E Shtunë, 31 Tetor 2026

Damir Fazlliç, ashtu si e kam njohur

Nga Mero Baze

Unë e njoh personalisht Damir Fazlliç. Shpresoj ta kem takuar në të njëjtën ditë për herë të parë me Sali Berishën, nëse ky i fundit nuk është shtirur në atë takim të parë në Uashington, në janar të vitit 2005. Kompania amerikane BG&R e kishte atë të kontraktuar si specialist për Ballkanin dhe ai do të bënte pjesë në ekipin që do të ndihmonte fushatën elektorale të PD në vitin 2005. Pasi u lidh kontrata dhe u vendos që BG&R do të ishte krah PD, Fazlliç kërkoi që të kishte një person kontakti në Tiranë. KOP sa ishte formuar, kishte gjithsej dy javë. Lulëzim Basha ishte një emër që e njihnin shumë pak. Ndërsa unë e kisha në majë të gjuhës emrin e tij për t’ia dhënë si person kontakti, Fazlliç e shqiptoi gati njësoj me mua.

- Ai më duhet, - tha.

U çudita nga njiheshin, por nuk më bëri ndonjë përshtypje të keqe. Si dy ballkanas që kishin emigruar të dy në Evropë dhe në Ballkan, nuk ishte çudi njohja e tyre. Por BG&R u largua që në korrik. Damir Fazlliç, përkundrazi shtoi miqësinë me Lulëzim Bashën dhe kunatin e tij, i cili nuk di pse rrinte gjithmonë dy hapa pas tyre ose hapte derën e makinës. Në shtator të vitit 2005, në javën e dytë të pushtetit të PD, ata ishin shumë të qartë në planin e tyre. Do bënin pará. Damir Fazlliç hap tri firma brenda dy ditëve, në të cilat ka gjithmonë administrator kunatin e Lulëzim Bashës, Erionin. Të tria i ka shitur më vonë. Një në Qipro dhe dy pjesërisht te një ish-lojtar i Partizanit të Beogradit. Nuk ka shumë rëndësi transferimi i parave dhe shkeljet fiskale. Më e rënda në gjithë këtë histori është fakti që pushteti lëviz nga Lulëzim Basha tek Argita dhe Damiri. Avokatet e rekomanduara prej saj, si Kola apo Qeleshi, janë përpilueset e letrave të kompanisë, noterja Pustina, e cila punon tashmë me Shkëlzenin, është noterja e kompanisë, Breçani, mbesa e Berishës, është ekspertja kontabël e kompanisë, Enkelejda Isufi, kushërira e kunatit të Lul Bashës, është përkthyesja e dokumenteve...kështu, në një zinxhir pa fund lidhjesh të mbyllura brenda një sekti që lëviz nga Basha, tek Argita dhe Fazlliç, vërtitet gjithë historia e kupolës së pushtetit të Sali Berishës.

Në fund të vitit 2005, më ndodhi një incident personal me të. Qeveria e Kosovës po përpiqej të kontraktonte BG&R për lobim rreth çështjes së pavarësisë. Bëhej fjalë për një shumë 1,5 milionë dollarë. Ibrahim Rugova, i cili ishte në ditët e fundit të jetës së tij, nuk arriti dot të bindte UNMIK për pagesën zyrtare, ndërsa nuk pranonte që pagesa të bëhej nën dorë, siç propozonte Fazlliç. Palët u ndanë dhe brenda BG&R. Për të marrë situatën nën kontroll, Fazlliç shkon në Beograd dhe nënshkruan një marrëveshje joformale me zëvendëskryeministrin serb, ku thuhej se BG&R do të bëjë lobim për qeverinë e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës. Çmimi ishte dyfish dhe kushtet më të lehta. Pala tjetër brenda BG&R më nisi kopjen e spekulimit të Fazlliçit dhe më shpjegoi se kjo nuk ishte e vërtetë, por Fazlliç ishte duke bërë presion mbi qeverinë e Kosovës, se, nëse nuk firmosnin paratë, ai do lidhej me serbët.

Ishte e rëndë për Berishën, se ishte njeri popullor në Kosovë. Nipi i Stanisiç po bënte presion ndaj qeverisë së Rugovës, ku kishte hyrë me kartëvizitën e Berishës. Ja nisa me e-mail Berishës kontratën tip të Damirit me zëvendëskryeministrin serb. Nuk pata asnjë përgjigje. Nuk e kishte hapur fare për tri ditë. Kur befas kontrata u botua në “Gazeta Shqiptare”. U trondita thellë, pasi i vetmi person që e kishte në e-mail isha unë dhe Sali Berisha. Pyeta sekretaren e tij se kush e hapte e-mail-in profsberisha@albaniaonline.net. Më tha që vetëm ajo dhe ndonjë këshilltar i marrëdhënieve publike. Më përmendi Sejaminin si më të mundshmin. Nuk pyeta më.

Atë ditë në mbrëmje isha në debat në TV “Klan” me Edi Ramën. S’kisha qenë kurrë në debat me të dhe kisha frikë se do bëhesha nervoz.

Debati nisi në mënyrën më të paparashikuar për mua. Edi Rama po ashtu kishte në dorë marrëveshjen e BG&R me Serbinë, dhe e nisi debatin me të. E ndërpreva pa takt dhe nisa të shpjegoj që është një mashtrim. Berisha vetë ishte hutuar nga shpjegimi im dhe pas debatit më tha se “ku i dija të gjitha ato”. I thashë se ia kam nisur me e-mail, por ka përfunduar te “Gazeta Shqiptare”. Nuk më dha kurrë një shpjegim për këtë, edhe pse e kuptoja sikletin e tij.

Dy ditë më pas i shkova në zyrë dhe i çova atë që mund të quhej dosja “Fazlliç”. Ishin një tufë shkrimesh në shtypin boshnjak dhe serb që e akuzonin për mashtrime financiare, lidhje me Legijan që ka vrarë Xhinxhiçin, por ndonjë mendjelehtë e akuzonte dhe për spiun britanik.

U kap te kjo e fundit.

- Janë mendje të mbyllura, - tha. - Nuk e shikon që i thonë spiun britanik?!

- Jo të gjithë, - i thashë. - Vetëm një. Të tjerët i thonë hajdut dhe vrasës.

- Mos i merr seriozisht, - tha.

E kisha harruar Damir Fazlliçin, dhe pse më shfaqej shpesh në bulevard, dy hapa para kunatit të Lulëzim Bashës, i cili ndërronte vazhdimisht makina me mbi 100 mijë euro. Një ditë, në vitin 2006, aty nga fillimi, m’u shfaq përballë dhe më tregoi se kishte sjellë Tom Ridge si këshilltar të Berishës.

- Do t’i bije dhe Klintonin, - tha, - nga fillimi i janarit 2007.

- Shumë mirë, - i thashë dhe u ndava me të.

Ndërkohë që po punoja për të hetuar një dosje korrupsioni të tmerrshme në Telekom, konstatova se miliona euro transferoheshin te një kompani private interneti, pronari i së cilës kishte sjellë drejtorin e Telekomit nga emigrant prej SHBA, në Tiranë. Drejtori, Ilirian Kuko, nga ana e vet ishte një person në kërkim në shtetin shqiptar, pasi kishte ikur pa paguar 250 mijë dollarë që ia kishte marrë një banke. I revoltuar shkoj te kryeministri i vendit dhe i tregoj se drejtori i Telekomit nuk mund të tolerohej më. I tregova për vjedhjet.

- E di, - tha, - por kam frikë se ka bërë gabim auditi im. Duhet korrigjuar ai raport, se nuk është korrekt.

Pastaj m’u desh t’i tregoj se drejtori i Telekomit ishte një hajdut që ishte në kërkim dhe duhej arrestuar.

- Mos boto gjë, se po e kapa, do ta fus në burg.

I zënë ngushtë, mori telefonin dhe filloi të flasë anglisht. Po fliste me Damirin. Po i kërkonte atij t’i binte ato letrat që i kishte premtuar për Telekomin. Pas kësaj biseda u mbyll dhe nuk mora vesh gjë se si do ta hetonte. Damirin në të vërtetë fillova ta shikoj më shpesh me Shkëlzenin. Ky i fundit ishte bërë njëfarë drejtori Juridik në “Eagle Mobile”, kompania e fjetur celulare e Telekomit në atë kohë. Nuk e di çfarë ndodhi, por sulmet ndaj privatizimit të Telekomit u stopuan dhe pas disa muajsh u lidh marrëveshja. Drejtori që unë kisha merak, as u kritikua, as u shkarkua, as u ndëshkua. Iku i lirë, duke larë borxhet dhe duke fituar miliona të tjera.

Më pas, në verën e vitit 2006, një ish-mik i Fazlliçit, pjesëtar i BG&R, Hank Jones, vjen në Tiranë me një biznesmen grek. Kërkonte njëfarë studimi mbi hidrocentralet mbi Vjosë. Më kërkoi disa takime me kryeministrin dhe ministrin e Energjitikës. Berisha i priti shumë mirë dhe i çoi te Bojaxhiu. Ky po ashtu i priti mirë dhe vendosën të flisnin konkretisht, kur ata të nisnin studimin.

Disa ditë më vonë më rastis një takim me Lulëzim Bashën dhe ai po turfullonte ndaj një njeriu të rrezikshëm. Quhej Hank Jones.

- Ai ka ardhur fshehurazi në Shqipëri, - tha, - dhe dikush e ka çuar te Berisha

- Unë e kam çuar, - i thashë. - Me sa mbaj mend, ishte mik i Damirit.

- Jo, të ka mashtruar, - tha. - Nuk është mik i Damirit. Ai do të bëjë biznes këtu, po sa të jem unë gjallë, nuk e lë.

Kishte një hakërrim që nuk do ta besoje, po të mos e shikoje. Ai, njeriu që qesh dhe që është gjithmonë buzagaz, papritur ishte bërë bishë. Dikush i kishte hyrë në bahçe.

U çudita nga agresiviteti. Në të vërtetë, nuk ishte ashtu fare. Unë ia kisha rregulluar gjithë takimet, por ai vetë ishte një ndërmjetës për biznesmenin grek, një nip i ish-presidentit Stefanopulos.

Si përfundim, projekti i tij u bllokua. Asnjë hap nuk u bë për të bërë studimin mbi Vjosë. Asnjë leje nuk u dha prej ministrisë. Më vonë, mësova se një kompani austriake, pas së cilës qëndronte “konsulenca” e studios “Malltezi” dhe Damiri, po bënte një studim “të plotë” mbi Vjosën. Lulëzim Basha dukej po ashtu më i qetë.

M’u dha rasti ta ritakoja një javë më pas. I shkova në zyrë me Mitro Çelën dhe Filip Çakullin. Llazar Angjeli, një kushëri i afërt i Filip Çakullit dhe pak më i largët me Anastas Angjelin, kishte një problem serioz. Po i prishnin një pikë karburanti në autostradë në dalje të rrugës për në Rinas. Ai thoshte se e kishte gjithçka me leje.

Shkuam të tre bashkë te Lulëzim Basha. I shpjeguam problemin shkurt, me humorin e Filipit dhe brutalitetin tim. I thashë se Angjeli mendon se ti po ia prish politikisht. Nëse e ke politikisht, mos e bëj, se ti nuk ke qenë në Shqipëri, dhe nuk e di kush është ai biznesmen. I tregova se Sali Berisha në vitin 2004 kishte premtuar publikisht se nuk do ta prekte biznesin, pasi, siç kishte thënë ai, “nuk kemi punë me Llazi Angjelin, por me Anastas Angjelin”.

Basha u duk i prerë. “E ke gabim, - tha. - Nuk kam asgjë politikisht, por teknikisht. Dhe një thes me pambuk sikur të vësh atje, duhet hequr e jo më karburanti. Është jashtë kondicioneve teknike”.

Na e mbushi mendjen të treve që duhej prishur. Mua më mbajti më vete nga pas, si për t’u treguar dhe më konfident dhe po ashtu ma rimbushi mendjen që duhej prishur. Ia thamë me dhimbje Llazit. Një muaj më pas isha në Sarandë me Filipin, kur kamerieri na dërgoi nga një uiski falas.

- E keni nga Llazi, - tha.

Përshëndetëm Llazin me zemër të thyer, se s’i kishim mbaruar punë. Por ai dukej i qeshur.

- Unë budallai desha të merrem me ju, - tha. - Ju jeni për të prishur punë. Unë ju nisa ju, ngaqë ka dalë fjala që këta të doktorit nuk marrin lekë. Ku e dija unë që këta merrnin, por jo nga ju.

Ngelëm pak si të hutuar, derisa Llazi na tregoi se e kishte zgjidhur punën me lekë. Dhe karburanti në fakt, edhe pse nuk është një thes pambuku, siç tha Basha, është në vendin e duhur. Kunati i Lulëzim Bashës dukej po ashtu më i krekosur rrugëve. Dhe me makinë të re po ashtu.

Ideja se Lulëzim Basha ishte një hajdut m’u bë fikse. Rasti ishte shumë ilustrues. Damir Fazlliç ishte aty, nëse i duhej për ndonjë pazar të madh. Rruga Durrës-Kukës ishte në proces tenderimi dhe ai po e ruante rastin e ri. Kunati i tij ndërkohë ishte kthyer në zëvendësministër që jepte tenderat e rrugëve. Klasifikonte kush ishte e mirë dhe kush e keqe, sipas afinitetit që krijonin me të. Fazlliç po merrej me firmën konsulente, ndërsa kunati me nënkontraktorët shqiptarë. Nga pala shqiptare u gjet firma “Riviera”, një kompani thuajse jashtë çdo standardi për ndërtim rrugësh, ndërkohë që dhjetëra kompani serioze ishin në garë. Konsulenti ndërkombëtar “Ecorys Netherland BV”, u gjend nga Holanda, andej nga vinte Basha dhe kunati i tij. U bë një lëmsh i vërtetë, pasi vendimi i parë që mban datën 10.07.2006 (korrik) ka caktuar si konsulente “Ecorys Group”, në një kohë kur në datën 14.06.2006 (qershor) me VKM 481, përmendet kjo shoqëri, e cila ka bërë propozimet për kriteret e klasifikimit të tenderit ndërkombëtar për rrugën Rrëshen-Kalimash (pra, një muaj para caktimit me VKM, konsulenti “Ecorys Group” është përmendur në VKM nr. 481).

Ky skandal mund të mos tregojë thelbin e korrupsionit në atë rrugë, por thelbin e arrogancës dhe vendimeve të parapërgatitura nga dyshja Basha - Fazlliç.

Ndërkohë që zgjedhjet lokale po trokisnin, Lulëzim Basha ishte përgatitur të ishte kandidati i PD për Bashkinë e Tiranës. Së paku, Berisha kishte lënë të kuptohej kjo publikisht. Me këtë madje kishte justifikuar dhe prishjen e “Zogut të Zi”. Kjo e fundit ishte një kombinim perfekt i një interesi thjesht personal të njeriut më të afërt të djalit të kryeministrit, Shkëlzenit, me shëmtinë që kishte ai mbikalim.

Kur e mësova arsyen reale pse po prishej, pata një trishtim, por, kur mendoja që duhej prishur si i shëmtuar, ndjehesha më mirë. Por s’mund të rrija pa ia thënë publikisht.

Në debatin që kishim po në “Opinion” me Sali Berishën, e pyeta:

- A mund ta na e shpjegosh thjesht, si të lindi ideja për ta prishur “Zogun e Zi”? T’u fiksua vetë, apo ta sugjeroi dikush që është diçka e shëmtuar?

Pyetja ishte fare e thjeshtë. Ai u turbullua pak dhe sajoi diçka.

- S’e mbaj mend mirë, - tha, - më erdhi një letër në zyrë, më thoshte që ky është një turp ...

Ishte krejt i paqartë.

Të nesërmen ndodhi diçka që më bëri të mendohem. Fahri Balliu, miku im i gazetës “55”, më tha i shqetësuar se ajo pyetja ime ishte më e poshtra.

- Pse? - i thashë. - Ajo ishte pyetje e thjeshtë, informative.

- Po, po, - tha. - Po ndaj ishte e poshtër.

Nuk ia vura shumë veshin. Por në mbrëmje, një miku im i vjetër i fakultetit më thirri i shqetësuar në telefon.

- Duhet të të takoj patjetër, - tha. - Kam një muhabet për ty.

Muhabeti m’u duk shumë idiot. Ai paskësh qenë në një klub me emrin “Fiesta” me tri shokë të Shkëlzenit që nuk e dinin se ky ishte miku im dhe kishte dëgjuar me veshët e tij se “Mero Baze po fut hundët në punët tona, po do t’ia tregojmë vendin atij dhe njerëzve të tij rrotull Berishës”.

M’u duk bisedë shumë paranojake. E pyeta kush ishin të tjerët. Më tha emrin e Rafit dhe një bodyguard-i të Shkëlzenit që paskësh pallatin te “Zogu i Zi”. Por ata s’kishin folur. Kërcënuesi qenkësh një kalama i vogël që ky s’ia dinte emrin, se i thërrisnin “Qukap“.

Më erdhi për të qeshur, dhe e falënderova. Mos u bë merak i thashë, janë muhabete rrugësh.

Në fakt, ky episod m’u kujtua ndërkohë që po zgjidhej kandidatura e PD për zgjedhjet në Tiranë. Për shkak të heroizimit që i ishte bërë prishjes së “Zogut të Zi” prej Bashës, mendonim se ai do ishte kalorësi përballë Ramës. Bisedat filluan të ndërrojnë dhe Fazlliç ishte përditë e më shumë në zyrën e Berishës. Dalja e Bashës në zgjedhje e eliminonte atë nga skena. Humbja thuajse e sigurt dhe ndërprerja e pazareve me rrugët që ishin monopol i dyshes Isufi-Fazlliç ishte një alarm. Sali Berisha pranoi skemën e tyre. Fare papritur ai bëri sikur s’e kishte vendosur kush do ishte kandidat dhe po shikonte përditë e më shumë nga Olldashi. Ky i fundit luajal me të, e pranoi, dhe pse e dinte se do ishte e vështirë. La dy mandate dhe u fut në garë.

Fazlliç u rishfaq në Tiranë. Tashmë, me dy a tri amerikanë të tjerë që i paraqiste po si konsulentë. Bombardimi ishte ekstrem. Sokol Olldashi u la në hije dhe fushatën e mori përsipër Sali Berisha. Ishte ajo që donte Edi Rama. Ai çdo ditë dilte i përgjigjej Berishës, kurse Ed Shalësi, Sokol Olldashit. Fazlliç dhe amerikanët e tij ngulnin këmbë se ishte në rregull.

Ndërkohë, brenda PD inati ndaj Olldashit ishte si valë zemërimi. Të gjithë e identifikonin atë gabimisht me pushtetin e Berishës, pa qenë askush. Ata që ishin realisht pushteti i tij, ishin po ashtu kundër Olldashit. Nuk kam parë në asnjë fushatë elektorale aq shumë armiq nga një parti kundër kandidatit të tyre. Kishte kundër KOP-in në bllok, udhëhequr nga Basha, kundër në bllok votat e qytetarëve të vjetër të Tiranës, të identifikuar si mbështetës të zemëruar të Bamir Topit, i cili deri në atë kohë ishte lënë thuajse rrugëve pa asnjë pjesë në pushtet, kishte kundër njerëzit pa pushtet brenda PD, se mendonin që ky ishte i përkëdheluri i pushtetit. Kishte me vete vetëm Sali Berishën personalisht, i cili mendonte se mund ta ndihmonte duke e marrë fushatën përsipër. Fazlliç ishte shumë i shqetësuar, pse unë isha shumë afër Olldashit. Mendonte se diçka po bënim që ai të fitonte. Dhe unë përpiqesha t’ia shtoja dyshimin sa herë më pyeste, edhe pse e shihja që ishte betejë e humbur. Sa herë më dilte para, më pyeste: “A do fitojmë?” Dhe unë i thosha, po.

Botimi në gazetën “Shekulli” e një liste personash në kërkim që ia atribuonin Olldashit si miq të tij ishte banal për ne që e dinim të vërtetën, por ndihmonte klimën kundër tij. E dija që mund ta kish dërguar Geri Kokalari, se ai kishte listat të tilla në dispozicion. Por Kokëdhima më la të kuptoj se kishte ardhur nga dikush afër Berishës dhe larg Olldashit. Kokalari thjesht ishte përdorur si postier.

Olldashi humbi thellë dhe Fazlliç m’u zhduk nga sytë bashkë me amerikanët e tjerë. Për disa ditë kisha ndjesinë që, nëse më dilte para ai ose Basha, mund të humbisja kontrollin. Por ai s’më doli më. Dhe rrallë e më rrallë e shihja. Nga mesi i vitit 2007, zakonisht rrinte te “Sheraton” me Sejaminin, një këshilltar të Berishës, dhe sa herë gjendej këtu dhe Tom Ridge. Dukej që i kishin punët e tyre në rregull. Ishte koha kur Shkëlzeni po ashtu filloi të shpeshtojë qëndrimet në “Sheraton” me Fatmir Mediun. Ishte një kohë në pranverë të vitit 2007 që rrinin thuajse bashkë natë e ditë dhe zbrisnin nga e njëjta makinë. Ishte një kohë që Fazlliç dukej i qetë dhe me punët në terezi. Është koha që tashmë shikoj se ai ka mundur të shesë një kompani pa asnjë bilanc, pa asnjë aset dhe pa asnjë veprimtari financiare, 1 milionë e 750 mijë euro një kompanie fantazmë në Qipro që përfaqësohet në Shqipëri nga bashkëpronarja e studios së Argita Berishës, Flutura Kola. Ishte vërtet kohë e mirë për të. Që atëherë s’e kam parë më. Dje, dëgjova prapë që e arrestuan, ndaj shkrova këto rreshta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›