E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testimi i kasave, skarco 2 mijë copë

Ministria e Financave “kalibron” shoqëritë e kasave. Njëra ngec, tjetra kalon. Janë dhe 3

Sistemi i ri i kasave fiskale nxjerr jashtë loje dymijë pajisje të shituara abuzivisht nga shoqëritë. Nga verifikimet në terren dhe testimet e kryera nga grupi i punës në Ministrinë e Financave, rezulton se disa shoqëri të autorizuara për shitjen dhe shërbimin e kasës fiskale kanë abuzuar duke tregtuar mall të pacertifikuar. Sakaq, në ministri ka nisur prej 4 ditësh faza e madhe e provimit për të pesta shoqëritë, të cilët duhet të kalibrojnë pajisjet e tyre sipas vendimit të fundit. Mësohet se njëra shoqëri nuk ka mundur të marrë autorizimin nga ministria për shkak të mangësive në pajisje dhe dokumentacion, kurse një tjetër e ka kaluar provën dhe është gati të dalë në treg. Mbeten për t’u testuar edhe tre shoqëri të tjera. Sipas sistemit të ri, shoqëritë duhet të zbatojnë kritere të reja në instalimin e kasave, të cilat duhet t’u përmbahen standardeve të kërkuara nga Ministria e Financave. Aktualisht në treg janë shpërndarë rreth 6 mijë kasa, ku rreth 33 për qind prej tyre rezultojnë se nuk i plotësojnë standardet. Këtë fakt e konfirmoi dhe vetë ministri i Financave, sipas të cilit nuk do të ketë asnjë tolerim.

Procesi

Muaji qershor është afati i fundit për biznesin e vogël të Tiranës dhe qyteteve të mëdha në rang qarku. Deri në fund të muajit, këto biznese kanë mundësi që t’i vendosin kasat, në të kundërt do të aplikohen gjoba që shkojnë deri në 100 mijë lekë të reja, madje dhe me mbyllje aktiviteti kush e përsërit. Problem për biznesin do të jetë gatishmëria e shoqërisë së kasave, nëse ka mundësi ta ofrojë shërbimin, për aq kohë sa janë të impenjuara me testimin në ministri. Pas këtij testimi, nëse e kalojnë, shoqëritë duhet të implementojnë sistemin e ri me kasat e shitura, proces që kërkon kohë.

Karburantet

Proces tepër i vështirë konsiderohet instalimi i kasave për pikat e shitjes me pakicë të karburanteve. Ka pasur disa vendime, projektligje dhe udhëzime nga Ministria e Financave në drejtim të procesit të vendosjes së kasave për karburantet, por kanë dështuar për arsye të ndryshme që lidhen me terrenin, kushtet ekonomike etj., por edhe për shkak të abuzimit nga shoqëritë. Me vendimin e fundit, instalimi i kasave për karburanteve kthehet në proces transparent, i detajuar dhe i garantuar, si për konsumatorin, ashtu edhe për autoritetet e tatimeve.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›