E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terri argjentinas 18 vjet pa fituar asnjë titull

SHKRUAN: Jeton Selimi 18-07-2011 10:02

Oh, Argjentinë! Tetëmbëdhjetë vjet kanë kaluar nga triumfi i fundit i La Seleçion. Do të kalojnë të tjerë. Nuk mjafton të kesh në skuadër lojtarin më të mirë në botë. Nuk mjafton të kesh një sulm të tërë prej 200 milionë eurosh dhe as të luash përpara tifozerisë së shtëpisë. Argjentina është jashtë Copa America dhe ai që kaloi përpara është Uruguaji i urryer. Uruguaji që me forcën e tij, shpirtin luftarak, karakterin dhe dëshirën për të mos u dorëzuar kurrë edhe kur gjithçka duket kundër. 16 korrik 1950, në Marakana, ai Uruguaji mitik që arriti të fitojë Kupën e Botës në shtëpinë e Brazilit të pamposhtur. 16 korrik 2011, “Marakana” bëhet “Cemiteros de los Elefantes”, stadiumi i Santa Fe, duke u ripagëzuar kështu, sepse aty pesë ekipet më të mëdha të futbollit argjentinas nuk po fitonin dot thuajse asnjëherë. E tani as Seleçion. Jashtë pas penalltive, por ky nuk mund të jetë një shfajësim sepse kundër Uruguajit ka luajtur në superioritet numeric për 48 minuta, kur Perez, autor i avantazhit “charrua” në minutën e 5-të të pjesës së parë, u përjashtua me karton të kuq pas dy kartonësh të verdhë në minutën e 38-të të pjesës së parë. Skuadrat ishin në barazim, ai që vuri gjërat në barazpeshë ishte Higuain pas një topi të mrekullueshëm të Mesit. Por që Argjentina ishte me një lojtar më shumë, askush nuk e kuptoi dhe ndeshja shkoi deri në shtesë. Sigurisht, ishte ajo shtyllë e Higuain, por nga ana tjetër ishte edhe një traversë e Luganos. Muslera në disa raste u tregua i shkëlqyer, sidomos në të 89-ën, kur një goditje dënimi e gjuajtur nga Tevez u devijua dhe ish-portieri i Lacios e largoi me këmbë. I jashtëzakonshëm. Më pas, Muslera në “llotarinë” e penalltive u tregua edhe njëherë vendimtar duke pritur gjuajtjen e Tevezit edhe njëherë tjetër, çka ishte vendimtar për suksesin e formacionit “Celeste”.

Nëse gjyqtarët poshtë ringut do të kishin vendosur, do të kishte fituar Argjentina, por Seleçion nuk ka asnjë kamardare shpëtimi ku të kapet, sidomos pot ë kihet parasysh se ka fituar vetëm kundër Kosta Rikës, një skuadër simpatike me lojtarë nën 22 vjeç. Pastaj të vjen në kokë ajo pyetja tjetër prej së cilës nuk gjen shpëtim: përse Mesi është shpërthyes me Barcelonën dhe jo me kombëtaren? Goli i fundit i “Pleshtit” në një ndeshje zyrtare me kombëtaren daton më 28 mars të vitit 2009 kundër Venezuelës. Pastaj terr. As me Maradonën në timon të përfaqësueses nuk arriti të shkëlqejë. Kundër Uruguajit disa pasime të mira, ai asist për Higuanin po anjë nga ato shpërthimet, nga ato përshpejtimet që e kanë bërë lojtarin më të fortë të planetit.

Zaneti i zhgënjyer me eliminimin

Legjenda e futbollit argjentinas dhe e Interit, Havier Zaneti ka shprehur zhgënjimin e tij me eliminimin e shpejtë nga Copa America. “Ishim më të mirë se Uruguaji. Kemi luajtur 120 minuta më mirë se Uruguaji, por nuk ishim në gjendje për të shënuar gola”, theksoi Zaneti. Havier Zaneti ishte një prej lojtarëve më të mirë të Argjentinës gjatë gjithë garës, duke shfaqur formë fantastike, përkundër 38 viteve të moshës së tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›