Testi i Matematikës, “ngujohen” sot në AVA 17 specialistë
Jonida Tashi
Hartimi i testit të provimit të dytë të detyruar të Maturës Shtetërore, Matematikës do të “ngujojë” sot në Agjencinë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) 17 specialistët që do të përpilojnë këtë test. Këta specialistë do të qëndrojnë në 24 orë nën vëzhgimin e forcave policore deri në datën 17 qershor, ditë në të cilin do të zhvillohet dhe provimi i Matematikës. Burime zyrtare të AVA-s, bënë të ditur se janë në fazën përfundimtare të përgatitjes për zhvillimin e provimit të dytë të detyruar të Maturës Shetërore, testin e matematikës. Sipas përcaktimit të MASH-it, lloji i testit me të cilin do të testohet nxënësi, varet nga lloji i programit lëndor që ai ka punuar në shkollën e mesme dhe në përputhje me këto kritere, këtë vit do të hartohen 7 lloje testesh, në varësi të profilit të arsimit. Pikët maksimale edhe për testin e Matematikës do të jenë 50. Ky provim do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative(13 pikë) dhe 12 pyetje me zhvillim (37 pikë). Kohëzgjatja e dhënies së përgjigjes me shkrim për secilin nga testet e provimeve të detyruara do të jetë 2 orë e 30 minuta.
Drejtori i kurrikulës në MASH, Ndriçim Mehmeti, sqaroi se ecuria e procedurave dhe afateve të Maturës Shtetërore janë përmbushur brenda kohës së përcaktuar në rregullore.
Izolimi
Sot një numër i madh specialistësh do të “izolohen” në ambientet e AVA-s për të përgatitur provimin e Matematikës, të cilit do t’i nënshtrohen rreth 33.400 maturantë. Ashtu si për provimin e e Letërsisë edhe për Matematikën fondi i pyetjeve është pothuaj 3-fish më i madh se vitin e kaluar. Tashmë është caktuar fondi i plotë i kërkesave, i sistemuar sipas përmbajtjes e niveleve të vështirësisë. Po ashtu, ka përfunduar edhe procesi i kontaktimit dhe i organizimit të punës në qendrat e vlerësimit në rrethe, pasi një nga të rejat e korrigjimit të provimeve të Maturës 2008 është se ato nuk do të përqendrohen vetëm në Tiranë, por dhe në Shkodër, Elbasan dhe Fier.
Hartimi
Në bazë të urdhrit të ministrit të Arsimit për hartimin dhe vlerësimin e testeve të provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2008, përzgjedhja e pyetjeve të testit për secilin nga provimet e detyruara (Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë) dhe me zgjedhje (Anglisht, Frengjisht, Fizikë, Kimi,Biologji, Njohuri për Shoqërinë, Histori, Gjeografi, Filozofi dhe Njohuri për Ekonominë) do të bëhet nga specialistë të caktuar prej ministrit të Arsimit, që emërtohen Përgjegjësa të Testit Përfundimtar (PTP). Këta specialistë që janë mësues të lëndëve përkatëse do të përzgjedhin pyetjet e testit nga banka e pyetjeve, të krijuar nga ekspertët e AVA-s.
Pollo statut të ri për Konferencën e Rektorëve
Ministri i Arsimit Genc Pollo brenda kësaj jave do të mbledhë Konferencën e Rektorëve, me përfaqësues rektorë dhe drejtues të 12 universiteteve publike dhe 19 universiteteve private. Në këtë mbledhje të parë të Konferencës së Rektorëve do të diskutohet ndër të tjera edhe për hartimin e një statuti të ri të këtij organi, në bazë të ligjit të Arsimit të Lartë, dekretuar nga Presidenti i Republikës në maj të vitit të kaluar. Sipas statutit në fuqi, i miratuar nga ish-ministri i Arsimit në 27 nëntor 2003, Konferenca e Rektorëve përbëhet nga rektorët e universiteteve (me ligjin e ri Institucionet e Arsimit të Lartë, IAL) publike dhe private nën juridiksionin e MASH-it. Ky organ ka në përbërje të tij edhe një anëtar, përfaqësues i MASH-it, i autorizuar nga ministri. Organi kolegjial autonom i Konferencës së Rektorëve përfaqësohet nga kryetari i saj. Zgjedhja e kryetarit dhe kompentacat e Konferencës burojnë nga ligji i Arsimit të Lartë dhe caktohen nga ky statut. Në Konferencën e Rektorëve, çdo IAL përfaqësohet nga rektori ose drejtuesi përkatës.
11 Qershor 2008