E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terror me armë në mes të Shkodrës

SHKODËR Të shtëna me armë në qendër të qytetit të Shkodrës. Një person rreth 40 vjeç ka tmerruar kalimtarët në lagjen “Ndoc Mazi” në bulevardin “Skënderbej”, duke shtënë me pistoletë tip TT. Siç mësohet, autori ka debatuar me një person në klubin aty pranë dhe pasi e ka kanosur me jetë, ka shtënë në drejtim të tij dhe pastaj edhe në ajër. Sipas dëshmitarëve, personi në fjalë është larguar menjëherë me vrap nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e rendit dhe të anti-krimit, ku kanë bërë të mundur identifikimin e autorit dhe po punohet në arrestimin e tij. Sipas dëshmitarëve okularë, autori ka shtënë dy herë në drejtim të lokalit ku qëndronte personi, të cilin kishte si shënjestër, pastaj ka qëlluar dhe në ajër edhe 5 herë të tjera. Banorët kanë mbetur të tmerruar, pasi edhe orari i lëvizjeve është i lartë në këtë orë të ditës. Askush nuk është plagosur dhe policia po punon në kapjen dhe vënien para drejtësisë të autorit të kësaj ngjarjeje, ndaj të cilit rëndojnë tri akuza për konsumim të veprave penale: “kanosje”, “prishje të rendit dhe qetësisë publike”, si dhe “mbajtje pa leje e armëve e municioneve luftarake”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›