MB: Ligji për SHKB-në, u përfshinë vërejtjet e opozitës
Në ligjin për Shërbimin e Kontrollit Kombëtar janë përfshirë 80% e propozimeve të ardhura nga opozita. Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta të Ministrisë së Brendshme. Opozita e ka kundërshtuar këtë projektligj të cilin e cilësoi si një ligj që kërkon të vendosë nën fre të qeverisë këtë institucion. Ndërkohë që ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në lidhje me këtë ligj është shprehur se projektligji për SHKB-në është hartuar në bashkëpunim me ekspertët e huaj. Nishani tha se ky institucion do të reformohet tërësisht, do të jetë më i pavarur si dhe do të bëjë të mundur parandalimin e fenomeneve antiligjore në Policinë e Shtetit si korrupsioni apo keqpërdorimi me detyrën. “SHKB-ja është një agjenci që ka objekt kontrollin vetëm të Policisë së Shtetit. Pra, kontrollon dhe inspekton vetëm Policinë e Shtetit. Çdo interpretim, çdo hamendësim për një strukturë që del me kompetenca të mëdha është i pasaktë. SHKB-ja është shërbim inteligjent, që kontrollon bazueshmërinë ligjore të veprimtarisë së Policisë së Shtetit, ashtu siç ka shërbime të tilla dhe një sërë institucionesh të tjera”, - është shprehur ministri Nishani.