E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta – Besa, sfida e “motrave”

Teuta e Durrësit - në një formë të shkëlqyer - dhe Besa e Kavajës – në një nga sezonet më të errëta të sa dhe në vend të fundit do të përballen të shtunën në “Niko Dovana”, në një ndeshje shumë të rëndësishme për fatet e mëtejshme të skuadrës kavajase.

Dy klubet janë fqinjë, por dhe dy presidentët, Edmond Hasanbelliu dhe Nexhat Bizhdili janë miq të vjetër. Në fazën e parë, në Kavajë, sfida u mbyll në barazim pa gola.

Teuta vjen pas fitores befasuese – e të merituar - ndaj Dinamos në kryeqytet (2-1), ndërkohë që Besa humbi 1-0 me Flamurtarin në Vlorë në një ndeshje shumë të kundërshtuar nga presidenti kavajas, Nexhat Bizhdili.

Trajneri i Teutës, Edi Martini, në një prononcim të tij për mediat tha se ndeshja me Besën është shumë e vështirë pasi kavajasit ndodhen në një pozicion delikat.

Gjithsesi, kapiteni i Besës, Meglid Mihani, premton se skuadra e tij do të marrë 6 pikë nga dy ndeshjet e mbetura: me Teutën në Durrës dhe Shkumbinin në Kavajë.

Në dy ndeshjet e zhvilluara gjatë sezonit të kaluar në Durrës, Teuta fitoi 3-2 dhe barazoi 1-1, ndërkohë që fitorja e fundit e kavajasve në “Niko Dovana” daton, më 20 dhjetor 2008 (1-0) dhe i përket sezonit 2008-2009.

Aktualisht, dy skuadrat kanë një diferencë të qartë pikësh, me Teutën në kuotën e 21 pikëve dhe në vendin e gjashtë, ndërkohë që Besa ka grumbulluar nga 14 javët e para vetëm 9 pikë, e që për më tepër nuk ka mundur të fitojë asnjë ndeshje në transfertë.

Interesant është një fakt, sulmuesi i ri i Teutës, Mirel Çota (22 vjeç) ka shënuar i vetëm 7 gola (nga 17 të durrsakëve), kur i gjithë ekipi i Besës ka realizuar 8 gola, sulmi më i dobët në kampionat.

Teuta bazohet tërësisht në një skuadër me moshë të re mesatare, ku vetëm mbrojtësi Arjan Sheta dhe mesfushori Edmond Doçi janë 29 vjeç. Mesfushori Erjon Hoti është 27 vjeç.

Pjesa tjetër, ku mund të veçosh sulmin përbehet nga lojtarë të rinj pa shumë përvojë, por me pasion të madh për të luajtur: Mirel Çota është 22 vjeç, 7 gola;  Brunild Pepa (20 vjeç, 5 gola), Orjon Xhemalaj (21 vjeç, 0 gola) dhe Astrit Rakipi (20 vjeç, 0 gola).

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Premte, 17 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›