E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operohen në Greqi dy oficerët e antidrogës


Edmond Hala dhe Arbër Zemani, rrezikonin seriozisht po të mos dërgoheshin për mjekim të specializuar

Operohen në Athinë për një ndërhyrje mjekësore më te specializuar, dy oficerët e antidrogës të aksidentuar gjatë një aksioni një javë më parë në aksin rrugor Tiranë- Elbasan. Shefi i seksionit të Antidrogës së Tiranës, Komisar Edmond Hala, oficeri Arbër Zemani, janë operuar në një nga spitalet e Athinës, për shkak të problemeve të tyre shëndetësore që po kalonin pas plagëve të rënda të marra në aksident.

Lajmi është bërë i ditur për "Shekullin", nga burime të drejtorisë së Policisë së Tiranës të cilët pohuan se të dy oficerët iu janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikle të një grupi ortopedësh dhe mjekësh të specializuar në një nga spitalet e kryeqytetit grek Athinë.


Operacionet mësohet se kanë rezultuar të suksesshme për dy oficerët e dëmtuar, për të cilët ndërhyrja në spitalin ushtarak në Tiranë ishte e parealizueshme.


Gjendja shëndetësore e dy oficerëve Hala dhe Zemani, ishte më e rëndë ndryshe nga tre punonjësit e tjerë të policisë të aksidentuar javën e kaluar kur mjeti i tyre u përplas me atë të shefit të policisë rrugore të Elbasanit, Koço Simaku. Dërgimi i tyre për mjekim më të specializuar në Greqi, mësohet se është kryer me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të kreut i Policisë së Shtetit, i cili kërkoi dërgimin e tyre në Greqi.

Për këtë u angazhua Ministria e Brendshme duke shfyrtëzur një marrëveshje me autoritetet greke. Madje kryepolici Ahmet Prençi, mësohet se është angazhuar edhe për gjetjen e një avioni sanitar me qëllim transportimin e dy oficerëve drejt spitalit grek. Edmond Hala, Arbër Zemani, Bledar Rreshka dhe Sokol Myrto, katër oficerët e antidrogës së policisë së Tiranës, po udhëtonin me një automjet privat për punë shtetërore, ndërsa u përplasën me një automjet.

Kur kishin kaluar fshatin Gracen në Qafë Krrabë në aksin rrugor Tiranë- Elbasan, automjeti ku udhëtonin oficerët e antidrogës, u përplas me një automjet i cili drejtohej nga shefi i qarkullimit të komisariatit rrugor të Elbasanit, Koço Simaku.

Për pasojë, të pesë punonjësit e policisë mbetën të plagosur dhe fillimisht u transportuan në spitalin e Elbasanit dhe më pas u dërguan në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Por komplikacionet e shëndetit të dy prej të aksidentuarve po shtoheshin gjë e cila detyroi mjekët e Spitalit Ushtarak të jepnin alarmin duke kërkuar transportimin e tyre në një spital më të specializuar në Athinë të Greqisë gjë për të cilën u angazhuan krerët e dikasterit blu. Kështu dy të aksidentuarit aktualisht ndodhen në kujdesin e mjekëve në spitalin e Athinës
---------------------------------------------------------------------


Masa

Gjykata lë në burg maskat e "Feniks"
Mbeten në burg pa afat shtatë "maskat", e arrestuar tre ditë më parë nga policia e kryeqytetit. Shtatë personat e akuzuar për një sërë grabitjesh me armë, janë njohur ditën e djeshme me masën e sigurisë ku Gjykata e Tiranës vendosi "burg pa afat" për ta.


Mësohet se prokuroria ka paraqitur prova të mjaftueshme për të bindur trupin gjykues të lërë në burg shtatë të pandehurit. Adnand Dauti 22-vjç, Pajtim Cahani, 24-vjç, Ermal Dida 24-vjç, Ismail Gjana, 24-vjç, Behar Rexha, 18-vjç, Besmir Toçilla, 23-vjç dhe Gazmir Shehu, 23-vjç, janë shtatë personat të cilët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer një sërë vjedhjesh me armë në kohë dhe vende të ndryshme në Tiranë e Durrës.

"Janë të paktën 10 vjedhje me armë të cilat kanë për autorë të arrestuarit ndërsa dyshohet se edhe 20 vjedhje të tjera mbajnë firmën e tyre, por një gjë e tillë është në verifikim e sipër",- thanë për "Shekullin" burime nga policia.

Shtatë të arrestuarit dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgjatë periudhave kohore tetor- nëntor - Dhjetor të vitit 2008 dhe në fillim të këtij viti, dyshohet se kanë kryer një sërë veprash të rënda penale si "Vjedhje me dhunë", "Vjedhje me armë", "Vjedhje të pasurisë së tjetrit", "Shkatërrim prone me eksploziv", "Armëmbajtje pa leje".

s

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›