Shkumbini, një biletë për në gjysmëfinale brenda 90 minutave

Albania-Sport - Futbolli njihet për aftësinë që ka për të dhuruar surpriza, por, duke patur parasysh futbollin shqiptar, mund të thuhet me plot gojën se Shkumbini e ka siguruar që sot vendin në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, pasi, një "poker" golash i shënuar në fushën e vet, i ka dhënë skuadrës së veteranit të bankinave shqiptare, Faruk Sejdini, një fitore mjaft bindëse kundër skuadrës që vjen nga Kategoria e Parë, Turbinës.
Në fakt, kanë mjaftuar vetëm 13 minuta lojë për skuadrën vendase, që të thyejë qëndresën e miqve nga Cërriku dhe është lushnjari Albano Byzhyti ai që kalon Shkumbinin në epërsi me golin e tij të parë të kësaj ndeshjeje. Gjithsesi, ky nuk do të ishte goli i vetëm i pjesës së parë, pasi, 8 minuta para përfundimit të saj, është shkodrani Arsen Beqiri ai që do të gjejë rrugën e rrjetës dhe do të dyfishojë kështu numrin e golave për vendasit.
Pjesa e dytë e takimit do të dhurojë edhe dy gola të tjerë dhe do të jetë fillimisht sulmuesi Erjon Rizvanolli ai që do të gjejë rrugën e rrjetës, në minutën e 56-të, ndërsa, në castet e fundit të minutave shtesë të takimit, Albano Byzhyti do të vulosë gjithcka përtej cdo dyshimi, kur do të përcjellë në rrjetë topin për golin e tij të dytë personal dhe të katërtin e skuadrës së tij për këtë takim. Të dyja skuadrat e mbyllën ndeshjen me nga 10 lojtarë secila, pasi në minutën e 71-të, gjyqtari Jemini ka ndëshkuar me karton të kuq Dalliun e skuadrës vendase dhe Spahon e Turbinës.
Kësisoj, Shkumbini shkon në ndeshjen e kthimit të 28 shkurtit 2007, që do të luhet në Fushën Sportive "Nexhip Trungu" të Cërrikut, me një siguri katërgolëshe dhe duke menduar për gjysmëfinalen, cka mund t'i japë edhe shpresë për të bërë llogaritë për mbijetesën në Kategorinë Superiore, ndonëse dicka e tillë duket, hëpërhë, një mision mëse i pamundur.
SHKUMBINI - TURBINA 4-0
Shënues: Albano Byzhyti 13', 90+2, Arsen Beqiri 37', Erjon Rizvanolli 56'
Karton i kuq: Dalliu (Shkumbini)/ Spaho (Turbina)
Gjyqtarë: Jemini, Rexha, Bicaku
Fusha Sportive, Peqin