E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetovë, këshill organizativ për 100-vjetorin e Pavarësisë

TETOVË - Me iniciativë të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha dhe nën patronazhin e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, u krijua sot Këshilli Organizativ për 100-vjetorin e Ditës së Flamurit.

Kryetar i Këshillit Organizativ u emërua zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë, i angazhuar për Marrëveshjen e Ohrit, Musa Xhaferi, ndërsa Koordinator i Këshillit u emërua Artan Grubi.

Këshilli Organizativ përbëhet nga drejtuesit e Universitetit Shtetëror të Tetovës, Universitetit të Evropës Juglindore, Instituti Albanologjik, Muzeu i Alfabetit, Muzeu i Lirisë, Lëvizja ZGJOHU!, Qendra Kulturore Informative, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, Shoqata e Historianëve Shqiptarë, Katedra e Gjuhës Shqipe pranë Universitetit të Shkupit dhe intelektualë shqiptarë.
Ky këshill do të zgjerohet edhe me drejtuesit e komunave, organizatave joqeveritare si dhe institucione të tjera të cilat do të japin kontribut të drejtpërdrejtë në shënimin madhështor të vitit të shqiptarëve.

Manifestimet e Këshillit Organizativ për 100-vjetorin e Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë do të fillojnë më 17 janar 2012 kur do të vihen themelet e sheshit ''Skënderbeu'' në Shkup që përkon me përvjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe të atdhetarëve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka.
Këshilli Organizativ do të organizojë manifestime kombëtare gjatë gjithë vitit 2012.
Gjatë takimit të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, që u mbajt në Shkup më 9 nëntor, bashkëbiseduesit ranë dakord për formimin e këtij këshilli, që do t'i koordinojë aktivitetet me këshillat organizativë në Tiranë dhe në Prishtinë me rastin e 100-vjetorit të Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›