që prefektura që duhej të koordinonte është shkatërruar tërësisht.

Edhe në zonat përreth Aquilas kanë ardhur lajme për viktima dhe dëme. Një prej situatave më dramatike është në Onna, aty ku 50% e shtëpive janë shembur dhe 50% janë dëmtuar. Presidentja i provincës së Onnas, Stefania Pezzopane, ka deklaruar se në Onna janë 8 të vdekur të sigurt dhe 20-30 të zhdukur. “Onna është një fshat me të moshuar. Nëse nuk vijnë bijtë që të thonë se kush është zhdukur, ndoshta askush nuk do të arrijë ta marrë vesh”.

Ndihma

Që në agim, situata në qendër u paraqit dramatike. Në mëngjes kishte ende kufoma të shpërndara dhe të mbuluara me çarçafë. Ndërkohë, nëpër rrugë shihje qindra njerëz në gjendje shoku, shumë me mbulesa në shpatulla e të tjerë ende me pizhame. Njerëzit e dalë nëpër rrugë, që druheshin nga lëkundjet e tjera në rast se do të qëndronin në ndërtesat e tyre të pashembura kanë penguar në orët e para organizimin e ndihmës. Kështu që, Mbrojtja Civile i ka bërë thirrje popullsisë që të lirojë rrugët për të lejuar mundësi veprimi për punonjësit e ndihmës. Në spital (i mbetur pa ujë të rrjedhshëm dhe i shpallur 90 për qind i papërdorshëm) janë kryer ndërhyrjet e para në emergjencë totale. Një spital fushor u ngrit ndërkohë në Marche, ndërsa të plagosurit më rëndë u transferuan me helikopterë në spitale të tjerë deri në Romë.

Denoncimi

Një shkencëtar italian kishte parashikuar ndodhjen e një tërmeti të rëndë në zonën e Aquilas disa javë para se të ndodhte katastrofa, që shkaktoi vdekjen e 100 personave deri tani, por u denoncua për përhapje paniku në popullsi. Goditjet e para në rajon u regjistruan në mesin e muajit janar dhe vazhduan me intervale të rregullta ndërmjet tyre, gjë që shkaktoi alarm në qytetin mesjetar, rreth 100 kilometra në lindje të Romës.

Një muaj më parë nëpër qytet kanë qarkulluar disa automjete nga ku u komunikohej banorëve se duhej të evakuonin banesat e tyre pasi sizmologu Gioaçhino Giuliani parashikoi se do të ndodhte një tërmet në atë zonë, gjë që shkaktoi irritimin e kryebashkiakut Giuliani, i cili e kishte bazuar parashikimin e tij në përqendrimin e gazit radon rreth zonave sizmikisht aktive, u denoncua në polici për "përhapje alarmi" dhe u detyrua të fshinte nga interneti. Zyra italiane për Mbrojtjen Civile zhvilloi një takim të Komisionit të Rreziqet të Mëdha, ku u mblodhën shkencëtarë, të cilët do të vlerësojnë situatën aktuale dhe rreziqet që ekzistojnë.

Shqipëria ngushëllon dhe jep ndihmë 50 mijë euro

Kryeministri Berisha i ka dërguar dje një mesazh Kryeministrit të Italisë Silvio Berluskoni, përmes të cilit i shpreh ndjenjën e pikëllimit më të thellë, si dhe ndjenjat e solidaritetit dhe simpatisë për familjet e viktimave, qeverinë dhe popullin mik italian, në këto çaste të vështira, ku një tërmet i rëndë ka goditur zonën e Abruzzo-s dhe ka marrë shumë jetë njerëzish, ka plagosur shumë të tjerë dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin, Kryeministri Berisha, përmes këtij mesazhi, shpreh gjithashtu bindjen se qeveria dhe populli mik italian do të dinë të kapërcejnë me vendosmëri pasojat e rënda të këtij tërmeti. Gjithashtu, në këtë mesazh, Kryeministri Berisha i bën të ditur homologut të tij Silvio Berluskoni se, qeveria shqiptare ka vendosur të akordojë një shumë modeste prej 50 mijë euro, në ndihmë të familjeve të lënduara nga kjo ngjarje e rëndë natyrore.

Meta e Rama mesazh ngushëllimi Berluskonit

Dy krerët e majtë, ai i PS-së, Edi Rama dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta i dërguan dje mesazhe ngushëllimi kryeministrit italian, Silvio Berluskoni. “Më lejoni që në emër të Partisë Socialiste dhe në emrin tim personal, tJu përcjell juve keqardhjen më të thellë që ndjemë për jetët e humbura dhe dëmet që populli i Acquila-s pësoi. Unë, gjithashtu, dua të shpreh ngushëllimet më të thella dhe solidaritetin me familjet dhe personat që u prekën nga kjo fatkeqësi natyrore. Ju siguroj Ju dhe popullin italian, se ne ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira” shprehej Rama në letrën e tij dërguar kryeministrit italian. Ndërkohë që në mesazhin e tij, Meta shkruante “mësova me keqardhje të thellë për tragjedinë natyrore të tërmetit në LAquila. Dëshiroj tJu shpreh Juve dhe nëpërmjet Jush, gjithe familjeve të viktimave ngushëllimet e mia më të sinqerta. Ju shtrengoj dorën me dhimbje të thellë dhe ndaj me ju këto momente të vështira. Shpirti i tyre pushoftë në paqe!”.

Topi mezash popullit italian

Presidenti i Bamir Topi i ka dërguar mesazhe Presidentit të Republikës së Italisë, Xhorxho Napolitano dhe Kryeministrit Silvio Berluskoni ku shpreh keqardhjen dhe hidhërimin për fatkeqësinë natyrore që preku rajonin e Abrucos. “Me keqardhje të madhe mësova për fatkeqësinë natyrore që preku rajonin e Abrucos duke shkaktuar viktima në njerëz dhe dëme materiale. Dëshiroj të shpreh hidhërimin tim për këtë ngjarje tragjike që preku popullin mik italian dhe të dërgoj ngushëllimet më të thella për familjarët e të afërmit e viktimave në emrin tim dhe në emër të popullit shqiptar! Ju lutem, pranoni ndjenjat e mbështetjes dhe të solidaritetit të popullit shqiptar për të përballuar këtë situatë të vështirë të krijuar nga tërmeti në rajonin e Abrucos dhe veçanërisht në qytetin e Akuilas.” – theksohet në mesazhet e Presidentit Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›