Kina hapet me Perëndimin, Hoxhës i vjen ftesa nga Rusia
Autori i Lajmit: Androkli DraloPekin, 28 korrik 1977 – “Dy herë humbësi kthehet sërish”. Kjo ishte tema kryesore e komentit që lindi për shkak të kthimit të Ten Hsiao Pinit në një nga postet më të larta të udhëheqjes kineze javën e kaluar. Por në të vërtetë, riorganizimi i organikës drejtuese të Pekinit paralajmëron një ndryshim politik edhe më të gjerë. Një lloj si intervali që mbretërit dorëzojnë pushtetin pasi sundimit të qeverisë së përkohshme i vjen fundi. Kina tashmë sapo ka nisur një program të ri të brendshëm dhe duket se është shumë afër lançimit të një politike të jashtme që do të sigurojë hapjen dhe marrëdhënie më të lehta me Perëndimin, e në veçanti me Uashingtonin. Gjatë periudhës së gjatë të sundimit të Mao Ce Dunit, Teni, numri 2 i udhëheqjes, vinte dhe shkonte, duke sjellë ndryshime të shumëllojshme në theksin e politikës. Administrata e fundit nën sundimin e Maos drejtohej nga Çu En Lai dhe zgjati afërsisht nga viti 1971 deri në vdekjen e Çusë, më 1976. Si kryeministër, Çuja nënshtroi ideologjinë revolucionare dhe transformimin social me nevojat e modernizimit ekonomik. Për të arritur procesin e modernizimit, ai nisi procesin e hapjes ndaj Perëndimit, lëvizje e cila i hapi rrugë vizitës së presidentit amerikan, Nikson, në Pekin, më 1972. Pasardhësi i paracaktuar i Çusë ishte Ten Hsiao Pini, një ish-sekretar partie i përçmuar gjatë Revolucionit Kulturor, por i rehabilituar në vitin 1973 fillimisht si zëvendëskryeministër. Në muajt e parë të 1976, Teni lëvizi fuqishëm për të çuar deri në fund mandatin e Çusë me objektiv të vetin vazhdimin e modernizimit. Por përtej kësaj ai u përball me zilinë revolucionare të gruas së Maos, Çian Çinit, dhe 3 shokëve të saj të të ashtuquajturit grupi i Shangait, të cilit më vonë iu vu damka “Banda e Katërshes”. Në prill të 1976, Teni u përjashtua me turp. Në këtë pikë, atje nisi dhe intervali i dorëzimit të pushtetit drejt një qeverie të përkohshme nën drejtimin e Hua Kuo Fenit, që atëherë ishte një udhëheqës shumë pak i njohur. Por qeverisja e kësaj qeverie vazhdoi edhe përtej vdekjes së Maos në shtator, kur Hua Kuo Fen, i cili ishte bërë Kryeministër u bë edhe Sekretar i Parë i Partisë Komuniste Kineze, post të cilin e arriti me spastrimin e “Bandës së Katërshes” dhe me rehabilitimin e ngadaltë të vetë Ten Hsiao Pinit. Me rishfaqjen e Tenit si zëvendëskryeministër dhe përjashtimin e “Bandës së Katërshes” nga partia javën e kaluar, sundimi i kësaj qeverie përfundoi. Ndërsa administrata e Tenit sapo ka nisur. Tashmë, lëvizja e trajektores së brendshme të administratës së re kineze është bllokuar. Në një sërë konferencash dhe direktivash, Teni ka theksuar të gjitha motivet e modernizimit që ai i trashëgoi nga Çuja. Ai po nxit akoma më shumë përmirësimin e menaxhimit industrial, shkencës, teknologjisë, prodhimit bujqësor, modernizimit ushtarak, arsimimit dhe tregtisë me jashtë. Tipike në këtë qasje të Tenit, është theksi që i vihet mësimit të komponentit të edukimit, si i veçantë nga funksioni i tij ideologjik. Ai ka thënë se qëllimi i shkollave është “përhapja e dijes” dhe ka paralajmëruar kundër “fyerjes dhe poshtërimit të profesorëve”. Politika e jashtme është më ambigue. Për një gjë Teni ishte me të vërtetë i ashpër kur u takua me Henri Kisingerin, përpara se të takohej personalisht me presidentin Ford, gjatë vizitës së këtij të fundit në Pekin, më 1975. Në radhë të dytë, Pekini ka bërë kohët e fundit një sërë lëvizjesh, në tregti, peshkim, dhe lundrim, të cilat të tria së bashku, si qëllim të tyren kanë lehtësimin e punës për zgjidhjen e vështirësive praktike më të mprehta mes tij dhe Bashkimit Sovjetik. Por ende lexuesit nga Uashingtoni të gjetheve kineze të çajit janë në parim optimistë. Ata e justifikojnë performancën e Ten Hsiao Pinit në krahasim me Kisingerin në terrenet ku ai vepronte nën presionin e Çian Çinit dhe kolegëve të saj revolucionarë. Ata i shohin lëvizjet drejt Bashkimit Sovjetik si hapa marrëveshjeje të ndërmarra për ti kujtuar Uashingtonit se Pekini mund të kthehet gjithnjë nga Moska, nëse do të jetë e nevojshme. Ata mendojnë në thelb se faktorët e brendshëm po e detyrojnë Ten Hsiao Pinin të rivendosë edhe një herë tjetër politikën e tij të hapjes me Perëndimin, rrugë të cilën e nisi Çu En Lai. Programi i brendshëm i Tenit, në pikëpamje të tyre, kërkon ekspertizë, infrastrukturën e duhur dhe ndihmë financiare nga Japonia, Evropa, dhe në një masë më të vogël nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këta të fundit janë të një rëndësie parësore për Kinën gjatë procesit të modernizimit si një garanci sigurie kundër Bashkimit Sovjetik. Në të vërtetë, Shqipëria, ky vend i fundit komunist rebel, është kthyer kundër Kinës pikërisht, sepse Pekini po orvatej drejt Perëndimit. Hoxha sapo e ka marrë një propozim për nisjen zyrtare të bisedimeve nga udhëheqësit sovjetikë, të cilëve do tu pëlqente shumë të kishin edhe një herë tjetër një dalje për në detin Mesdhe përmes Shqipërisë. Akuzat e ndërsjella Tiranë-Pekin u bënë publike me një editorial botuar dy javë më parë në gazetën e Partisë Komuniste të Shqipërisë “Zëri i popullit”, i cili akuzonte Kinën për “oportunizëm” dhe “shmangie flagrante nga marksizëm-leninizmi”. Sulmi u shoqërua edhe nga akuzat ndaj Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat Shqipëria staliniste i klasifikon të dyja si “vende kapitaliste”. Kundër këtij sfondi, është vizita e sekretarit të Shtetit, Vance, në Republikën Popullore të Kinës, që pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm dhe që pritet të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm për perspektivën e këtyre vendeve. Kinezët nuk ka shumë gjasa që ti kërkojnë Uashingtonit të braktisë të gjitha lidhjet me Tajvanin përpara se ata të kërkojnë një bashkëpunim të mëtejshëm me Pekinin. Përkundrazi, ka shpresa se Vance mund të përgatisë terrenin e bisedimeve drejt marrëdhënieve kino-amerikane në një shtrirje më të gjerë me një seri çështjesh të një rëndësie të dytë si tregtia, huatë, dhe shkëmbimet kulturore. Progresi në këto fusha do të çonte drejt viteve të tëra përpjekje të qëndrueshme, derisa opinioni amerikan të ishte përfundimisht gati që të prishte lidhjet me Tajvanin, i cili duhet thënë se mund të jetë koka e turkut për hir të normalizimit të marrëdhënieve me Pekinin. Për të gjitha arsyet e sipërpërmendura, sekretari i Shtetit, i cili u takua me Ten Hsiao Pinin gjatë vizitës së tij më 1975, është i “kënaqur” me perspektivën e një tjetër takimi me udhëheqësin kinez.
Ky lajm është publikuar: 07/01/2010