E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i automjeteve, pranga kreut

ARRESTIMI/ Ardian Beqiri është arrestuar nga policia e Tiranës për t'u transferuar më pas në Tropojë


Hetimi për 30-vjçarin ka zgjatur 3 vjet, por vetëm pak ditë më parë është bërë e mundur gjetja e provave


TROPOJË - Ardian Beqiri dyshohet të jetë shefi i trafikut të mjeteve motorike nga Kosova në Shqipëri dhe nga Mali i Zi në Shqipëri. 30-vjçari nga Tropoja, banues në rrugën "Him Kolli" në Tiranë, u arrestua nga policia e kryeqytetit, pasi ishte shpallur në kërkim nga policia e Tropojës. Burime të uniformave blu bëjnë të ditur se arrestimi i Ardian Beqirit është bërë pas një pune hetuese trevjçare.

-------------------------------------------------------------------------------

Kanë qenë dy automjete luksoze BMV-X5 dhe "Audi Q7", prodhim i vitit 2007 të bllokuara pak ditë më parë në Tropojë ato që çuan në arrestimin e Ardian Beqirit.

Automjetet luksoze kanë kaluar në Qafë-Morinë të Tropojës me dokumente të falsifikuara dhe janë bllokuar nga policia e Tropojës nën dyshimin se ato janë të vjedhura në Kosovë apo Mal të Zi. Bllokimi i dy automjeteve dhe ndalimi i drejtuesve të tyre kanë nxjerrë të zbuluar kreun e këtij trafiku që, sipas policisë, është Ardian Beqiri.

"Gjatë hetimeve ka rezultuar se Ardian Beqiri merrej me trafik të automjeteve, kryesisht luksoze, nga Kosova e Mali i Zi përmes Qafë-Morinës e Hanit të Hotit për në Shqipëri. Gjatë këtyre tre vjetëve ai dyshohet të ketë qenë tepër aktiv, sidomos me trafikimin e automjeteve nga Mali i Zi përmes Hanit të Hotit, ku ka trafikuar dhjetëra automjete të vjedhura në Kosovë apo Mal të Zi", thotë për "Shekulli"-n shefi i komisariatit të Tropojës, Hasan Hasanaj.


-------------------------------------------------------------------------


Specialistë të sektorit të Luftës Kundër Trafiqeve në këtë drejtori kanë bërë të ditur për gazetën, skemat e trafikut të automjeteve luksoze. Sipas tyre, shtetas të ndryshëm nga Shqipëria e Kosova, por edhe nga vendet e tjera të Ballkanit merren me trafikun e automjeteve të vjedhura në vendet perëndimore kryesisht në Itali, Gjermani, Zvicër, Slloveni etj.

Këta shtetas i blejnë automjetet luksoze në vendet perëndimore dhe më pas i sigurojnë ato ndaj vjedhjeve, ku shpërblimi nga kompanitë e sigurimeve për të tilla raste është 100%. Sapo automjeti të futet në territorin e Shqipërisë apo Kosovës, pronarët e automjeteve krijojnë alibinë e vjedhjes së automjetit duke njoftuar autoritetet përkatëse të vendit ku është blerë automjeti, ndërkohë që "de facto" automjetin e shesin në Shqipëri apo Kosovë në një vlerë më të vogël se çmimi real.

Sipas zyrtarëve të antitrafikut, automjeti i vjedhur nga vendet perëndimore për në territorin e Shqipërisë apo Kosovës kalon me një akt përdorimi. Një tjetër variant, sipas policisë, është edhe ai i vjedhjes së automjetit në Kosovë, por që ka kaluar në Shqipëri me dokumente të falsifikuara.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›