E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetë vjet pas luftës, 2.000 të zhdukur

Autori i Lajmit: red.
Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, 30 gusht, e gjen Kosovën tetë vjet pas luftës së vitit 1999, me rreth 2 mijë persona ende të pagjetur.
Vendet më të prekura nga lufta e fundit në Kosovë, ishin pjesët Qëndrore dhe Perëndimore të Kosovës, qytetet me rrethina të Rrafshit të Dukagjinit, Drenicës etj, ku numri i viktimave e të zhdukurve ishte me mijëra.
Rreth 5 km larg kryeqytetit, në Fushë Kosovë, u morën dhe u zhdukën 16 meshkuj të të njëjtës familje, të moshave të ndryshme. Për shtatë vjet me radhë, familjarët nuk kishin asnjë të dhënë për ekzistencën e tyre.
Vetëm dy vjet më parë, me anë të ekspertizës mjeko-ligjore, ata mundën të indentifikonin mbetjet e trupave.
Rrëmbimi dhe zhdukja e vëllezërve të njërës prej zonjave të familjes ka lënë pasoja edhe sot pas luftës.
Zonja Nazmie Mirena, jeton së bashku me familjen e saj dhe nusen, bashkëshortin e së cilës ja vranë në masakrën e pranverës së vitit 1999.
“Pasi na i morën, 16 anëtarë të familjes sonë, pritëm disa vite, dhe dy vjet bëhen më 28 korrik që i kemi varrosur. Një herë nuk dinim asgjë për ta, por që kur i kemi varrosur, na duket më lehtë. Po shkojmë t i vizitojmë, por për ne është shumë e rëndë. Shtatë vjet nuk janë gjendur, ne na merrnin gjakun për të bërë indentifikimin e tyre, por kur na lajmëruan se i kanë gjetur, na mbaruan të gjitha shpresat”.
Një nga gratë e po të njëjtës familje e quajtur Nurie Mirena, një zonjë e moshës së thyer, tregon se shtatë vite pas përfundimit të luftës nuk ka ditur asgjë për familjarët e saj. Vetëm dy vite më parë, ajo indentifikoi mbetjet e trupave të dy djemve dhe bashkëshortit të saj.
Në Kosovë, pas luftës u raportuan rreth 6 mijë të zhdukur, prej tyre kanë mbetur pa u indentifikuar edhe 1950 persona të tjerë.
Rreth 400 mbetje mortore, shumica prej tyre shqiptare, priten të indentifikohen në morgun e Prishtinës.
Rreth 25 deri 30 për qind e mbetjeve mortore konsiderohen të jenë serbe dhe minoriteteve të tjera.
Që nga viti 2007 nuk janë dhënë informacione të sakta për varreza të mundshme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Prishtina thotë se eshtrat e shqiptarëve të zhdukur ndodhen në Serbi, ndërsa Beogradi gjithashtu pretendon se një numër i konsiderueshëm i eshtrave të serbëve të vrarë gjatë luftës së fundit, ndodhen në Kosovë.
Prej katër vitesh një delegacion i Kosovës, udhëhequr nga KMDLNJ-ja, ka biseduar me delegacionin nga Beogradi për gjetjen e trupave të tjerë, të cilët konsiderohen të zhdukur.
Kryetari i Këshillit Koordinues të Familjeve të të zhdukurve thotë se do të duheshin shekuj derisa këto dy delegacione të zgjidhnin përfundimisht çështjen e personave të pagjetur.
“Mendojmë dhe bindja jonë është e mbështetur, na mban shpresa. E kemi thënë këtë për disatën herë, se të gjitha këto të dhëna janë në sirtarët dhe arkivat e pushtetarëve akutualë të Serbisë”.
Bisedimet, të cilat janë mbajtur vazhdimisht mes Prishtinës dhe Beogradit, janë cilësuar mjaft të ngadalta, përsa i përket gjetjes së personave të zhdukur.
Kryqi i Kuq ndërkombëtar, i cili e mbikqyr këtë process, ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me kohëzgjatjen e gjetjes së personave të pagjetur.
Qeveria e Kosovës thotë se angazhohet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve pavarësisht përkatësisht së tyre etnike.
Ndërkohë, autoritetet kanë bërë thirrje që kjo çështje të mos politizohet, por të mbetet një çështje humanitare.
Në qershor të këtij viti, palët dialoguese Prishtinë – Beograd për të pagjeturit mbajtën takimin e tyre të fundit në Prishtinë, ndërsa ai i radhës pritet të mbahet në shtator të këtij viti në Beograd.
Sipas Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, vazhdimi apo mbyllja e proçesit të bisedimeve do të varet nga institucionet të cilat do të vlerësojnë nëse ky proçes do të mund të sjellë rezultate në këtë mënyrë.

Ky lajm është publikuar: 30/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›