Vrasja e 29-vjeçares, prokuroria kërkon zhvarrosjen
DURRËS- Prokuroria e Durrësit ka kërkuar zhvarrimin e eshtrave të Rolanda Kajës, e cila u gjet e vdekur në qershor të këtij viti. Burime konfidenciale bëjnë të ditur gjithashtu se është kërkuar ribërja e ekspertizës për të verifikuar shkakun e vdekjes së 29-vjeçares, e cila mendohet se është vrarë nga dy persona. Të akuzuarit për këtë krim janë Euxhen Muka, i cili u arrestua pak javë pas gjetjes së gruas së vdekur, si dhe Lefter Keci, i cili vijon të jetë në kërkim nga policia. Sipas burimeve nga kjo e fundit, dyshohet që vajza të jetë ekzekutuar nëpërmjet një injeksioni. Shtetasja Rolanda Kaja kishte lindur në fshatin Kryevidh të Kavajës, por prej 3 vitesh kishte marrë me qira një apartament në plazhin e Durrësit, pasi ishte larguar nga familja pas divorcit me bashkëshortin e saj, me të cilin kishte dhe dy fëmijë. Më 11 qershor, 29-vjeçarja nga Durrësi, e divorcuar me 2 fëmijë të vegjël, u gjet e vdekur në një kanal në komunën e Ishmit, 35 km në veri të qytetit bregdetar. Fillimisht u dha versioni se gruaja mund të kishte vdekur për shkaqe natyrore, por pas hetimeve të imtësishme policia arriti në konkluzionin se e reja ishte vrarë për motive të dobëta. Nga verifikimet e para të ekspertëve të mjekësisë ligjore, (menjëherë pasi u gjet kufoma) u konstatua se e reja nuk kishte shenja dhune në trup, dhe u dyshua se gruaja mund të kishte vdekur nga shkaqe natyrore. Por hetimet e mëvonshme hodhën dyshimin se vajza mund të ishte vrarë nëpërmjet një injeksioni në gjak. Kjo ka qenë edhe arsyeja që policia nuk mundi të vërejë shenja dhune në trupin e saj. Duke iu referuar të dhënave të bluve të Durrësit, dyshohet se shkak për vrasjen e Kajës ka qenë konflikti për çështje parash me të dashurin e saj, Lefter Keci.