Prokuroria: Ekspertët e FBI-së? E di ambasada
Zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme ka konfirmuar dje "humbjen" e gjashtë ekspertëve të FBI-së, të cilët duhet të asistonin vendin e ngjarjes në Gërdec ditën e mërkurë. Pyetjes se kur do të mbërrijnë në Shqipëri ekspertët, zyra e shtypit deklaroi se nuk kemi asnjë konfirmim, pasi këtë çështje e di ambasada. Sipas njoftimit zyrtar të ardhur nga zyra e shtypit, pranë kryeprokurores Ina Rama, saktësohet se është konfirmuar ndihma e autoriteteve të SHBA-së për zbardhjen e ngjarjes në Gërdec të Vorës. "Në përgjigje të kërkesës së Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, pak ditë më parë, drejtuar për ndihmë autoriteteve të SHBA-ve, në kuadër të hetimeve për ngjarjen në fshatin Gërdec, ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar. FBI-ja ka miratuar ardhjen e gjashtë ekspertëve të saj, të cilët do të ndihmojnë në identifikimin e kufomave, si dhe të këqyrjes e analizimit të vendit të ngjarjes. Ata pritet të bëjnë një studim të plotë kriminalistik të vendit të ngjarjes", thuhej nga ky njoftim. Sipas këtyre burimeve, mësohet se ekspertët e përcaktuar nga FBI-ja për të ardhur në Shqipëri janë marrë me çështje të ngjashme dhe janë të specializuar në këto lloj ngjarjesh. "Pas konfirmimit të ardhjes së gjashtë ekspertëve, të cilët do të ndihmojnë në këqyrjen e vendit të ngjarjes, mbërritja e tyre në Shqipëri pritet të jetë ditën e mërkurë paradite", thanë burimet. Ndërkaq, nga burime konfidenciale mësohet se zyra e FBI-së, e instaluar pranë Prokurorisë së Përgjithshme po asiston në hetimet për një trafik të mundshëm të armëve nga Shqipëria në drejtim të vendeve të Irakut dhe Afganistanit. Burimet pohojnë se po verifikohen hyrje-daljet e presidentit të kompanisë amerikane AEY, Efraim Diveroli, në Shqipëri.