E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja “Fort Dix”, më së shumti çështje informatorësh se sulmi

Me sa duket kjo çështje ka më shumë spiunë të infiltruar sesa të arrestuar. Edhe pse FBI ka 15 muaj që po investigon të përfshirët në këtë çështje, ironia që i ka përndjekur si të akuzuarit, po edhe të infiltruarit, vijon ende.

Në marsin e 2007-s Besnik Bakalli u ka treguar të dyshuarve për Mahmoud Omar, një egjiptian që shkonte me ta në të njëjtën xhami. Bakalli nuk kishte simpati për Omarin. Ai madje është shprehur për të me këto fjalë: “Ai ka flokë shumë të pisët dhe është një gënjeshtar shumë i madh”. Ai ka shtuar edhe më se “egjiptiani është arrogant, fliste, nxiste dhe reklamonte Xhihadin sikur ai të dinte çdo gjë për të”. Në kohën që Bakalli thoshte këto fjalë, ai punonte për FBI-në dhe ai nuk e dinte se Omari ishte i FBI-së gjithashtu. Me sa duket në mënyrë të pavarur të dy informatorët kanë regjistruar me qindra bisedime me pesë të pandehurit, për të cilët prokurorët kanë thënë se janë inspiruar nga Al Kaeda për të sulmuar bazën e Fort Dix-it. Që nga fillimi i gjyqit për të pandehurit Omari dhe Bakalli kanë zënë vendet e dëshmitarëve për 23 ditë. Bakalli ka dëshmuar pothuajse gjithë javën e kaluar. Dhe në të shumtën e kohës rrëfimi i tyre ka qenë narrativ duke iu shtuar detaje për kasetat e regjistruara që iu ishin bërë të pandehurve. Ndërkohë avokatët mbrojtës të të pandehurve kanë përcaktuar Omarin dhe Bakallin si bashkëpunëtorë në konspiracion, me qëllimin për të pasuruar veten apo për të shpëtuar nga ndonjë krim i tyre i mëparshëm. Vetë prokurorët kanë debatuar se informatorët, të cilët nuk kanë qenë shtetas idealë, kanë qenë të duhurit, sepse formimi i tyre kulturor dhe fetar ju jepnin të drejtën për të ndërhyrë. Omari, një 39-vjeçar me profesion mekanik autosh, është një mysliman arabfolës, i cili bënte pazar në një ushqimore ku punonte dhe i dyshuari tjetër Mohamad Shnewe.

Ndërkohë Bakalli, 31-vjeçar nga verilindja e Filadelfias ishte një ndërtues me etni shqiptare, por si dhe objektivat e tij për Shain, Eljvir dhe Dritan Duka nga Cherry Hill.

Vetë të dy informatorët ishin emigrant ilegalë, të cilët patën udhëtuan shpesh nga njëri vend në tjetrin përpara se të përfundonin në karrigen e të pandehurve në sallën e gjyqit. E shkuara e Omarit ka qenë e mbushur plot me tentativa për emigrime si në Evropë edhe në Amerikë, tek e cila ka hyrë në 1990 nga kufiri meksikan. Ai është burgosur më shumë se një herë dhe në 2001 është arrestuar për mashtrim ndaj bankës, dhe më pas për falimentim dhe ky është edhe çasti kur FBI-a i propozoi atij të punonte për ta. Përpara se ai të pranonte, tentoi të fluturonte për në Kanada por e kapën dhe e rikthyen në Nju Xhersi ku dhe filloi punën si informator. Që nga gushti i 2006-s, FBI e ka paguar Omarin më shumë se 240.000 USD plus qiratë dhe shpenzimet e tjera. Ndërkohë ndryshe nga homologu i tij informator, nxitja e Bakallit për të punuar me FBI-në ishte vetjake. Ai po përballej me rrezikun për t’u rikthyer në Shqipëri sërish, para dy vitesh, kur agjentët e udhëzuan atë të bëhej shokë më vëllezërit Duka.

Që atëherë, FBI përveç informatorit ka rregulluar me letra edhe prindërit e Bakallit për të jetuar në Amerikë.

Tetë vjet më parë Bakalli zbriti në aeroportin JFK dhe mori lejen të rrinte në atë vend deri në çastin kur një kushëri i tij i telefonoi dhe i tha se dikush po i kërcënonte motrën në Shqipëri. Pasi udhëtoi me aeroplan dhe tren, informatori tha se arriti në shtëpi në orën 2 të natës dhe pasi fjeti pesë orë u zgjua, zuri burrin që kërcënonte të motrën dhe e gjuajti atë. “Kështu zgjidhen konfliktet në Shqipëri”, - ishte shprehur ai para gjykatësve.

“Ne nuk kemi numër telefoni 911 dhe duhet t’i rregullojmë gjërat vetë”. Bakalli u dënua për armëmbajtje dhe plagosje, por po në atë kohë ai fluturoi për në Amerikë.

Të dy burrat e infiltruar gjithashtu kanë pranuar për aktivizimin e tyre në konspiracion, për arsye investigimi, ku Omari më së shumti ka shtyrë Shnewer-in për të vendosur se kur dhe si ata do të fillonin sulmin e Xhihadit, për arsye se “doja të dija se çfarë kishte ai në mëndje”. Nga ana tjetër, Bakalli mundohej t’u mbushte mendjen vëllezërve Duka se ai ka pas luftuar me ushtrinë e UÇK-së dhe tashmë donte t’i bashkohej myslimanëve anë e mbanë botës për të luftuar. Ai tha para trupit gjykues se në të vërtetë asnjëherë nuk kishte luftuar për ndonjë forcë të armatosur si UÇK-ja në rastin konkret, si dhe nuk kishte asnjë ide për ekstremistët e Xhihadit. Dhe kjo në fakt është vërtetuar edhe në sallën e gjyqit në njërën nga kasetat e regjistruara nga përgjimet.

Dëshira e Bakallit për të takuar Bin Laden

Ka qenë shkurti i 2007-s koha kur burrat ishin mbledhur për një javë në shtëpinë e Dukajve dhe në një natë rreth orës 11 gjatë kohës që po shikonin disa video të Xhihadit Bakalli u shpreh se donte të udhëtonte dhe të takonte Osama Bin Ladenin. “Asnjëri nuk mundet”, - tha Shnewer. Kur Bakalli këmbënguli, Omari ja priti: “Më fal vëlla po asnjëri nuk mund të takohet me atë. Mos mendo se mund të shkosh në kafene të pish një kafe dhe të shohësh atë në sy”. Të tjerët ndërkohë filluan të qeshin me të madhe dhe po me ta u bashkua edhe Bakalli, i cili po qeshte nga zori, me qëllimin për të fshehur injorancën e tij në lidhje me këtë temë.

Zbulimi

Zbulimi i të ashtuquajturës organizatës terroriste "Ft. Dix Six" u bë nga infiltrimi i Mahmut Omarit nga Egjipti dhe Besnik Bakallit me origjinë shqiptare, që bënë të mundur kapjen e të akuzuarve për sulm terrorist ndaj bazës ushtarake në Xhersi. Prej majit 2006 deri maj 2007, të dy agjentët kanë raportuar raste kur personat merrnin nën vëzhgim bazën, kryenin përgatitje ushtarake, të cilat i filmonin apo grumbullonin në mënyrë ilegale municione. Serdar që kishte punuar në picerinë, ku ortak ishte Dritan Duka në Nju Xhersi, deklaronte se kishte shpërndarë shpesh pica në bazë dhe ai e njihte atë, si dhe dinte mënyrën për të hyrë dhe dalë prej andej. Ai identifikohet shpesh si udhëheqësi i grupi. I përgjuar nga CW-1, Mohamad Shnewer ka pohuar se së bashku me vëllezërit Duka do të godisnin bazën, por ai që i udhëhiqte ishte Serdar. Dritan Duka në një bisedë të incizuar thotë se Serdar kishte "vetëm një mendim, të vriste sa më shumë ushtarë amerikanë". Biseda e fundit është regjistruar nga agjenti CW-1 me Dritan Dukën, ku të dy kanë diskutuar për blerje armësh dhe daton më 27 prill 2007, pak ditë para arrestimit.

Kush është Besnik Bakalli

Shqiptari Besnik Bakalli, i infiltruari i FBI-së në grupin terrorist që do sulmonte bazën amerikane “Fort Dix” në vitin 2007, ka qenë në kërkim nga drejtësia shqiptare deri në shkurt të vitit të kaluar. Kjo, pasi ai kishte përfituar nga amnistia e Parlamentit që hyri në fuqi në shkurt të 2007-s, ku liheshin të lirë të gjithë personat që merrnin masën e dënimit me burg deri në 2 vjet. Bakalli kishte kryer veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje në qytetin e Kukësit, vepër e cila parashikon deri në 2 vjet burg. Emri i Bakallit ishte në listat e Interpol-Tiranës, që e kishte vendosur në atë kohë në listën e 960 personave të shpërndarë në botë si të kërkuar nga drejtësia shqiptare. Por pikërisht në ditët që Bakalli u fal nga Parlamenti, ai ishte i përfshirë në operacionin sekret të policisë federale amerikane. Disa nga bisedat e përgjuara që u paraqitën si prova në gjyqin e 5 të dyshuarve, mbajnë datat 8 dhe 23 shkurt 2007. Gjatë dëshmisë së tij ditën e hënë, Bakalli tha se operacioni nisi që në korrik të 2006-s, kur ai u infiltrua nga FBI në një periferi të Nju Xhersit, që të hynte në kontakt me të dyshuarit, tre shqiptarë me origjinë nga Dibra e Madhe e Maqedonisë. Por në momentet që Bakalli ka kryer edhe përgjimet, kishte përfituar nga amnistia, e cila hyri në fuqi më 1 shkurt të atij viti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›