Teuta-Besa, derbi me synime të kundërta
Java e 16-të e Superligëes, e cila do të luhet të shtunën (dy takime) dhe të dielën (katër të tilla) në orën 13:30, parashikon transferta të vështira të dy rivaleve kryesorë për titullin kampion. Kryesuesit e Vllaznisë do të zbresin në fushën e Bylisit. Të dyja skuadrat, megjithëse kanë synime të ndryshme në këtë sezon, kërkojnë të grumbullojnë sa më shumë pikë.
Një transfertë të vështirë do të ketë dhe Tirana e vendit të dytë. Pas fitores në javën e fundit, bardheblutë do të kërkojnë vazhdimësinë edhe në stadiumin e Vlorës. Ndërkohë, Flamurtari kërkon të regjistrojë një tjetër fitore në fushën e tyre.
Java e 16-të e Superligës sjell dhe dy përballje që cilësohen si derbi nga tifozeritë përkatëse. Të shtunën në “Niko Dovana”, Teuta do të presë Besën, që vjen në këtë takim pas fitores së një jave më parë, ndërkohë që Shkumbini do të luajë në fushën e tij kundër Elbasanit. Të dyja ekipet me rivalitet të vjetër kërkojnë tri pikët nga kjo sfidë. Teuta u eliminua nga Kupa e Shqipërisë nga Vllaznia (1-0, 1-3), ndërsa presidenti i “djemve të detit” nuk i kurseu akuzat ndaj gjyqtarit Artan Taullau për mosdhënien e një 11-metërshi, që mund edhe t’i kishte siguruara skuadrës durrsake kualifikimin në çerekfinale. Ndërkohë që historia e Kupës mbaroi, Teuta përgatitet për sfidën kundër Besës në javën e 16-të të Kategorisë Superiore. Takimi i parë në Kavajë u mbyll 1-1, e sa për statistikë, ky ishte dhe goli i parë i Teutës pas katër javëve kampionat (më saktë ishte një autogol i Besës).
Teuta ka ndryshuar rrënjësisht prej atyre javëve të para të zbehta, ndërkohë që dhe Besa (ndodhet më poshtë në renditje, me 2 pikë më pak, 22) është duke bërë ndeshje të mira, parë dhe fitoren e fundit me Shkumbinin (2-0). Teuta pretendon të zërë një vend në kompeticionet europiane dhe vetëm një renditje nga vendi i parë deri te i katërti mund ta çojë atje me kusht që Kupa e Shqipërisë të ketë në finale, dy nga vendet që renditen pikërisht në vendet 1-4 në fund të sezonit. Java e 16-të e Superligës plotësohet me ndeshjen tjetër të ditës së shtunë, ku Partizani i vendit të fundit do të luajë në fushën e Apolonisë, që vjen në këtë takim pas dy humbjeve radhazi.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 16
E shtunë, 20.12.2008
Apolonia-Partizani
(Gjyqtar: Albano Janku)
Teuta-Besa
(Gjyqtar: Sokol Jareci)
E diel, 20.12.2008
Bylis-Vllaznia
(Gjyqtar: Edvan Hoxha)
Shkumbini-Elbasani
(Gjyqtar: Ervis Peza)
Dinamo-Lushnja
(Gjyqtar: Sokol Çekaj)
Flamurtari-Tirana
(Gjyqtar: Lorenc Jemini)
E Para sot mbyll fazën, Skënderbeu me “kurorë dimri”
Kategoria e Parë do të luajë sot aktin e fundit të fazës së parë. Sfidat janë interesante dhe pragndeshjet janë përgatitur jo pa polemika. Drejtuesit korçarë janë kundër gjyqtarit Kridens Meta, i cili do të gjykojë takimin e javës së 15-të Tërbuni-Skënderbeu. “Na ka ndëshkuar disa herë”, - deklaroi drejtori Ekzekutiv i Skënderbeut, Gjergji Ballco. Trajneri Renato Rrapo kërkon fitoren me pukjanët. Kapiteni Bledi Shkëmbi dhe mbrojtësi Daniel Drabaj do të mungojnë për arsye kartonësh. Nigeriani Tocuku mund të huazohet te Bilisht Sport. Gjithsesi, edhe pa e luajtur këtë takim apo dhe të humbasë, Skënderbeu është matematikisht kampion i dimrit në këtë kategori. Debutuesit e Kategorisë së Parë, Tërbuni i Pukës, do të përballen me skuadrën më të mirë të këtij kompeticioni, Skënderbeun. Trajneri Ylber Zani beson se mund të ndalë në Pukë korçarët, të cilët kanë dy mungesa të rëndësishme, Shkëmbin e Drabajn. Trajneri Ramazan Ndreu synon tri pikë me Turbinën e Cërrikut. Formacionit krutan nuk ka asnjë mungesë, pasi rikthehet mbrojtësi Hoxha. Turbinës i mungojnë tre lojtarë titullarë: Xhenal Rada, Rigels Turtulli dhe Marios Metaj.
Kolonjarët e Ilir Qirjakos janë përballë një transfertë të vështirë në Bilisht. Sulmuesi Ardit Shaqiri deklaroi se skuadra e tij do të futet në fushë vetëm për fitoren. Për Gramozin rikthehet goleadori më i mirë i Kategorisë së Parë, braziliani Marko Dos Santos. Trajneri i ri i Luftëtarit, Mustafa Hysi, synon ta nisë me fitore debutimin e tij, edhe pse përballë ka Adën e Velipojës, një skuadër që po rritet në javët e fundit.
Skuadra e Dajtit, pas humbjes në Librazhd me Sopotin, synon rikthimin te fitorja ndaj Pogradecit, për të mos u shkëputur nga katër vendet e para. Rikthehet në formacion mesfushori Taullau. Futbollisti i Dajtit, Renato Sula, e vlerëson Pogradecin, por kërkon fitoren në ndeshjen e fundit të fazës së parë.
KATEGORIA E PARË
JAVA 15
Tërbuni-Skënderbeu
(Gjyqtar: Kridens Meta)
Dajti-Pogradeci
(Gjyqtar: Migen Masha)
Kastrioti-Turbina
(Gjyqtar: Laver Alla)
Bilisht Sport-Gramozi
(Gjyqtar: Arianit Lulaj)
Burreli-Besëlidhja
(Gjyqtar: Sadik Disha)
Skrapari-Sopoti
(Gjyqtar: Tanush Latifi)
Luftëtari-Ada
(Gjyqtar: Melis Dervishi)
Laçi-Naftëtari
(Gjyqtar: Remzi Sadiku)
Ndeshjet fillojnë në orën 13:30
Milani kërkon Blerim Xhemailin
Blerim Xhemaili është shumë pranë kontratës me klubin gjigant të Seria A të Italisë, Milanin. Lajmi e bëri të ditur babai i Blerimit, Fekredin Xhemaili. “Ka shumë oferta për Blerimin në prag të afatit kalimtar të dimrit. Aktualisht janë tre nga klube të Italisë, një nga Gjermania dhe disa të tjera nga Anglia”, - shprehet fillimisht ai. Në pyetjen nëse janë të vërteta pohimet se për të është i interesuar Milani, ndaj të cilit Blerimi kishte bërë një paraqitje të jashtëzakonshme kur rezultati kishte përfunduar 2-2, ai është përgjigjur pozitivisht. “Është e vërtetë se e kërkon Milani, por nuk kemi nënshkruar ndonjë kontratë”, - tha ai. Edhe vetë Blerim Xhemaili ka pohuar se është afër hapit gjigant. “Jam duke kaluar ditët më të mira në kampionatit italian. Nëse vjen deri te ndonjë ndërrim i skuadrës, atëherë do të nënshkruaj vetëm me ndonjë klub të madh, i cili do të luaj në Ligën e Kampioneve. Më pëlqen të qëndroj në Itali edhe pse varet nga kushtet që do të ofrohen”, - tha Blerim Xhemaili.
Megjithatë, sipas babait të Blerimit, edhe nëse vjen deri te ndonjë marrëveshje paraprake, kalimi përfundimtar do të ndodhë në merkaton e verës. “Fillimisht Torino do të blejë kartonin e Blerimit dhe pastaj do ta shesë atë. Por deri në fund të kampionatit Blerimi do të qëndrojë në këtë klub edhe pse mund të bëjmë ndonjë kontratë paraprake”, - tha Fekredin Xhemaili.
20 Dhjetor 2008