E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terrorizmi bërthamor brengos Obamën

Presidenti amerikan Barack Obama e ka quajtur terrorizmin bërthamor si rrezikun më të madh për sigurinë kombëtare.

Në qoftë se armët bërthamore bien në duart e terroristëve të Al Kaidës, ata nuk do të ngurrojnë t'i përdorin këto armë, deklaroi Obama në prag të samitit për sigurinë bërthamore.

Në këtë konferencë, e cila filloi sot dhe do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme në Washington, janë ftuar presidentët dhe kryeministrat e 47 vendeve, ndër të cilët është edhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

Në qendër të vëmendjes në takimin dyditor do të jetë parandalimi i përhapjes së armëve bërthamore dhe sigurimi i materialeve bërthamore ushtarake dhe civile.

Lidhur me këtë qëllim, presidenti amerikan Obama deklaroi: "Fatkeqësisht kemi një situatë kur në mbarë botën po humbasin sasi të mëdha materialesh bërthamore. Prandaj objektivi qendror i këtij samiti është vendosja e bashkësisë ndërkombëtare në rrugën e reduktimit të materialit nuklear, në një kornizë të caktuar kohore dhe me një plan specifik."

Në prag të fillimit të samitit, Obama në Ëashington zhvilloi pesë takime bilaterale me burrështetas botërorë.

Ai u takua me udhëheqësit e Indisë, Pakistanit, Afrikës së Jugut, Kazakistanit dhe Nigerisë.

Me kryeministrin indian, Manmohan Singh, Obama diskutoi edhe për çështjen e Afganistanit, por kryesisht dy udhëheqësit biseduan për shqetësimet e Indisë për Pakistanin, përfshi "mungesën e vullnetit të autoriteteve pakistaneze për të dënuar përgjegjësit e sulmit të Mumbait".

Me kryeministrin pakistanez, Yusuf Raza Gilani, biseda preku përgjegjësitë e Pakistanit si një vend bërthamor. Ndërsa presidenti i Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, bisedoi me presidentin Obama edhe për problemet në Kirgizi.

Gjatë ditës së djeshme, Obama ishte paraparë të zhvilloi një takim bilateral edhe me presidentin e Kinës, Hu Jintao.

Samiti për siguri bërthamore në Washington vjen në kohën kur SHBA-ja ka shtuar trysninë ndaj Teheranit. Sipas agjencisë kineze të lajmeve Xinhua, pritet që Hu do të mbajë një fjalim gjatë samitit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›