E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkim Hoxha, Të jesh në vendin e “Spektatorit të fundit”

Autori i Lajmit: Redaksia
Është autor i mjaft veprave, në prozë dhe poezi, por jo vetëm. Bashkim Hoxha, shkrimtari dhe dramaturgu i njohur njihet dhe për skenarët e suksesshëm, që i kemi parë në filmat “Valsi i ngrirë në Prishtinë”, “Kronika e një nate”, “Në çdo stinë”, “Zemrat që nuk plaken” e shumë të tjerë. Ka vetëm pak kohë që në treg ka dalë libri i tij më i fundit, “Heronjtë e viagrës”, shkrimtari na tregon se sapo ka përfunduar një komedi me titull “Një Alien në oborrin e Trebickës”, ndërsa është në përfundim të variantit të parë të romanit me titull “Spektatori i fundit”. Bashkim Hoxha na rrëfen edhe impresionet për letërsinë, dramën, burokracinë e institucioneve për të ngjitur në skenë vepra të autorëve shqiptar, por edhe për tendencën më të fundit të letërsisë triller me baza historike.

Megjithëse ka vetëm tre muaj që ka dalë në treg libri juaj i fundit “Heronjtë e viagrës” publiku është kurioz të dijë se çfarë është duke punuar aktualisht Bashkim Hoxha?
Sapo kam përfunduar një komedi me titull “Një Alien në oborrin e Trebickës”. Është një traktim grotesk i kufizimeve mbi të cilat është ndërtuar jeta njerëzore; kërkojmë të lidhemi me gjithësinë e pakufi në një kohë kur jetën njerëzore e kemi ndërtuar mbi kufij, kufij shtetesh që kalohen me viza, kufij ideologjish që sjellin armiqësi, e mjaft kufij të tjerë. Gjithashtu jam në përfundim të variantit të parë të një romani të ri. Titullohet “Spektatori i fundit” dhe ka të bëjë me krizën e vlerave shpirtërore përballë një realiteti të thatë e të vrazhdë që servir jeta bashkëkohore.

“Heronjtë e viagrës” është një libër shumë i diskutuar. Sa i kënaqur jeni me ecurinë e tij?
Pas romanit “Hotel Ballkan”, ky është romani që më është pritur mirë jo vetëm prej atyre që ndjekin rregullisht letërsinë, por edhe nga njerëz që kishin kohë që nuk kishin lexuar ndonjë libër. Një lexues më tha se e cilësonte si libër tavoline. E hapte herë pas here ku shkonte dora dhe gjente, sipas tij, diçka interesante. Jam ndjerë mirë për këtë konstatim, sepse mua kjo gjë më ka ndodhur me “Dekameronin” dhe “Ushtari i mirë Shvejk”.

Libri juaj i fundit është konsideruar si një roman teatral dhe universal, por me një lëndë bashkëkohore. Cili është cilësimi juaj për të?
Për mua është një libër në të cilin jam përpjekur të shkoj në rrjedhat e letërsisë bashkëkohore, ku vlerat lokale gjejnë kontekstin e tyre global. Është një hap i rëndësishëm në krijimtarinë time, sepse më duket se kam mundur të shkëputem nga shumë dobësi të letërsisë që bëjmë ne këtu për njeri tjetrin, me të gjithë ngarkesat e inferioritetet provincial që përfaqësojmë. Me këtë libër ndihem i shkëputur nga e kaluara jonë letrare; ndjehem i shprehur plotësisht në mënyrë time, dhe jam ndjerë mirë kur e kam gjetur veten time veten tërësisht pjesë e kohës që jetojmë dhe e botës që jetojmë aktualisht. Kam mundur gjithashtu të gjej rrugën e anekdotës për të thënë mendimin filozofik. Më vjen mirë që këtë gjë e ka shprehur edhe kritika e specializuar, përveç dashamirësisë së miqve.

Mes poezisë dhe prozës, cila është e preferuara juaj?
Të dyja i vlerësoj, por preference ime është teatri. Për shkak se teatrin (jo vetëm unë) e kam gjetur të mbyllur, jam detyruar të shprehem në prozë, ku autori nuk do tia dijë shumë për drejtorë që aq dinë e aq bëjnë. Mjafton të them se “Heronjtë e Viagrës” e kam shkruar së pari si komedi. E kam paraqitur para disa viteve në Teatrin Kombëtar. Për shkak se ende nuk kam një përgjigje nga Teatri Kombëtar ku ka disa vjet që e kam paraqitur zyrtarisht, u detyrova ta shkruaja si roman. Më mirë. Një thënie nënvizon se ndonjëherë një e keqe vjen për mirë. Tashmë kam një vepër të re që ka komunikuar me shumë lexues e dashamirës dhe unë e kam ndjerë kënaqësinë time. I trishtuar është fakti se, imagjinoni, ka kaluar koha disa vjeçare e shkrimit të një romani dhe unë ende nuk kam një përgjigje burokratike katër rreshta. E shikoni se me çfarë ritmi funksionon këtu “hierarkia” artistike e burokracisë? Më lehtë shkruhet, botohet, lexohet, gjykohet një roman se sa të marrësh një përgjigje nga burokratë që kanë harruar ndoshta shkrim e këndim.

Jeni autor i disa librave. Mund tju duket e pavend, por cilin nga librat do të veçonit si më të dashurin apo që ndoshta mbart një histori që e keni përzemër?
Romanin “Heronjtë e Viagrës” e vlerësoj për ato që thashë më lartë. Është libri ku pretendoj se kam gjetur gjuhën konkrete të filozofisë. “Hotel Ballkan” më dha kënaqësinë e komunikimit masiv të ndjeshmërisë. “Sakrifica” dhe “Mbreti i vesës” më bënë të hedh një vështrim distancues në interiorin tim ndaj kohës që lamë pas të gjithë dhe të kundroj gjithçka nga një këndvështrim i ri. Sepse edhe autori lëviz bashkë më kohën. “Lakuriq” është ende aktual në raportet e moralit dhe politikës. “Mot i keq për dashuri” e veçoj për poezinë që bart. “Romancë në ditën e krimit” më pëlqen sepse ka shumë mesazhe të fshehta brenda tij. “Ground Zero” (Dëshmitari i shkretëtirës) është ndoshta romani i parë që i parapriu temës që më vonë hyri me termin e ballafaqimit të qytetërimeve.

“Kronika e një nate”, “Në çdo stinë”, “Zemrat që nuk plaken”, “Një vonesë e vogël”, “Plumba perandorit” etj. janë skenarët tuaja që janë bërë film. Cili do të jetë i radhës ose cilin keni dëshirë ju që të realizohej në një film?
Ka mjaft tema, por edhe me filmin ka ndodhur pak a shumë e njëjta histori si me teatrin këto vite. Për shkak të financimeve që kërkojnë dhe që shteti i ka dhënë bujarisht, ato kanë qenë më shumë pronë e njerëzve që artin e konceptojnë si tender abuziv, ku natyrisht tender-dhënësi merr përqindjen e tij. Unë nuk i takoj kësaj kategorie. Dhe nuk gjej hapësirë. Shpresojmë se me “Shqipërinë që po ndryshon” të ndryshojë edhe ky deformin që i është bërë artit në këto vite.

Në çfarë stadi ju duket dramaturgjia shqiptare?
Jemi akoma në fazën kur në sipërfaqe dalin vetëm ata që janë të lidhur me klane të caktuara, jo të politikës, por të parasë. Pa zgjidhur krizën e teatrit të ndërtuar me menatalitete korruptive dhe provinciale, siç i themi ne me përfitues dy lekshash, nuk mund të kemi një tablo të qartë për dramaturgjinë. E megjithatë prirjet për një dramaturgji të pastër në rrjedhat bashkëkohore janë: kam përshtypjen se Capaliku, Brahusha, Kozma e të tjerë janë duke punuar, pavarësisht pengesave që krijon një klime krize e teatrit shqiptar në përgjithësi.

Letërsia vitet e fundit është kthyer me fytyrë nga historia. Pjesa më e madhe e librave të botuar kanë fabula historike ose janë trille mbi baza të deformimit të historisë. Cili është mendimi juaj?
Dikur ne merreshim me historinë për të sjellë në mënyre metaforike tema të nxehta të aktualitetit. Tashmë historia është bërë një mënyrë e mirë spekulimi nëpërmjet kontraversit. Të merresh me historinë është normale në letërsi, por kur historia rishihet nga këndvështrime ideologjike kjo pastaj nuk i takon më letërsisë. Dikur kemi vuajtur nga letërsia e ideologjizuar. Jo pak letërsi të ideologjizuar gjejmë edhe sot vetëm se pala që besohej e mirë paraqitet e keqe, ndërsa pala që dikur paraqitej e keqe, sot paraqitet e mirë. Dikur i kërkohej llogari ballistit apo armikut të klasës sot i kërkohet hetuesit apo ish partizanit. Në thelb është e njëjta letërsi e vjetruar, një letërsi e zbehtë që më shumë ka të bëjë me ideologjinë e përqasje me mentalitetin transit të shoqërisë, por jo me gjuhën e letërsisë. . Ne nuk kemi akoma një vështrim të thellë dhe jo spekulativ të historisë në letërsi. Do përjashtoja këtu romanin e Koço Kostës “Sofie Kondili” e ndonjë vepër tjetër. Të tjerat janë erë mol dhe letërsi e vjetër me pak ndryshim.

Mendoni se ndoshta kjo tendencë e shkrimtarëve po lë disa hapa prapa letërsinë artistike?
Nuk besoj. Ne duhet të pranojmë se edhe pse lirinë e kemi pa kufi, kemi letërsi modeste dhe shkrimtarë modestë, që nuk e di pse kanë kokëfortësinë të mos shikojnë se ku shkon letërsia bashkëkohore sot, por këmbëngulin në modele të viteve tetëdhjetë apo të kohës e shkollave ku janë formuar. Kemi shumë kryevepra të shpallura nga klane e miq, dhe shumë pak vepra letrare me vlera të mirëfillta. Për fat të keq na mungon kritika letrare dhe më shumë vlerat përcaktohen me grupe miqsh. Kënaqemi me aq sa dimë dhe kjo mënyrë gjykimi, e lë realisht pas, letërsinë artistike në Shqipëri.

Duke u nisur nga një përshtypje në Panairin e Librit të vitit që kaloi u vu re një prurje e përkthimeve të autorëve të huaj dhe më pak libra të rinj të autorëve shqiptar. Ju si e shihni?
Këtë unë më shumë e lidh me lexuesin. Lexuesi është difident ndaj letërsisë shqipe edhe për faktin se shumë pak vlera ka mundur të sjelli kjo letërsi në këto vite. Ka shumë shkrimtarë që ia hedhin fajin lexuesit pse veprat e tyre nuk lexohen. Madje kjo ka sjellë një lloj përçmimi për fjalën bestseller, cilido qoftë ai. Por libri shkruhet për tu lexuar. Është e vërtetë se jo çdo bestseller është një libër i mirë, por ama çdo libër i mirë në botë është bestseller, pikërisht sepse një nga cilësitë e letërsisë së mirë është komunikimi.

Buja e autorëve “VIP” mendoni se po lë në hije shkrimtarët e rinj apo po ndrydh në një farë mënyre frymëzimin e të rinjve?
Kjo fjala VIP më kujton këngëtarët e modës. Sidoqoftë, le të themi shkrimtarët seriozë e që bëjnë letërsi të mirë, janë si ata farët që orientojnë në konfigurimin e detit, duke treguar se ku janë shkëmbinjtë e ku janë rrugët e lira. E keqja është se ne vuajmë fatin e keq të provincës ku “VIP” quhet kushdo dhe këtu ngatërrohet gjithçka. Ngatërrohen edhe të rinjtë që modelet e tyre i zgjedhin gabim. Sidoqoftë të rinjtë e sotëm kanë mundësinë të jetojnë një botë të hapur dhe mund ta hedhin vështrimin edhe përtej këtij fshati të madh ku jetojmë.

Veçse jeni një shkrimtar dhe dramaturg i njohur, shqiptarët kanë mundësinë tju shohin çdo mëngjes në prezantimin e shtypit të ditës. Çfarë sinjifikon kjo punë për ju?
Plotësimin tim si njeri, si qytetar, një punë të përditshme dhe impenjim.

Tituj të veprave
* Romancë në ditën e krimit
* "Lakuriq"
* "Ground Zero"
* "Dëshmitari i Shkretëtirës"
* "Hotel Ballkan"
* "Mbreti i Vesës"
* "Mot i keq për dashuri"
* "Fjalë të ndyra dashurie"
* "Njeriu tjetër"
* "Një lolo dhe një mbret"
* "Unë dhe Mefistofeli" (dramë)
* "Ftesë për gjyq"
* "Këngë dashurie dhe korba"
* "Qyteti pa dashuri"
* Ne të gjithë kënduam Margaritën

Ka sjell në filma këto skenare

Valsi i ngrirë në Prishtinë (1999) (TV)
Kronika e një nate (1990)
Një vonesë e vogël (1982)
Në çdo stinë (1980)
Një udhëtim i vështirë (1977)
Zemrat që nuk plaken (1977)
Ky lajm është publikuar: 07/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›