Prokuroria nuk sekuestron kasafortën e "Meico"-s
Lihet në mëshirë të fatit kasaforta e firmës "Meico" e gjetur nën rrënojat e fabrikës së Gërdecit. Banorë të zonës kanë deklaruar për gazetën se në kasafortë janë marrë blloqe shënimesh e faturash, dokumente, kartëvizita, si dhe një koleksion kartëmonedhash të disa vendeve. Kasaforta ishte e firmës së Delijorgjit në të cilën Dritan Minxholi kishte mbyllur sendet dhe dokumentet më të rëndësishme. Por nuk ishte e thënë që provat e gjetura në vendngjarje të përdoreshin nga grupi hetimor, pasi një neglizhencë e tyre ka rezultuar fatale, pasi të gjitha dokumentet janë marrë nga banorët e zonës përreth. Gjithsesi, burime nga grupi hetimor hodhën poshtë të gjitha pretendimet se kasaforta nuk ishte sekuestruar. Sipas tyre, provat e gjetura në të po verifikohen.