Pasuniversitarët, ska doktoraturë pa 2 vjet master shkencor
Autori i Lajmit: Entela Duraj
Masteri që do të përçojë në studimet e doktoratës quhet Master Shkencor ose Magjistër dhe do të zgjasë dy vjet. Ky do të jetë ndryshimi kryesor dhe disa ndryshime të tjera të lehta në ligjin e Arsimit të Lartë, vendime që do të merren brenda vitit 2010. Burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës shpjeguan dje për gazetën “Ballkan” se lidhur me ndryshimet në ligjin e Arsimit të Lartë, MASH është në proces për të bërë disa amendamente të domosdoshme për ligjin e Arsimit të Lartë. Po sipas të njëjtave burimeve thuhet se u është kërkuar të gjitha universiteteve publike dhe private të shprehin mendimet e tyre dhe që, brenda 6-mujorit të parë të 2010, të arrihet në Parlament me disa ndryshime të ligjit, por pa prekur kapitullin e financave. Ndryshimet do të kenë të bëjnë me titujt e diplomave dhe disa amendime më pak të rëndësishme. Sipas ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, sistemi aktual i arsimit universitar ka disa vështirësi. Lidhur me heqjen e Masterit të Nivelit të Dytë, Tafaj shpjegoi se synimi është të përmirësojmë dhe të kemi një sistem shumë të thjeshtë: Bachelor, Master dhe Doktoratë. “Ne do të heqim Masterin e Nivelit të Dytë (MND) pasi është një nivel që ka shkaktuar disa probleme, në sistemin e Arsimit të Lartë në tërësi, në sistemin publik dhe atë privat. Në fakt kur është shkruar ligji në vitin 1997, Masteri i Nivelit të Dytë ka qenë më shumë për diplomat e kryera deri në vitin 2007 (sipas sistemit 4-vjeçar), dhe kam parasysh këtu shkollën pasuniversitare SHBU, por jo për të hapur drejtime të reja studimi. Unë u kam kërkuar rektorëve të mos më sjellin më kërkesa të tilla dhe Masteri i Nivelit të Dytë nuk do të jetë më në këtë formë, por përkrah Masterit në skemën normale të Bolonjës do të kemi mastera profesionalë”,- ka shpjeguar ministri Tafaj lidhur me heqjen e MND-ve. Sipas shpjegimit të dhënë prej tij, çdo njeri që ka mbaruar studimet Bachelor mund të vazhdojë edhe shumë studime të tjera master, por këto nuk mbivendosen, por janë kualifikime profesionale për tiu përshtatur kërkesave të tregut të punës. “Është një periudhë 3-vjeçare, dhe ligjet e arsimit të lartë ndryshojnë, madje shumë më shpejt sesa kaq. Janë ndryshime që ne do ti realizojmë në bashkëpunim të ngushtë me Konferencën e rektorëve dhe në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha universitetet, dhe me Këshillin e Arsimit të Lartë në Shqipëri”, - ka shpjeguar më tej Tafaj.
Afatet/dokumentet
Bursa pasuniversitare për në Francë
Në kuadër të Programit për bursat ekselente (Vallonie-Bruxelles International, IN. VBI), Qeveria e Komunitetit Francez të Belgjikës ofron bursa për studime pasuniversitare për studiues dhe pedagogë të huaj, të cilët janë të interesuar në plotësimin e programeve të tyre të doktoratës ose postdoktoratës në fushat dhe sektorët më të kërkuar pranë universiteteve të Komunitetit Francez të Belgjikës, për vitin akademik 2010-2011. Fushat ku mund të paraqiten kërkesat për këto bursa janë:
1. Transport dhe logjistikë;
2. Inxhinieri mekanike;
3. Shkencat e natyrës;
4. Agro-industri;
5. Aeronautikë-hapësirë;
6. Shkenca shoqërore.
Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave (dosjeve përkatëse) të kandidatëve për këtë kategori bursash është data 01 mars 2010. Qeveria e Komunitetit Francez të Belgjikës akordon, gjithashtu, bursa afatshkurtra, 1-3 muaj në fushën e kërkimit shkencor. Afatet e dorëzimit të dosjeve për këto bursa janë:
1. Data 01 shkurt 2010 për bursat e parashikuara për periudhën qershor-shtator 2010;
2. Data 01 maj 2010 për bursat e parashikuara për periudhën tetor 2010- janar 2011;
3. Data 1 tetor 2010 për bursat e parashikuara në periudhën shkurt-maj 2011.
Për një informacion më të detajuar lidhur me mënyrën e aplikimit dhe të përgatitjes së dokumentacionit, të interesuarit ti referohen adresës së internetit: www.wbi.be dhe të kontaktojnë me z. Erik Vandelook, i cili është pika e kontaktit për dorëzimin e dokumentacionit, me adresë e-mail: e.vandelook@wbi.be, dhe numër telefoni: 003224218209.
Ky lajm është publikuar: 07/01/2010