E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetova dhe Gostivari braktisin BNJVLM-në

Tetovë -Kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti ka paralajmëruar formimin e një Bashkësia të re të njësive të vetëadministrit lokal të Pollogut, për shkak të mospërfshirjes së kryetarëve të komunave të Tetovës dhe Gostivarit në Bashkësinë e Njësive të Vetëadministrit Lokal të Maqedonisë (BNJVLM). Kryetarët e komunave të Tetovës, Sadi Bexheti dhe ai i Gostivarit Rufi Osmani kanë braktisur mbledhjen e djeshme të BNJVLM-së, në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e dy komunave më të mëdha shqiptare në Këshillin drejtues të BNJVLM-së. Ndërkohë pa praninë e tyre u zgjodh Këshilli i ri drejtues si dhe kryetari i BNJVLM-së, Koce Trajanovski, kandidati i VMRO-DPMNE-së që fitoi në qytetin e Shkupit.

Bexheti ka nënvizuar se rajoni i Pollogut numëron mbi 400 mijë banorë dhe nëntë komuna, andaj sipas tij duhet të përfshihen në organin e lartë drejtues të këtij institucioni. Kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani ka kërkuar sqarime se cilat janë kriteret për të zgjedhur anëtarët e Këshillit drejtues, në kuadër të së cilit është zgjedhur kryetari i komunës së Çairit Izet Mexhiti dhe kryetari i komunës së Haraçinës, Basri Bajrami. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›