E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mëngjesi i vonuar” çon në pranga dy persona të kërkuar nga drejtësia

TIRANË - Pranga dy të kërkuarve për “tentativë vrasje”. Policia e Tiranës ka organizuar ditën e djeshme një operacion të koduar “Mëngjesi i vonuar” i cili u finalizua me arrestimin e dy personave të shpallur në kërkim për “vrasje të mbetur në tentativë”. Specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, bënë të mundur arrestimin e 18-vjeçarit, Erjol Hajdari. Në ngarkim të tij, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka lëshuar urdhër ndalimin pasi akuzohet për konsumim të veprave penale të “Vrasjes me dashje e mbetur më tentativë” dhe të “Mbajtjes pa leje e armëve luftarake”. Adoleshenti dyshohet se më datë 9 tetor të vitit të kaluar në rrugën “Katund i Ri”, komuna Kashar ka tentuar të vrasë me armë zjarri Lulzim Dukën. Ndërkohë po dje policia e kryeqytetit vuri në pranga 27-vjeçarin Renat Dedaj. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë kishte lëshuar urdhër ndalimin për Dedaj pasi akuzohet për konsumim të veprave penale të ‘Vrasjes me dashje e mbetur më tentativë” në bashkëpunim. Burime nga policia thanë se 27-vjeçari dyshohet se më datë 24 dhjetor të vitit të kaluar, në Kodër Kamëz, në bashkëpunim edhe me dy bashkëmoshatar të tij, kanë goditur me armë të ftohtë thikë, dy vëllezërit Pëllumb dhe Artan Kurti.

Nuk paguan taksat, ndiqen penalisht pronarët e dy pikave karburantesh

DURRËS – Nis procedimi penal për dy biznesmen që nuk kanë paguar taksat. Policia e Durrësit bënë të ditur se ka filluar procedimin në gjendje të lirë për S.S. 53 vjeç. Më datë 19.01.2010 nisi procedimi penal ndaj tij për arsye se duke qenë administrator i një aktiviteti privat në lagjen Nr. 17 Durrës, me gjithë masat administrative të vendosura nga Drejtoria e Tatim-Taksave, ka vazhduar të mos paguajë detyrimet tatimore. Po në këtë datë, për të njëjtat arsye ka nisur dhe një tjetër procedim penal në ngarkim të B.S., 56 vjeç. Policia bënë të ditur se të dy këto aktivitete që janë pika karburanti, janë konstatuar shkelje të rregullave mbi lëndët djegëse. Materialet procedurale për veprat penale të mospagimit të taksave e tatimeve dhe shkeljes së rregullave mbi lëndët djegëse, plasëse e radioaktive iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

21 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›