E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti rajonal, Beogradi eviton Tiranën e Prishtinën

 

Në Beograd nisi dje punimet konferenca rajonale kundër krimit në Ballkan, ku Shqipëria dhe Kosova nuk ishin të ftuara. Mungesa e ftesës për Kosovën ishte e pritshme duke njohur qëndrimin që mban Serbia kundrejt saj. Por evitimi i autoriteteve shqiptare në këtë aktivitet rajonal është i pashpjegueshëm. Konferenca nisi menjëherë pas kthimit të përfaqësuesve të lartë të vendeve nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ku Serbia dhe Shqipëria “u ndeshën” për pjesëmarrjen e delegacionit kosovar në sallën e OKB-së gjatë fjalimit të kryeministrit Sali Berisha. Menjëherë pas kësaj, Serbia dorëzoi një notë proteste në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe kërkoi një hetim për pjesëmarrjen e delegacionit kosovar në selinë e OKB-së. Autoritetet shqiptare nuk janë deklaruar rreth mungesës së ftesës në këtë aktivitet dhe mbetet e paqartë nëse grindja në OKB për pavarësinë dhe të drejtat e Kosovës ishte motivi i ftohjes së mëtejshme të marrëdhënieve mes Tiranës dhe Beogradit. Nga konferenca rajonale ministrore në Beograd për luftën kundër krimit: “Përballja me Sfidat e Krimit të Organizuar dhe me Veprat e Rënda Penale në Ballkanin Perëndimor”, të hënën është paralajmëruar ndërmarrja e masave energjike për luftimin e këtyre dukurive në Ballkan. Konferenca dyditore ministrore kushtuar forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe transnacional, shihen si parakusht për procedimin e suksesshëm të rasteve gjyqësore. Duke hapur konferencën ministrore, presidenti serb, Boris Tadiç, ka ftuar vendet e rajonit që të përfshihen në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar, sepse, në të kundërtën, do të pasojnë sfida të reja, pasojë e të cilave do të jetë ndalja e zhvillimit ekonomik. Ndërkohë, i ftuar në konferencë zv.kryetari i Komisionit Evropian, Zhak Barrot, ka deklaruar se krimi rrezikon integrimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian. Gjatë një fjalimi në Beograd, ai tha se përmes territorit të Ballkanit çdo vit kontrabandohen rreth 100 tonë heroinë, në vlerë prej 416 milionë eurosh. Barrot ka theksuar se testi i vërtetë i efikasitetit të një shteti në luftën kundër mafies është forcimi i sistemit gjyqësor dhe konfiskimi i pasurisë së kriminelëve. Në konferencë marrin pjesë ministrat e Drejtësisë nga Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, zv.ministri italian i Drejtësisë, ministri i Brendshëm i Hungarisë dhe ministrat rajonal të Punëve të Brendshme. Marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë të 16 shteteve, në mesin e të cilëve janë Austria, Gjermania, Spanja, Suedia, Zvicra, si dhe përfaqësues të Këshillit të Evropës, Komisionit Evropian, Europolit EuroJust, Interpolit dhe OSBE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›