E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teuta Koço rikthehet në Tiranë

Rikthehet sërish në skenën shqiptare. Teuta Koço do të ngjitet sot në mbrëmje, ora 19:00 në sallën e Teatrit të Operës me një koncert vokal. Eno Koço, i ati i saj e shoqëron edhe në këtë aktivitet të sajin. Sopranoja shqiptare që aktivitetin e saj e zhvillon kryesisht në skenat e huaja, do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e RTSH-së. Programi është i shkurtër, një orë koncert pa pushim. "Repertorin e zgjodha me shumë kënaqësi bashkë me Enon. Është i përbërë gati i gjithi nga pjesët e mia më të preferuara, sidomos tani që po kaloj një fazë sentimentale duke qenë 6 muajshe shtatzënë. Në program është përfshirë muzikë nga Donizetti (uverturë dhe arie nga Elisir d‘Amore), "Il Baçio" nga Arditti, Richard Strauss - Morgen, Lehar - Meine Lippen, Bernstein - uverturë dhe arie nga operetta Candide, si edhe këngë qytetare lirike shqiptare "As aman o trëndafil çelës", "Dola në penxhere", "Bilbil o i mjeri bilbil" etj", shprehet sopranoja. Ndërkohë që shprehet se çdo kthim në Tiranë për të është kënaqësi. "Isha me fat që këtë javë koha u ngroh. Më pëlqen puna me Orkestrën e Radios, si edhe vetë të qenit në Tiranë. Diku përbrenda kisha një dëshirë të fortë të isha në vendlindjen time dikur gjatë shtatzënisë dhe gëzohem që m‘u realizua kjo dëshirë. Këtë herë në Tiranë ka ardhur për herë të parë edhe bashkëshorti im e me zor po pres t‘i tregoj pak nga fëmijëria ime", shprehet sopranoja teksa pret që mbrëmja e sotme të japë kënaqësitë e tingujve të përzgjedhur prej saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›