Tetovë: Grabisin argjendarinë, një i vrarë dhe dy të plagosur

Një person ka humbur jetën, ndërsa dy janë plagosur gjatë një incidenti në Tetovë, kur persona të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri kanë tentuar të grabisin argjendarinë “Isak” në qendër të Tetovës.
Sipas burimeve policore, mesohet se ka humbur jetën njëri prej grabitësve, ndërsa plagë në këmbë me armë zjarri ka marrë pronari i argjendarisë, Isak F, si dhe një polic, i cili ka shpëtuar me plagë të lehta.
Rasti ka ndodhur rreth orës 18.00 të shtunën, kur tre apo katër grabitës janë futur në argjendari që gjendet në afërsi të Gjykatës në Tetovë.
Grabitësit kanë marrë arin dhe stolitë që kanë gjetur në dyqan dhe me dy vetura janë arratisur në drejtim të fshatit Jegunovc. Njëra prej patrullave policore, që kishin bllokuar akset rrugore në dalje të Tetovës, është përleshur me grabitësit, ndërsa njëri prej tyre është vrarë. Ndërkohë, pronari i argjendarisë, pas ndihmës së parë që iu ofrua në spitalin e Tetovës, është transferuar në Qendrën Klinike në Shkup.