Terrorizmi, pasuritë e sekuestruara do jepen me qira
• Qeveria do të japë me qira pasuritë e sekuestruara të personave që janë shpallur si financues të terrorizmit. Sipas vendimit të qeverisë, administrimi i pasurive të paluajtshme të sekuestruara që kanë për pronarë personat e shpallur si financues të terrorizmit do të bëhet nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Në vendim është përcaktuar se këto pasuri mund t'u jepen për përdorim institucioneve shtetërore. Por kjo do të kryhet vetëm me urdhër të Ministrisë së Financave. Gjithashtu mund t’iu jepen edhe subjekteve private, por pasi të jetë lidhur një kontratë qiraje, e cila nënshkruhet nga qiramarrësi dhe kryeadministratori i agjencisë. Vlera e kontratës së qirasë përcaktohet sipas ofertës së tregut, ndërsa mënyra dhe procedurat për dhënien me qira të pasurive të paluajtshme që janë të sekuestruara do të përcaktohen nga ministri i Financave. Të ardhurat e krijuara nga administrimi i këtyre pasurive do të derdhen në një llogari likuiduese, e cila hapet vetëm me autorizim të ministrit të Financave në njërën prej bankave të nivelit të dytë. Ndërkaq kur të ardhurat e krijuara nga administrimi i pasurive të paluajtshme të sekuestruara nuk mjaftojnë për përballimin e shpenzimeve të kryera për administrimin e tyre, diferenca mbulohet nga buxheti i shtetit. Vendimi parashikon gjithashtu se për pasuritë e paluajtshme që janë në bashkëpronësi dhe për shkaqe objektive administrimi i tyre është i pamundur, atëherë administratori kërkon pjesëtimin e sendit në rrugë gjyqësore.