E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushqimet e skaduara, fëmijët e emigrantëve mbushin spitalin



Fëmijët e emigrantëve mbushin spitalin e Vlorës. Në repartin e Pediatrisë paraqiten për vizitë rreth 100 fëmijë në ditë, me simptoma të tilla si: temperaturë, të vjella, diarre etj.

Shkak sipas mjekëve janë bërë ndryshimet e menjëhershme të temperaturave, duke shënuar kështu edhe një numër të lartë të të prekurve nga viroza të ndryshme të stinës. “Në repartin e Pediatrisë së spitalit të Vlorës vizitohen në ditë rreth 100 fëmijë të moshave të ndryshme. Gjysma e tyre shtrohen dhe marrin mjekimin e duhur, pasi paraqiten në gjendje të rëndë. Simptomat më të shpeshta janë temperatura e larta, grykët e skuqura, diarre dhe të vjella”, - u shprehën mjekë të këtij reparti.
Për mjekët infeksionistë, virozat në këtë periudhë kanë si shkak kryesor luhatjet e temperaturave. Sipas tyre, të prekurit nga viroza janë më së tepërmi fëmijët, por ka edhe mjaft të rritur. “Njerëzit kalojnë më shumë laringitin nga ftohja e kohës, si dhe nga lagështira e ftohja e menjëhershme e ajrit në këtë periudhë. Duke u ndikuar nga këto faktorë, shëndeti i shumë personave ka ardhur duke u përkeqësuar. Ata ankohen për dhimbje muskujsh dhe koke, mungesë oreksi, dhimbje fyti, kollë, të vjella, temperaturë të lartë e diare”, - pohojnë infeksionistët. Mësohet se rastet më problematike, të konstatuara gjatë këtyre ditëve në spitalin e Vlorës, kanë qenë fëmijët e emigrantëve. Ata janë mjaft të ndjeshëm, jo vetëm nga ndryshimi i ambientit, por edhe nga ushqimet që tregtohen jashtë të gjitha kushteve higjieno- sanitare nga ambulantët.
Kjo situatë, sipas mjekëve do të jetë edhe në vazhdim, deri në fund të muajit shtator. Sipas tyre, bazuar edhe nga eksperienca e viteve të mëparshme, në muajt e verës spitali ka qenë gjithnjë i mbushur me fëmijë, kryesisht të emigrantëve. “Nuk durojnë as ushqimet këtu, as ambientin, as ujin e ndotur. Nëse konsumojnë një ushqim që mund të jetë i skaduar, ata sëmuren menjëherë. Edhe vitin e kaluar kemi qëndruar kohën më të madhe në spital me fëmijët, herë të helmatisur nga ushqimet e herë të prekur nga virozat e ndryshme”, - u shpreh një emigrant i sapoardhur nga Italia. Mjekët i bëjnë apel të gjithë qytetarëve, që të jenë më të kujdesshëm gjatë kësaj stine, sidomos me ushqimet që ata konsumojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›