E Diel, 1 Nëntor 2026

A/H1N1, vaksinimi nis në muajin dhjetor



Vaksinimi kundër virusit të gripit të derrit A/H1N1 do të nisë të vendin tonë në muajin dhjetor. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dje në mbledhjen e Komisionit të Shëndetësisë deklaroi se në fund të këtij muaji mbërrin sasia e vaksinave të porositura dhe në muajin dhjetor nis vaksinimi i grupeve të përcaktuara. Gjithashtu, Vasili deklaroi se në këto ditë analizat e virusit A/H1N1 do të kryhen në Shqipëri e nuk do të dërgohen më në laboratorët e Rumanisë.

Vaksinimi

Gjatë mbledhjes, ministri vlerësoi se situata e gripit të derrit në vend është nën kontroll, pavarësisht alarmit të dhënë në vendet fqinje. Sipas tij, momentalisht nuk ka të prekur të rinj me virusin A/H1N1 dhe se gjendja është e normalizuar krahasuar me gjendjen në vendet e tjera, ka lidhje me masat që janë marrë që në kohë të hershme. Ndërsa siguron që vaksina kundër virusit të gripit të derrave do të mbërrijë në vendin tonë brenda muajit nëntor për të nisur vaksinimin e grupeve më të rriskuara në muajin dhjetor. “Vaksinimi kundër virusit A/H1N1 do të nisë me grupet e riskut, të cilat janë përcaktuar si të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe fëmijët”, - tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Po gjatë mbledhjes së Komisionit të Shëndetësisë ministri u shpreh se brenda pak ditësh analizat e virusit A/H1N1 do të kryhen në Shqipëri e nuk do të dërgohen më në laboratorët e Rumanisë, përgjigjet e të cilave ktheheshin pasi pacienti ishte shëruar. “Brenda pak ditësh do të kemi laboratorin tonë”, - tha kreu i Shëndetësisë.

Sasia

Ministria e Shëndetësisë siguron se vaksinat e porositura nga nuk do të shiten në farmaci e as do të jepen në spitale. Sipas strategjisë së hartuar nga grupi i posaçëm i punës, i ngritur pranë këtij institucioni, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik, vaksinimi do të kryhet në poliklinika, ashtu sikurse ndodh edhe me vaksinimet e tjera masive që kryhen në vendin tonë. Në total, bëhet e ditur se vendi ynë është gati të përfitojë rreth 1 milion e 200 mijë vaksina, çka shihet si një sasi e mjaftueshme për vaksinimin e të gjithë popullatës që ka rrezik nga prekja e gripit të derrit. Prej kësaj sasie, 600 mijë vaksina pritet të porositen nga qeveria gjermane në shërbim të qeverisë shqiptare. Kjo, pasi Gjermania do të porosisë më shumë se 40 milionë vaksina dhe kompanitë farmaceutike u japin më shumë përparësi këtyre sasive sesa sasive që mund të porositen nga vende të vogla si Shqipëria.

Pjesa tjetër e vaksinave pritet të sigurohet nga Hungaria dhe nga Kroacia. Drejtorja e Institutit të Sëmundjeve Ngjitëse në Evropë, njëkohësisht një nga kandidatet më të forta për postin e drejtores së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për Evropën Juglindore, i kishte premtuar qeverisë shqiptare se do të ndërhynte në kompanitë farmaceutike të Hungarisë, që të siguronin këtë sasi për vendin tonë. Ndërkohë, 300 mijë vaksinat e tjera janë siguruar nga negociatat e zhvilluara mes vendit tonë dhe një kompanie farmaceutike me bazë në Kroaci.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›