E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr për kanalin, fshatari rreth kryetarin e komunës

Krujë Një 62-vjeçar goditi Kreun e Komunës Bubq, sepse po ndërtonte kanalin kullues në tokën e tij

Një kanal kullues që i shërben fshatit është bërë sebep dje që të sulmohet kryetari i Komunës Bubq në Rrethin e Krujës, Sokol Kollaku. Dëshmitarë okularë të ngjarjes bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur dje, në orën 09:30 të mëngjesit në një kafene në qendër të fshatit Bubq, ku Kollaku ishte ulur me tre persona të tjerë. Në kafene ka hyrë 62-vjeçari Bajram Daci, i cili ka nisur një debat me kryekomunarin dhe e ka ofenduar atë. Ndërsa Sokol Kollaku është munduar ta qetësojë fshatarin, duke i thënë të ulej pranë tij për të biseduar, kjo nuk është pranuar nga Daci, i cili e ka sulmuar kryekomunarin me grushte. Në këto moment kanë ndërhyrë edhe banorë të zonës që kanë shmangur acarimin e mëtejshëm të situatës. Ndërkaq për pak minuta, sipas burimeve të Policisë së Krujës, ka mbërritur edhe inspektori i rendit të zonës, që me ndihmën e forcave të policisë së Krujës ka bërë arrestimin e Bajram Dacit. Policia ka kryer edhe ekspertizën e vendit të ngjarjes dhe ka marrë dëshmitë e të pranishmëve. Sipas hetimeve të kryera nga policia, bazuar edhe në dëshminë e të arrestuarit, mësohet se shkak i konfliktit midis Dacit dhe Kollakut ka qenë një kanal kullues që kalon përmes fshatit Bubq. Të njëjtat burime sqarojnë se kanali kalonte pranë banesës së Bajram Dacit, i cili nuk e lejonte vazhdimin e punimeve për rikonstruksionin e kanalit. Me gjithë kontaktet të njëpasnjëshme në zyrat e komunës të Dacit me Kollakun nuk ishte gjetur konsensusi për lejimin e vazhdimeve të punimeve nga komuna për hapjen e kanalit. Në këto kushte, kryetari i Komunës kishte kërkuar edhe mbështetjen e këshilltarëve dhe ishte marrë vendimi për hapjen kanalit, pa dëshirën e Bajram Dacit. Kjo kishte ngjallur edhe indinjatën e 62-vjeçarit, i cili duket se kishte pritur hyrjen në lokal të kryekomunarit dhe pas tij ka hyrë edhe ai për ta ofenduar e qëlluar me grushte. Pas hetimeve, Policia e Krujës ka nisur dosjen në Prokurorinë e Krujës për Dacin, i cili akuzohet për veprën penale të “dhunimit për shkak të detyrës”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›