E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testi i anglishtes, nxënësit nën nivelin mesatar

Nxënësit e shkollave të mesme kanë njohuri të dobëta në gjuhën angleze. Kurset private apo mësimi në shkollë nuk kanë bërë efektin e duhur te të rinjtë. Në një studim të realizuar nga Qendra e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve rezulton se "nxënësit kanë marrë në test 67 pikë nga 100 të mundshme". Por AVA saktëson se "duhet pasur parasysh se një nxënës me aftësi mesatare ishte e pritshme që të arrinte 75.42 pikë në test". Më tej në studim thuhet se "arrijmë në përfundimin që nxënësit tanë kanë arritje nën nivelin mesatar në gjuhën angleze". Sondazhi u realizua në një kampion prej 36 shkollash dhe 1070 nxënësish të cilët dhanë provim testin e hartuar nga AVA. Instrumenti bazë i përdorur në këtë studim ishte një bashkësi prej 4 paketash

testimi, të cilat në total përmbanin 80 kërkesa të tipit me zgjedhje, që nxënësit duhet t‘u jepnin përgjigje. Për të karakterizuar nivelin e arritjeve të nxënësve, rezultatet

e testit u paraqitën në një sistem metrik me pikë nga 0 në 100 pikë, duke përcaktuar gjithashtu edhe 5 nivele arritjesh. Përqindja e nxënësve me arritje shumë të lartë (niveli 5) vlerësohet të jetë 4.4 për qind, ndërsa 5.3 për qind e nxënësve konsiderohen nxënës shumë të dobët. Sipas studimit, 20.3 për qind e nxënësve dolën me arritje mesatare, ndërsa një pjesë e madhe prej 38.1 përqindësh janë nxënës të nivelit 2, pra nën nivelin mesatar të dijeve në këtë lëndë. Një prej veçorive që ka dalë nga studimi është se meshkujt dinë më pak anglisht se femrat. Kështu AVA del në përfundimin se në kategorinë e nxënësve të niveleve 0 dhe 1 (i dobët) ka shumë më tepër meshkuj sesa femra, dhe në kategorinë e nxënësve të niveleve 4 dhe 5 (shumë të mirë) ka më shumë femra sesa meshkuj. "Femrat kanë arritje më të larta se meshkujt. Diferenca është prej 4.15 pikësh", thuhet në studim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›