E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terrorizohen me armë e maska dy të moshuar

GRABITJA/ Dritan Muçaj e Gentjan Luza u vunë në pranga nga policia pas tentativës për vjedhje


VLORË - Terrorizojnë me armë e maska një çift të moshuarish, ndërkohë që vetëm një ditë pas kësaj vihen në pranga nga policia e Vlorës.


Dritan Muçaj, 26 vjç, dhe Gentjan Luzaj, 35 vjç, u arrestuan në flagrancë orët e para të mëngjesit të djeshëm.


Ngjarja ndodhi në fshatin Nartë, në orët e mbrëmjes së të hënës. Personat ishin të maskuar dhe kishin me vete një armë gjahu, nën kërcënimin e së cilës i kërkuan çiftit Papa të gjitha lekët që kishin në banesë.


Të dy të rinjtë mësohet se kanë hyrë pa zhurmë në katin e dytë të godinës ku rrinin bashkëshortët, për t'i vjedhur ata.


Me të vënë re praninë e të huajve, bashkëshortët Papa kanë reaguar duke u përleshur me njerëzit e maskuar. Për pasojë janë lënduar lehtë dy bashkëshortët, si dhe 35-vjçari Luzaj që kishte shkuar për të vjedhur.


Duke parë rezistencën, por edhe zhurmën që është bërë në banesën e çiftit të moshuar, të dy grabitësit janë larguar me automjetin e tyre tip "Rover", me ngjyrë blu, me targa VL 1906 A. Pas largimit të autorëve nga banesa, bashkëshortët kanë njoftuar policinë.

Mjeti është kapur nga policia në afërsi të portit të Vlorës dhe brenda tij janë gjetur e sekuestruar më pas në cilësinë e provës materiale një armë gjahu teke e markës ruse, tip Baikal, e kalibrit 12 mm, dy çorape me ngjyrë të zezë në formën e maskave, një thikë, tre fishekë armë gjahu, si dhe automjeti Rover në pronësi të 35-vjçarit Luzaj.


Mbi dy shtetasit rëndon akuza e "vjedhjes me dhunë" në bashkëpunim, si dhe mbajtjes pa leje të armëve të gjahut. Mësohet se çifti ka në administrim një restorant në katin e parë të godinës dhe në katin e dytë banojnë. Burri njihet nga banorët e Nartës, si dhe të Vlorës, si Barba Nasho.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›