Testim bërthamor në Nevada

SHBA ka kryer një testim subkritik bërthamor në shtetin federal Nevada, përmes të cilit u analizua sjellja e materialeve bërthamore pa ndarje të bërthamës, njoftuan të premten mediat franceze.
Testimi bërthamor, "Polux", është kryer të mërkurën në një poligon nëntokësor në Nevada. Qëllimi i testimit ishte mbledhja e të dhënave shkencore nga të cilat do të sigurohen informacione të rëndësishme për mbështetjen e sigurisë dhe për efikasitetin e armëve bërthamore, thuhet në kumtesën e Drejtorisë Kombëtare Amerikane për Siguri Bërthamore, të Departamentit të Energjetikës.
Testimi "Polux" është i 27’i në kategorinë e testimeve subkritike bërthamore në SHBA. Gjatë këtyre testimeve nuk ka reagime zinxhirore, të cilat çojnë drejt një shpërthimi bërthamor. Në këtë lloj të testimeve përcillet sjellja e plutoniumit, i cili i nënshtrohet veprimit të shpërthimeve të fuqishme kimike. Testimi paraprak i këtij lloji është realizuar në vitin 2011.