E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptari merr ftesën në disa festivale

Filmi Prodhimi shqiptaro-gjerman do të konkurrojë në kompeticione ndërkombëtare

“Shqiptari”, filmi i realizuar si bashkëprodhim shqiptaro-gjerman, ende pa u shfaqur premierë në Tiranë, ka konfirmuar tashmë pjesëmarrjen në disa festivale të rëndësishme. Pak muaj më parë, regjisori gjerman, Johannes Naber, xhiroi në territorin shqiptar. “Shqiptari” do të konkurrojë së pari në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Moskë, ku do të ketë një shfaqje për mediat më 23 qershor e pastaj do të vazhdojë konkurrimin në programin kryesor në datat 24 e 26 qershor. Më 28 qershor dhe 1 korrik do të konkurrojë në Festivalin e Filmit në Mynih, në seksionin e “New German Cinema” (“Kinemaja e re gjermane”), ndërsa më 5 korrik do të shfaqet në një festival tjetër të rëndësishëm, “Karlovy Vary International Film Festival”, në kategorinë “East of the West”. Konkurrimet vazhdojnë me “PriFilmFest” në Prishtinë dhe më 3-12 dhjetor 2010 në edicionin e 51-të të “Thessaloniki International Film Festival”. Filmi, një projekt i mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike, trajton temën e një shqiptari emigrant, një histori e shkruar nga Andeta Spahivogli dhe vetë Naber. I riu emigron për të siguruar një shumë parash që të martohet me Etlevën, vajzën që do. Personazhet interpretohen nga një kast aktorësh shqiptarë e të huaj si: Nik Xhelilaj, Xhejlane Terbunja, Ivan Shvedoff, Amos Zaharia, Stipe Erceg, çun Lajçi, Luan Jaha, Fatime Lajçi, Vasillaq Godo, Hazir Haziri, Eva Löbau, André Hennicke, Tomek Nowicki, Young-Shin Kim, Yllka Mujo, Guljem Radoja, Bruno Shllaku, Julian Deda.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›