E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptaret ne Gjermani po testohen ne miqesore ne pritje te Bundesliges

Ende nuk ka filluar futbolli serioz i Bundesligës në Gjermani, ashtu si në pjesën më të madhe të Europës, por ndeshjet përgatitore po rreshtohen njëra pas tjetrës.

Një të tillë e luajti edhe Këlni, skuadra ku është regjistruar talenti i ri shqiptar, Odise Roshi, ndërsa ekipi i Lukas Podolskit fitoi 2-1 ndaj Panathinaikosit të Athinës.

Takimi i luajtur në Austri, në prani të rreth 1 000 tifozëve, u vendos nga golat e Podolskit dhe Peconit, ndërsa për grekët barazoi përkohësisht Leto.

Roshi arriti të gjejë vend në fushë, në minutën e 69-të, pasi zëvendësoi Riterin. Ky është një përparim për fierakun që luajti vjet për Flamurtarin, ndërsa vazhdon të përgatitet seriozisht për sezonin e ri të Bundesligës, ku ai do të bëjë debutimin në elitën e futbollit gjerman.

Përpara se të ndodhë kjo, Roshi do të ketë rast të masë forcat me Arsenalin e Londrës në një miqësore që do të zhvillohet më 23 korrik.

Ndërsa ekipi i Roshit fitoi, ai i Altin Lalës pësoi humbje. Hanover luajti një miqësore në Bad Redkersburg ndaj izraelitëve të Hapoelit të Tel Avivit duke u mundue 2-1. Abdelaue shënoi për skuadrën gjermane, ndërsa Shivhon dhe Damari i dhanë fitoren izraelitëve. Lala ishte në fushë gjatë gjithë pjesës së parë, ndërsa në nisje të pjesës së dytë u zëvendësua nga Hauger.

Për ish-kapitenin legjendar, ky do të jetë sezoni i fundit i futbollit dhe për herë të parë në karrierë do të luajë në kupat e Europës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›