Një ridimensionim i pritshëm apo i nevojshëm?
Pak ditë më parë, në një raport që bëhet çdo 4 vjet të quajtur Trende Globale 2025, të Këshillit Kombëtar të Inteligjencës në SHBA, vihej theksi te rritja e fuqisë strategjike, ekonomike dhe ushtarake e Kinës dhe Rusisë dhe rikthimit drejt një bote shumëpolare, ku roli i Amerikës si superfuqi e vetme nuk ishte i garantuar. Dollari po e humbet gradualisht forcën e tij dominuese si monedha kryesore dhe kriza aktuale financiare e një sistemi ultra-liberist që duket se ka dalë jashtë kontrollit, në mos ka lëkundur themelet e pozicionit aktual amerikan si një kuazi-hegjemon që dominon nën flamurin e globalizimit, ka shtuar zërat për një rikonceptim të rolit të pakundërshtuar të SHBA-së si lider i paprecedentë për më shumë se një shekull dhe i paparaleltë për më tepër se një dekadë.
Në një artikull të vitit 1998, të titulluar “Një Shekull i Dytë Amerikan”, Zuckerman parashikonte: “Amerika do vazhdonte zgjerimin e mëtejshëm të fuqisë së saj mbi pjesën tjetër të botës. Ashtu sikundër Franca dominonte në shekullin e 17-të, Britania e Madhe në të nëntëmbëdhjetin, SHBA-të dominuan në shekullin e njëzetë dhe do vazhdojnë të dominojnë në atë të 21-të”. Një mendim krejt të kundërt parashtronte Krugman në po të njëjtin vit, kur thoshte ndërmjet të tjerave: “Sensi aktual që Amerika është në krye të botës është një ekzagjerim i madh që bazohet në implikimet e disa viteve të mira këtu dhe disa viteve të këqija gjetkë. Historianët e së ardhmes do dëshmojnë që shekulli i 21-të nuk ka qenë i amerikanëve”. Tashmë që kemi rreth një dekadë që kemi hyrë në shekullin e 21-të, mund të nxjerrim inferenca më solide dhe të faktuara, bazuar në këto predikime jo të largëta në kohë.
Nga ana tjetër, edhe dominimi tradicional industrial dhe financiar i vendeve të G-7-ës, plus Rusinë, u duk se po lëkundej së fundmi ku në vend të takimit tradicional të këtij grupimi, u pa një G-20 e re, që përfshinte Kinën, Indinë, Brazilin apo vende të tjera që po rriten me shpejtësi si pjesë e një rikonceptualizimi të fuqive kryesore botërore. Pra, kemi një rritje të ndikimit të vendeve të Jugut apo të ashtuquajturat vende më pak të zhvilluara (less developed countries - LDC). Po aq i rëndësishëm është fakti që ky takim u komentua nga një pjesë e medias kryesore ndërkombëtare si një përpjekje për të rindërtuar një sistem ekonomik të ri botëror apo e thënë ndryshe, një Bretton Woods të dytë me parime më të forta rregullatore dhe që do zbuste disa nga efektet e krijuara nga kriza e fundit. Se sa do arrijë ky sinjal i dhënë nga takimi formal i krerëve të 20 prej shteteve më të industrializuara apo me rritjen më të shpejtë ekonomike do arrijë të konfiguroj një rend të ri shumëpolar si në prizmin ekonomik ashtu edhe në atë politik apo ushtarak, kjo ngelet për t`u parë dhe testuar.
Ajo që dihet me siguri është se Evropa e Bashkuar është një ‘gjigand ekonomik, por xhuxh financiar’, sikundër ritheksohej te raporti i fundit i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës apo se me rritjen ekonomike aktuale të Kinës, shumë shpejt, madje pa arritur ende 2025-ën, Kina mund ta kalojë SHBA-në në krye të renditjes së shteteve me ekonominë më të fuqishme botërore. Edhe rritja e ngadalësuar ekonomike e kinezëve që duket se është projektuar në 7-8 për qind për vitin që vjen, në ndryshim nga 9 për qind në vit që ka qenë deri tani, është ku e ku më e lartë se ajo e partnerëve evropianë apo amerikanë. Po t`i shtosh kësaj faktin që shpeshherë disa tregues makro-ekonomikë u fshihen ndërkombëtarëve për të vazhduar përfitimin nga skemat financiare që ndihmojnë vendet në zhvillim, si dhe lëvizjen përherë e më tepër shumëkombëshe në territorin kinez, si dhe faktin që një shtresë e re miliarderësh, por edhe shtrese të mesme ka filluar të projektohet qartazi atje, fuqizimi dhe ndikimi të paktën rajonal, por edhe global i Kinës do vijë vazhdimisht në ngjitje. Për sa i takon rajonit, mund të thuhet që sasia e tregtisë që vendet e Azisë së Largët dhe Juglindore bëjnë me njëri-tjetrin, i tejkalon disa herë nivelet e shkëmbimeve tregtare që ata kanë me të tretët, çka e përforcon tezën e një rajoni dinamik dhe që ka qartazi dy fuqi rajonale par excellence, Kinën dhe Japoninë, si dhe Indinë që nuk ngelet shumë pas, për të mos folur për Tigrat e Azisë etj.
Pyetja që shtrova në titullin e këtij shkrimi ngjan si pa sens, pasi pritshmëria nuk e përjashton nevojshmërinë dhe as garanton siguri maksimale nga ana tjetër, apo paevitueshmëri, e thënë ndryshe. Projeksionet ngelen projeksione dhe ka ekonomistë dhe politikanë në Perëndim që ngelen tepër skeptikë në një fuqi reale politiko-ushtarake të Moskës apo Pekinit p.sh., dhe vënë theksin që rritja ekonomike jo domosdoshmërisht përkthehet në muskuj gjeopolitikë dhe gjeostrategjikë. Nga ana tjetër, kemi zëra që argumentojnë që asgjë të keqe nuk ka në një rikonfigurim të ri shumëpolar me aleanca fluide dhe pragmatiste, të afta për të kundërbalancuar njëra-tjetrën në rast rreziku dhe të ndërtuara mbi baza interesash personale. Madje, kjo gjë do garantonte më tepër stabilitet në një botë përherë e më të trazuar nga rreziqe që kërcënojnë të gjitha palët njëtrajtësisht, të tillë si terrorizmi, sëmundjet e shekullit, krimi i organizuar, dobësitë e sistemit financiar global, të cilat nuk mund të luftohen vetëm me masa unilaterale etj.