Teuta, hakmarrje dhe shpresë për përsëritjen e 2005-s

Albania-Sport - Teuta ka vuajtur mjaft sot, por ka arritur një fitore mjaft të vlefshme, 2-1, kundër kryesueses së kampionatit dhe fitueses në fuqi të Kupës së Shqipërisë, Tiranës, në ndeshjen e parë të turit cerekfinal, të luajtur pasdreke në stadiumin "Niko Dovana" të Durrësit. Fitorja e skuadrës vendase merr edhe më tepër vlera, pasi është njëfarë "hakmarrjeje" e vogël për atë shpartallim, mbase të pamerituar, 0-5, që pësoi përballë bardhebluve në kryeqytet para 12 ditësh, në ndeshjen e vlefshme për kampionat, të luajtur në Stadiumin Kombëtar "Qemal Stafa".
Në fakt, u duk si një ndeshje që do të përsëriste pak a shumë atë të para dy javëve kjo e sotmja në Durrës, pasi miqtë nga kryeqyteti do të kalonin në epërsi të parët, madje pas vetëm 8 minutash lojë, nëpërmjet Klodian Duros. Por skuadra e drejtuar nga ish-trajneri bardheblu, Sulejman Starova, nuk është dorëzuar dhe ka vijuar të kërkojë golin e barazimit, të cilin e ka gjetur vetëm 13 minuta më pas, kur një tjetër "ish" i Tiranës, Endri Vrapi, bën atë që nuk e bënë dot disa kolegë të tij dhe e përcjell topin në rrjetë.
Paskëtaj, e vecanërisht në pjesën e dytë, ndeshja është shndërruar në një duel midis mesfushës dhe sulmit të skuadrës vendase dhe gardianit të portës së skuadrës mike, Isli Hidi, i cili ka shmangur, me pritjet e tij, një sërë golash të sigurtël, duke ruajtur barazimin. Gjithsesi, atëherë kur mendohej se Tirana do të largohej nga Durrësi me një barazim të vlefshëm, është i riu i sapofutur, Llogu, ai që thyen më në fund rezistencën e Hidit dhe kalon Teutën në epërsi, duke realizuar kështu një përmbysje që nuk para ishte imagjinuar në fillimin e ndeshjes.
TEUTA - TIRANA 2-1
Shënues: Endri Vrapi 21', Llogu 88' / Klodian Duro 8'
Gjyqtarë: Latifi, Metohia, Koreshi
Stadiumi "Niko Dovana", Durrës