Vilas Boas e nis me fitore dhe këmbëngul për Modriç
Trajneri portugez i londinezëve kërkon me ngulm të transferojë një mesfushor në ekip dhe asi i Totenham mbetet dëshira e tij më e madhe, por nuk mungojnë alternativat
Andre Vilas Boas ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën e tij si trajner i Çelsit, pasi portugezi ka debutuar me një fitore 1-0 në debutimin me skuadrën e tij të re. Një autogol i Ben Haim në pjesën e parë i ka dhuruar suksesin bluve të Londrës, që vazhdojnë përgatitjet në prag të sezonit të ri të Premier Ligës. Vilas Boas u transferua te Çelsi përpara pak javësh, ndërsa nga tekniku, i cili krahasohet me Zhoze Murinjon, pritet shumë nga drejtuesit e klubit. Portugezi duhet të kthejë skuadrën te suksesi në kampionatin anglez dhe në Europë, ndërsa fitorja në ndeshjen e parë kundër Portsmuth ka qenë sinjali i rëndësishëm se trajneri 34-vjeçar kërkon të shpërblejë besimin që i është dhënë. Gjithsesi, paraqitja e bluve të Londrës në këtë miqësore nuk ishte nga më të mirat kjo edhe falë vendimit të Vilas-Boas për të aktivizuar në pjesën e dytë lojtarët e tij të rëndësishëm si Xhon Terri, Frank Lampard, Didier Drogba apo Nikolas Anelka. Po ashtu, fitorja e Çelsit do të shpëtohej nga portieri Hilario që do të priste një 11-metërsh të shkaktuar nga vetë ai. Në fund i gjithë suksesi ka qenë për skuadrën londineze, e cila javën e ardhshme do të niset për në Lindjen e Largët për të vijuar përgatitjet përpara fillimit të sezonit të ri.
Ndërkohë, vetë menaxheri i Çelsit ka konfirmuar se nëse ai nuk do të mundte ta transferonte Luka Modriç nga Totenhami, atëherë do të kërkojë opsione tjera. “E dini si është situata, është publike. Ju mund ta kuptoni pozicionin e klubit. Për momentin ne jemi duke skanuar tregun për gjithçka dhe jo vetëm për dy lojtarë. Modriç luan në një prej pozicioneve që kërkojmë të forcojmë. Por, këtu kemi adaptuar Benajun në mesfushë dhe po ashtu edhe Uajkomb ishte i mrekullueshëm. Është thjeshtë në pyetje që do t’i gjejmë një zgjidhje. Nëse ndodh ndodh, nëse jo, nuk do të ndodhë”, ka thënë Vilas Boas.