E Diel, 1 Nëntor 2026

Besa, dy gabime që i japin Dinamos shpresën për trofe

Albania-Sport - Besa ka qenë e keqja e vetvetes sot, pasi, të dy golat që i dhanë fitoren skuadrës së Dinamos, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin "Besa" të Kavajës, kanë qenë pasojë e gabimeve të lojtarëve vendas. Në fakt, skuadra e trajnerit lezhjan, Vasil Bici, u godit shumë shpejt, pasi, pas vetëm 120 sekondash lojë, blutë nga kryeqyteti fitojnë një 11-metërsh dhe do të jetë elbasanasi Julian Ahmataj ai që, duke ruajtur gjakftohtësinë, nuk do të gabojë dhe do ta përcjellë topin në rrjetë.
Dinamo kryeson kështu, 1-0, që nga minuta e dytë, por vendasit nuk dorëzohen dhe vijojnë të godasin dy herë shtyllën e portës mike, por pa rezultat, dhe u duhet të presin deri në minutën e 69-të të takimit, kur një ish-dinamovit, Parid Xhihani, do të thyejë qëndresën e skuadrës mike dhe do të gjejë rrugën e rrjetës, duke barazuar shifrat në 1-1. Dhe, kur mendohej se ndeshja do të përfundonte me këtë rezultat, që gjithsesi më tepër i bënte punë miqve sesa Besës, është pikërisht një lojtar i skuadrës kavajase, i sapoardhuri Robert Grizha, ai që devijon në rrjetën e tij një goditje këndi dhe kalon Dinamon në epërsi.
E gjithë kjo ndodhi vetëm 7 minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt, kohë kjo që nuk i mjaftoi Besës, pavarsisht nga përpjekjet, për të barazuar rezultatin. Dinamo vjen kështu në ndeshjen e kthimit, pas dy javësh në kryeqytet, me një fitore që nënkupton se blutë e drejtuar nga lojtari/trajner Redi Jupi, do të mjafton edhe me një barazim për të siguruar kualifikimin për më tej në atë që mund të quhet padyshim e vetmja mundësi reale që ka për të synuar për një trofe këtë sezon dhe një vend në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm.

BESA - DINAMO 1-2
Shënues: Parid Xhihani 69'/ Julian Ahmataj 2' (11-metërsh), Robert Grizha 83'(autogol)
Gjyqtarë: Peza, Salaj, Lamce
Stadiumi "Besa", Kavajë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›