12 mijë tifozë paguajnë për të ndjekur stërvitjen
Plotë 12 mijë tifozë kanë paguar që të ndjekin stërvitjen me dyer të hapura që Portugalia do të zhvillojë në Nojshatel, në prag të fillimit të "Euro 2008". Lajmi është bërë i ditur nga një zëdhënës i përfaqësueses luzitane. Mediat portugeze kanë bërë të ditur se interesimi i jashtëzakonshëm për skuadrën e drejtuar nga Skolari ka stimuluar lulëzimin e tregut të zi. Biletat që kushtojnë 15 franga zvicerane (14,42 dollarë amerikan) për të ndjekur përgatitjet e favorites së Grupit A në stadiumin "La Maladiere", janë shitur të gjitha dhe një pjesë e tyre po rishiten në tregun e zi me 4-fishin e vlerës. "Është konfirmuar se 12 mijë persona do të ndjekin stërvitjen", tha zëdhënësi i skuadrës luzitane, Antonio Florensio. Mediat e ndryshme kanë raportuar gjithashtu se mbërritja e Portugalisë në hotelin e qytetit liqenor, ku do të akomodohet për Kampionatin Evropian, ka mbledhur 10 mijë fansa. Sajti elektronik "maisfutebol.iol.pt" shkruante se "Nojshateli është shndërruar në një Portugali të vogël në qendër të Evropës". Ndërkohë, Karlos Godinjo, drejtori sportiv i skuadrës, bëri të ditur se portugezët do të zhvillojnë nga dy seanca stërvitore në ditë, pasi kjo është mënyra e vetme për të arritur objektivat në këtë turne. Të shtunën është përcaktuar një tjetër stërvitje me dyer të hapura. "Jemi i vetmi ekip kombëtar në ‘Euro 2008‘ që i ka paguar seancat stërvitore, por nuk duhet të harrojmë as se ne jemi të vetmit që do të stërvitemi përpara 12 mijë njerëzve", sqaroi ai për gazetarët. Gjithsesi, tifozët nuk janë shumë të kënaqur me masat e sigurisë rreth ekipit: askush nuk hyn dot në hotel nëse nuk është pjesëtar i kombëtares.