Vdesin 2 vëllezërit e djegur,ambulanca mbetet në baltë
• Dy fëmijë ndodheshin në çastet e fundit të jetës mbrëmjen e së dielës kur ambulanca që po i transportonte mbeti në baltë.Dashamir Biçaku Automjeti mjekësor fillimisht nuk kishte rrugë të përshtatshme për të mbërritur deri te banesa e viktimave të djegur nga zjarri. Trupat e dy fëmijëve, ende të gjallë, u transportuan nga policia deri tek ambulanca, por rruga me baltë është bërë shkak që ambulanca të ngecte duke vonuar kështu transportimin e të plagosurve rëndë për në spital. Një vonesë, e cila ndoshta u kushtoi jetën dy fëmijëve të mitur që u dogjën nga zjarri i rënë në shtëpinë e tyre mbrëmjen e së dielës në Kodër-Sharrë, periferi e Tiranës. Transportimi i dy fëmijëve të dëmtuar rëndë nga zjarri ka qenë problemi më i ndërlikuar me të cilin u përball policia pasi mbërriti në vendin e ngjarjes. Uniformat blu shkuan te banesa që po digjej rreth orës 22:00, pasi morën njoftimin për rënie zjarri në lagjen Xhepaj, ose siç njihet ndryshe Vrapaj në kodër të fshatit Sharrë. Të njëjtën rrugë me policinë ka kryer edhe autoambulanca e urgjencës, për të ndërhyrë në shpëtimin e fëmijëve. Edhe makinat e policisë, edhe ambulanca, kanë mbetur rrëzë kodrës së Sharrës, për shkak se rruga automobilistike nuk mund të vazhdonte më tej. Ajo pjesë e rrugës që ishte përdorur më parë nga automjetet ishte kthyer thuajse në një përrua, duke e bërë të pamundur hyrjen e makinave deri në afërsi të banesës së familjes Xhepa. Forcat e policisë kanë mbërritur në këmbë në vendin e ngjarjes bashkë me një grup të ndihmës së shpejtë. Në një terren të thyer e të rrëshqitshëm për shkak të vesës së mbrëmjes, forcat e policisë kanë mbërritur në majë të kodrës së Sharrës, në banesën ku jetonin dy vëllezërit e mitur, Klezart dhe Renato Xhepa, bashkë me nënën e tyre, Pranvera dhe një vëlla më të vogël se ata. Nëna e dy viktimave të zjarrit mbrëmjen e së dielës kishte shkuar tek vëllai i saj duke lënë vetëm në shtëpi dy vëllezërit që vdiqën nga djegia. Pasi janë nxjerrë nga banesa që kishte filluar të shembej mes gjuhëve të flakëve, fëmijët janë transportuar prej efektivëve të policisë në një distancë prej më tepër se 1 mijë metrash rrugë këmbësore. Viktimat janë mbështjellë në dy batanije, pasi transportimi në rrugë këmbësore zgjati 15 minuta. Kaq kohë është dashur për transportimin e të miturve nga shtëpia e tyre në flakë deri tek zona ku kishin ndaluar ndihma mjekësore dhe ambulancat e urgjencës. Menjëherë fëmijët janë vendosur në dy autoambulanca për t’i transportuar në spital. Por njëra nga ambulancat ka mbetur në rrugë dhe gomat e saj kanë nisur të xhirojnë në baltë. Kjo situatë ka vazhduar për disa minuta deri sa shefi i Komisariatit nr.6, ka vënë në dispozicion fuoristradën e tij, për të nxjerrë ambulancën nga balta duke e tërhequr me kavo. Për një distancë prej rreth 200 metrash mjeti i ndihmës së shpejtë është rimorkiuar nga “Mitsubishi” i policisë, deri sa ka dalë në një terren të përshtatshëm. E gjitha kjo ka vonuar më shumë se një orë mbërritjen e dy fëmijëve të djegur në spital. Banorët e zonës shprehen se rreth një vit më parë një fond prej rreth 9 milionë lekësh të reja është dhënë për ndërtimin e rrugës së munguar. Ata pohuan se janë hedhur vetëm disa makina zhavorr në fillim të rrugës në fshat dhe më pas punimet kanë përfunduar pas asnjë investim shtesë. “Kjo rrugë është ndërtuar para katër vitesh dhe që nga koha e inaugurimit të saj nuk ka funksionuar asnjëherë”, tregon një banore e zonës, e cila pohon se për një mjekim të thjeshtë banorët e zonës janë të detyruar të shkojnë në Kombinat.Rruga që nuk i ndihmoi viktimat e zjarritTIRANE - Rruga për në kodrën e fshatit Sharrë, që vetë banorët e saj e quajnë lagjja Xhepaj, ose Vrapaj, duket sikur nuk do të mbarojë. Kjo përshtypje të krijohet kur ecën aty, ndonëse kur e sheh kodrën që poshtë ajo duket sikur nuk është larg. Është po ajo rrugë që këta banorë e bëjnë thuajse çdo ditë, në atë zonë ku ata kanë ndërtuar jetën e tyre. Çdo ditë ata duhet të bëjnë më këmbë një rrugë me më tepër se tre-katër kilometra në këmbë për të mbërritur deri pranë rrugës së asfaltuar kombëtare, për të marrë që andej në rastin më të mirë autobusin e linjës Uzina Dinamo-Qendër-Sharrë. Më i fituari duhet të jetë ndonjë fshatar i zonës, që me të ardhurat e tij, ka mundur të blejë një automjet. Që prej rrugës nacionale, aksi deri pas varrezave të kryeqytetit, rruga nuk mban më tepër se tri minuta me makinë. Me këmbë ca minuta më tepër. Tmerri, për njerëzit që janë mësuar të ecin në rrugë të shtruara, nuk ka nisur ende. Kështu do të qe edhe për ndonjë zyrtar lokal apo qendror nëse do të kalonte kësaj rruge në këmbë. Për rreth 10 minuta makina ka lënë pas “qytetin” e të vdekurve dhe ndodhet përballë një ndërtese jeshile. Është shkolla e fshatit Sharrë. Ngjitur me të na thonë se është qendra shëndetësore. Kështu së paku ka emrin, pasi brenda saj nuk gjejmë asnjë punonjës. Porta rrethuese është e mbyllur me hekur dhe një kyç i verdhë mban të shtrënguar derën e drunjtë të ndërtesës. “Kisha djalin sëmurë dhe shkova i bëra gjilpërat në Kombinat”, tregon një grua rreth 40 vjeçe, që banon pak metra larg ambulancës së fshatit. Më tepër se rrugë, ajo është një përrua. Pasi ecën më tepër se 10 minuta në një rrugë të tillë, shoferi dorëzohet. “Unë nuk eci më tej me këtë makinë”, thotë ai. Rruga në këmbë s’është e lehtë. Pas 20 minutash udhëtim në një rrugëtim të panjohur jemi në majë të kodrës. Aty është shtëpia e familjes së dy fëmijëve të vdekur. Ky rrugëtim të mos kish qenë kaq i gjatë, ndoshta do të kishte qenë një shpresë më tepër për këta fëmijë që flakët u morën jetën. Kur ishin ende gjallë i puthnin duart plakut e s’pushonin se falënderuari: Faleminderit gjysh, na shpëtove jetën”.